Nga Umm Muhammed

Ne të tërë e pranojmë se njerëzimi jeton i ngjeshur në një botë gjithnjë e më të vogël të shumë kulturave. Për një musliman nuk është më e mundur ta izolojë veten tërësisht nga ndikimet e qytetërimeve të huaja apo nga impakti i mjediseve të prishura, nuk ka rëndësi ku ndodh të jetojë.

Kultura perëndimore, në veçanti, është bërë tërheqëse për shumë banorë të botës së tretë për shkak të aureolës së saj të lirisë, mundësisë dhe begatisë, dhe, duhet pranuar, është ndikimi mbizotërues sot në botën moderne. Suksesi material i këtij qytetërimi, shpesh në kurriz të të tjerëve, u ka dhënë popujve të tij një ndjenjë superioriteti. Është bërë një kulturë që adhuron progresin material dhe nuk toleron asnjë sfidë ndaj kësaj ideologjie.

Në të njëjtën kohë, një rënie e përgjithshme e dijes dhe takvasë(devocionit) midis muslimanëve e ka ulur rezistencën e njeriut të zakonshëm ndaj tundimeve të të gjitha llojeve. Historia dëshmon për faktin se, kur muslimanët iu frikësuan dhe iu bindën Allahut, ata sunduan botën; por kur bota i sundoi zemrat e tyre në vend të Allahut, ata u mposhtën ushtarakisht dhe psikologjikisht.

Përpjekjet e hershme nga Perëndimi për ta vënë poshtë Islamin u bazuan hapur te motivet fetare; kështu ata u bënë kryqtarë dhe dërguan misionarë. Më vonë, ndërsa nuk ishte më diçka me mend të pranohej një motiv fetar, ofensivat në botën islame u kryen në emër të ekonomisë dhe të bërjes së vetëdijshëm të banorëve të botës së tretë për përparimet moderne. Përpjekjet e tyre u zhvendosën në nxitjen e edukimit shekullar me synimin për t’ia larguar mendjen rinisë muslimane prej fesë së saj dhe për ta ftohur prej gjuhës arabe që i kishte lidhur me të.

Qeveritë perëndimore inkurajuan nacionalizmin, rajonalizmin, traditat kulturore lokale dhe çfarëdo devotshmërish që mund të zinin vendin e Islamit në zemrat e njerëzve, si dhe novacionet fetare që i mbajtën muslimanët larg reformave shoqërore dhe praktikave të sakta. Ato mbështetën lëvizje të ndryshme që mbronin konceptin se besimi nuk ka monopol mbi të vërtetën dhe se të gjitha fetë janë njëlloj të pranueshme për Zotin. Shekullarizmi dhe globalizimi u bënë modë e përgjithshme.

Por feja është sot përsëri problemi, teksa Islami paraqitet keq jo vetëm nga armiqtë e tij, por dhe nga ca prej ndjekësve të vet. Shumë muslimanë, të privuar gjatë nga drejtësia nën rendin e sotëm botëror, priren ta shohin kulturën perëndimore si të keqe dhe të pamoralshme. Një numër i vogël po kryejnë akte kriminale në shkallë të gjerë, duke pretenduar gabimisht se vuajtja e zgjatur e popujve të tyre u ka dhënë të drejtën t’i marrin vetë punët në duar. Duke vepruar kështu, ata jo vetëm po e tëhuajtin opinionin publik, por po shkelin parimet më bazë të fesë së tyre.

E tëra kjo ka çuar në një portretizim mediatik gjithnjë e më shumë të njëanshëm dhe agresiv që vë në shenjë fenë, e jo ndjekësit e saj gabimtarë. Sot ne shohim një rigjallërim të dukshëm të sulmit ideologjik të projektuar fillimisht për të eliminuar ndikimin e Islamit midis muslimanëve dhe për ta dobësuar rezistencën e tyre ndaj rrymave shekullare. Me kategorizimin e muslimanëve praktikues si ekstremistë fundamentalistë dhe nxitjen e një keqinformimi të bujshëm, kundërshtarët e Islamit kanë përsosur për më shumë artin e provokimit, të vetëdijshëm se nuk mungojnë muslimanët dëshpërimi dhe zemërimi i të cilëve do t’i bëjë të harrojnë etikën fetare dhe të reagojnë në mënyrë impulsive. Gjithçka që mbetet pas kësaj për median është t’i kapitalizojë gabimet e trishtueshme të kryera.

