Nga: Lejdi Caci

Tema e shëndetit mendor ka marrë një interes të veçantë së fundmi, por shumë njerëz nuk besojnë në të, madje disa muslimanë mendojnë se problemet e shëndetit mendor janë një koncept perëndimor që nuk i përshtatet atyre në realitet, mjafton që të keshë një besim të fortë. Madje ata mund të argumentojnë që profeti Muhamed (saw) nuk ka shkuar ndonjëherë tek terapisti kështu që pse duhet ta bëj unë. E vërteta është që Pofeti Muhamed (saw) jo vetëm që i njihte dhe i adresonte sfidat psikologjike, por ai vetë hapi rrugën për studiuesit musliman për të zbuluar, klasifikuar, diagnostifikuar dhe trajtuar problemet e shëndetit mendor.
“Ekziston në traditën islamike një ‘shkencë’ e tërë e shpirtit ose vetes që lidhet dhe bazohet drejtpërsëdrejti në Kuran e Sunnet dhe që ofron zgjidhje praktike të problemeve që njerëzit ballafaqohen në shoqërinë moderne”. -Rothman Abdullah
Tek shumë ndjekës të fesë, tek ata që pranojnë besimet dhe ritualet e prindërve apo ata që individualisht zgjedhin të ndjekin një rrugë të ngritur nga mësimet fetare, ka një tendencë ta shohin fenë si një manual sjelljesh që duhen ndjekur në mënyrë që të “marrësh” nga mirësitë e Zotit. Feja është institucionalizuar deri në pikën që e shohim si një gjë në vetvete për qëllimet e saj, në vend që ta kuptojmë atë si një rrugë udhëzimi që duhet ndjekur në mënyrë që të rritemi e zhvillohemi si qenie njerëzore. Kurani është plot me mesazhe në ndihmë të transformimit personal dhe përgjegjshmërisë brenda vetes sonë, ashtu sikur thotë:
“[…] All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre” (13:11)
Në një studim të bërë në 2013 nga “Indian Journal of Psychology”, studiuesit zbuluan se shumë muslimanë hezitojnë të kërkojnë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor në vendet perëndimore për shkak të nënvlerësimit nga profesionistët të besimin të tyre fetar. Si pasojë, muslimanët mund të ndihen jo rehat kur kërkojnë ndihmë psikologjike apo psikiatrike duke shmangur kështu konfliktin me besimin e tyre fetar. Trajtimi në psikiatri ndjek modelin bio-psikosocial, dhe feja konsiderohet të jetë një nga faktorët më të rëndësishëm psiko-social në jetën e njeriut, veçanërisht në popullatën e muslimanëve. Prandaj është e domosdoshme të njohim se si Islami mund të modifikojë trajtimin dhe parandalimin e çrregullimeve të ndryshme mendore. Nga ana tjetër, me atë që zakonisht mendohet në mesin e shoqërive perëndimore se muslimanët besojnë se sëmundjet mendore janë për shkak të demonëve ose të lidhura me shpirtin e keq, ishin në të vërtetë evropianët në periudhën mesjetare ata që i shikonin problemet mendore si të lidhur me demonët. Studiuesit muslimanë të kësaj koha, duke përfshirë edhe Ibn Sina (i njohur në Perëndim si Avicena – themeluesi i Mjekësisë Moderne), hodhi poshtë një koncept të tillë dhe i pa çrregullimet mendore si gjendje që ishin të bazuara fiziologjikisht. Kjo çoi në krijimin e repartit të parë psikiatrik në Bagdad, Irak në 705 nga al Razi (një nga mjekët më të mëdhenj islamikë). Ky ishte spitali i parë psikiatrik në botë. Sipas pikëpamjeve të al Razi, çrregullimet mendore u konsideruan gjendje mjekësore dhe u trajtuan duke përdorur psikoterapi dhe trajtime me barna. Eshtë njohur gjerësisht se psikoterapia është një art unik i zhvilluar nga shoqëria perëndimore gjatë shekullit të 20-të; megjithatë, mund të zbulojmë se psikoterapia ishte përdorur gjerësisht në trajtimin e çrregullimeve mendore në të gjithë botën për shumë vite para se të fillohej nga Perëndimi. Gjatë epokës së artë të civilizimit islam, studiuesit islamikë kishin diskutuar konceptin e psikologjisë, psikiatrisë, psikoterapisë dhe marrëdhëniet e tyre me shëndetin mendor. Për shembull, Abu Bakar Muhammad Zakaria Al-Razi (925) është mjeku i parë musliman që prezantoi metodat e psikoterapisë dhe ai kishte arritur shumë sukses në zbulimin e përkufizimit dhe simptomave të shëndetit mendor. Diskutimi mbi shëndetin mendor u botua në librin e tij me titull ‘El Mansuri’ dhe ‘Al Tibb al-Ruhani’.
Qasjet psikoanalitike nuk pranohen gjerësisht në mesin e muslimanëve, në kontrast me konceptin e individualizmit të përdorur nga këshillimi perëndimor. Myslimanët priren të shikojnë nga jashtë, të identifikojnë identitetin e tyre në mësimet fetare, kulturën dhe familjen. Terapia në grup gjithashtu mund të jetë problematike për shumë muslimanë. Edhe pse kjo mund të duket e kundërt me theksimin e Islamit mbi vlerën e bashkësisë, terapia në grup siç praktikohet në mjediset perëndimore shpesh bie ndesh me një numër vlerash islamike. Për shembull, disa muslimanë mund të ndihen jo rehat duke ndarë detaje personale në mjediset e grupeve, veçanërisht nëse janë të pranishëm pjesëtarë të gjinisë së kundërt. Sidoqoftë, funksionet e grupeve të tilla mund të përmirësohen nëse ato përbëhen nga anëtarë të së njëjtës gjini dhe përfshijnë vlera të marra nga besimi Islam.
Ngjarjet negative të jetës janë një nga faktorët kryesorë të rrezikut për depresion. Islami luan një rol të rëndësishëm për të ndihmuar muslimanët të përballen me ngjarjet negative të jetës, gjë që i ndihmon ata si në parandalimin ashtu edhe në trajtimin e depresionit. Muslimanët nuk janë mbinjerëzorë, megjithatë, nëse dikush përjeton ndjenja negative, ai inkurajohet t’u rezistojë atyre me mendime dhe veprime pozitive nëse është e mundur, ose të kërkojë ndihmë profesionale nëse rasti është klinik, saktësisht si çdo formë tjetër e sëmundjes. (Kuran, 94: 5-6) (Kuran, 12:87) (Kuran, 65: 2-3)
Islami i inkurajon njerëzit të qëndrojnë me shpresë, edhe nëse dikush ka kryer mëkatin më të keq ose është përballur me një ngjarje më të mundimshme të jetës pasi gjithmonë ekziston mëshira e Zotit.
Pra si është e mundur që të keshë një traditë që të mëson të lutesh, për tu mbrojtur nga shqetësimi, mërzia dhe pikëllimi, dhe pastaj të thuash që Islami nuk e njeh shëndetin mendor. Le të kujtojmë që profetët janë dërguar tek ne si modele, dhe profeti i fundit Muhamedi (saw) erdhi për të na mësuar ne një shembull të mirëqenies holistike, është ky mësim që i lejoj muslimanët përgjatë historisë të jenë pionerë të asaj që ne sot quajme Shëndet Mendor.

●Lejdi Caci- Studente e Shkencave Sociale

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re