Kreu i Grupit Socialist Taulant Balla, i ftuar në emisionin “Pushteti” në televizionin FaxNeës, foli rreth lirisë së medias në vend dhe raportin që ajo ka me pushtetin.

Në një pjesë të diskursit të tij Balla, u ndal tek figura e themeluesit të FaxNeës Kasem Hysenbelli, i cili ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të shtune.

Deputeti socialist u shpreh se Kasem Hysenbelliu meriton një vlerësim tepër të madh për të gjitha mediat që ai ka drejtuar, edhe pse vinte nga sektori i sipërmarrjes në tregun mediatik.

Balla thekson se profesioni i ushtarakut e ndihmonte Kasem Hysenbelliun t’i shkonte deri në fund të vërtetës dhe të rezistonte ndaj çdo lloj ndërhyrjeje që prekte dinjitetin e lajmit.

“Të them të drejtën ka një prirje për të konsideruar që mediat në Shqipëri nuk janë të lira, unë personalisht mendoj se ne nuk bëjmë përjashtim nga vendet e rajonit apo vendet e Bashkimit Europian. Nëse shohim numrin e mediave krahasuar me vendet e tjera ky numër është tepër i lartë. Unë dua të them që në këto 30 vite, nga dita kur studentët u ngritën për të siguruar lirinë e mendimit, mediat në Shqipëri kanë arritur një standart të lartë.

Unë nuk ndaj vlerësimin që në Shqipëri mungon liria e medias. Liria e medias dhe parandalimi i lajmeve të rreme janë dy gjëra që nuk duhet ta prekin njëra tjetrën. Praktikat më të mira ndërkombëtare, duke iu referuar Gjermanisë, ku një çështje e rëndësishme lidhet me të drejtën e çdokujt për të denoncuar një lajm të rrem, ne jemi vite drite larg. Në javët dhe në ditët në vazhdim, kjo gjë do të marrë fund dhe pasi të marrë vlerësimin e gjithë ekspertëve do të jetë në procesin legjislativ.

Meqënëse isha i ftuar në këtë ekran tuajin gjej rastin të shpreh gjithë vlerësimin për themeluesin e këtij ekrani televiziv dhe të kësaj mediaje në tërësi, pasi sot media nuk është vetëm ekrani, është komunikimi online, komunikimi në rrjete sociale, ku përfshihen i gjithë grupi mediatik FaxNews dhe Faxweb.

Besoj se Kasem Hysenbelliu meriton një vlerësim dhe për mediat e tjera që ka drejtuar.

Nuk është e thënë të jesh gazetar që të bësh një media të mirë. Kasem Hysenbelliu vinte nga një sektor tjetër, ai i sipërmarrjes, por ndoshta profili profesional i ushtarkut e ndihmonte t’i shkonte deri në fund të vërtetës dhe t’i rezistonte çdo lloj ndërhyrjeje për të prekur dinjitetin e lajmit.

Kujtimet janë të shumta, por di të them që në një treg kaq të shumfishtë të mediave të lajmit të shpejt Kasem Hysenbelliu diti të ndërtonte median e tij me një vend reputativ në treg”, tha Balla.(F.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re