Për shumë në Perëndim, Islami është bërë veçanërisht i papëlqyeshëm dhe është konsideruar më shumë si një kult, se një fe. Ai ngjan si diçka e huaj, lindore, jo e bardhë, arabe, e botës së tretë, ndjekur nga “armiq”… i marrë së tepërmi me jetën tjetër se me jetën e kësaj bote. Për më shumë, muslimanët që dalin në pah për ta përmirësuar fatin e tyre janë parë si një bezdi e hapur; duke e kundërshtuar dominimin perëndimor dhe kritik ndaj kulturës së tij. Ata nuk e pranojnë shtetin e Izraelit. Ata u japin kontrata konkurrentëve joperëndimorë. Në të njëjtën kohë, ata po mësyjnë në vendet perëndimore, duke kërkuar azil, punë, mundësi, dhe më pas po i ruajnë zakonet e tyre në vend që të integrohen në kallëpin e shenjtë perëndimor. Dhe, mbi të gjitha, është “terrorizmi”…

Muslimanët e shqetësuar janë shtrënguar me vonesë të shohin drejt përpjekjes serioze për t’i korrigjuar përshtypjet e përgjithshme negative dhe për t’i ndarë me botën besimet dhe idealet e tyre fisnike, diçka që duhet ta kishin bërë ngahera duke patur parasysh faktin se Islami është një mesazh global për të gjithë njerëzimin.

Zgjidhja për paditurinë dhe keqkuptimin është edukimi. Por shpjegimi vetëm i pesë shtyllave për jomuslimanët është i pamjaftueshëm; një strukturë e mbështetur në këto shtylla do të mbetet e paplotë pa tullat e shumta të saj, të urtësisë, drejtësisë dhe mëshirës. Muslimanët duhet të edukojnë, të mësojnë, së pari veten, individualisht, si familje, bashkësi dhe qytetarë të botës, me studimin serioz që synon shpëtimin dhe rindërtimin e ummetit tonë; korrigjim, ndreqje dhe reformë. Njëherazi, ne duhet t’u mësojmë të tjerëve të vërtetën e Islamit.

Çdo individ normal, në çdo vend, kërkon ta përjetojë natyrën e vet njerëzore, të jetojë me dinjitet dhe ta ndiejë se ka një arsye për ekzistencën e tij, një qëllim për jetën e tij, se ai është më shumë se thjesht një kafshë tjetër që ekziston rastësisht dhe i është lënë fatit. Në mënyrë të nënvetëdijshme, ai e dëshiron fort një objektiv të rëndësishëm, për të  cilin të përdorë inteligjencën e tij dhe t’i ushtrojë aftësitë e veta, për të ndier se është i vlefshëm dhe i vlerësuar.

Shokët e Profetit dhe ndjekësit e tyre e përjetuan të gjithë këtë. Ata punuan dhe sakrifikuan për t’ua sjellë të vërtetën e Islamit të gjithë njerëzve, edhe duke ndërmarrë udhëtime të gjata dhe të rrezikshme për të vepruar kështu. Muslimanët e parë ishin shembuj unikë të moralitetit dhe etikës, dhe shoqëritë e tyre e shfrytëzuan potencialin njerëzor në maksimum, thjesht si një reflektim i kuptimit të tyre të Islamit. Dhe qe pikërisht gjatë kësaj periudhe, ndërsa muslimani i zakonshëm ishte një model i jashtëzakonshëm, që Islami u përhap, për të përfshirë shumë popuj të rinj në çdo pjesë të botës së njohur. Ky shembull, i bazuar në një kuptim të shëndoshë të fesë, nevojitet sot më shumëse kurrë më parë.

Nëpërkëmbjet dhe sulmet kundër muslimanëve nuk mund të kundërshtohen ndryshe, veçse brenda caqeve të Islamit. Bojkotet dhe demonstratat paqësore mund të jenënë rregull, por a nuk duhet ne të nxjerrim pa zhurmë shkencëtarë, teknologë, shpikës, doktorë dhe inxhinierë që, nga dashuria për fenë e tyre, nuk emigrojnë për në vendet e pasura perëndimore, por parapëlqejnëtë qëndrojnë aty ku janë për t’i shërbyer Islamit dhe muslimanëve? A nuk duhet që vëllezërit tanë të pasur të investojnë në rajonet e tyre, edhe me fitime të vogla, për të krijuar punësim për ata që ndryshe do të vërshonin drejt Perëndimit? A nuk duhet që industritë tona të prodhojnë mallra jo të kushtueshme, por të cilësisë së mirë, për ta reduktuar varfërinë në vend dhe për ta pasuruar botën në përgjithësi? A nuk duhet që udhëheqja muslimane të ndërtojë institucione ku kurse islame pa pagesë t’u ofrohen studentëve jomuslimanë? A nuk duhet që çdo musliman të bëhet një shembull i gjallërishëm i Islamit brenda fushës së tij dhe sipas aftësive të veta?

“Dhe thuaj: ‘Punoni, sepse Allahu do t’i shohë punët tuaja, dhe [po kështu] i Dërguari i Tij e besimtarët.’” (Kur’an, 9:105)

Përktheu Bujar M. Hoxha –tesheshi.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re