Kryeministri Edi Rama ishte sot në Mallakastër, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Qerim Ismailaj, i cili më parë është denoncuar nga opozita se është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Por ndryshe mendon kryeministri Rama, i cili e konsideron Ismailajn si “shalqi me provë”, ndërsa kandidatët rivalë i quan si kastravecë apo kunguj, që nuk bëhen dot shalqi.
“Kandidatët tanë kanë dy avantazhe. E para janë kandidatë që janë shalqi me provë, ky është shalqi me provë. Edhe kastraveci i mirë është për sallatë, por shalqi s’bëhet. Edhe kungulli i mirë është për të bërë byrek, por shalqi nuk bëhet.
Kështu që Qerimi është shalqi me provë. Qerimi ka edhe një avantazh tjetër, ka edhe një shalqi më të madh me vete në Tiranë që është me provë.
Të diskutosh zgjedhjen midis kandidatëve tanë, midis Qerimit dhe kandidatëve të ‘zorrës qorre’ është të mos jesh në rregull fare, sepse nuk po shkon në stadium. Në stadium nuk vihet në diskutim fare që…nuk e di Mallakastra ka ekip apo s’ka fare, ku e keni Bylisin, në ca kategorie apo në të shtatën?! Se unë nuk i ndjek këto të futbollit”, tha Rama.