Kryeministri Edi Rama ka bërë afërsisht atë që bën ç’prej 5 vitesh PD-ja ndaj tij. Jo në mënyrë të prerë por me dyshime, shefi i qeverisë aludon se droga e kapur në Maminas, posedues i së cilës qe tropojani Arbër Çekaj, tashmë në pritje për t’u ekstraduar nga Gjermania, ka lidhje me njerëz nga kupola e lartë e opozitës.

Rama, revanshin e PD-së me rastin Xhafaj, e përkthen si acarim pikërisht për këtë gjë.

I intervistuar nga gazetarja Mirela Milori e ABC News në Gjirokastër, Rama dha këto përgjigje për rastin në fjalë:

Mirela Milori: Do doja të dija do të ekstradohet Arbër Çekaj nga Gjermania tek ne apo do të shkojnë prokurorët atje që ta marrin në pyetje?

Edi Rama: Nuk e di! Këto janë procedura ligjore që nuk më takojnë mua, por di që procesi tashmë ka hyrë në një fazë të re me arrestimin e personit që është identifikuar si koka e trafikut (Arbër Çekaj). Nga ana tjetër nga të dhënat që unë disponoj, kuptohet në rrugë operative, por janë të mjaftueshme për të kuptuar se përse është gjithë ky acarim.

Mirela Milori: Pse është gjithë ky acarim? Pse PD qenka e acaruar nga kapja e 613 kg kokainë dhe ndalimi i një personi në Gjermani?

Edi Rama: Sepse ka dyshime shumë të arsyeshme që të çojnë drejt njerëzish shumë të lidhur me rangjet me të larta të PD.

Mirela Milori: Dyshime të arsyeshme apo informacione?

Edi Rama: Informacionet krijojnë dyshimin e arsyeshëm, pastaj është hetimi që duhet të provojë dyshimin e arsyeshëm me prova.

Nga ana tjetër, Rama këmbënguli në falsitetin e audiopërgjimit, duke i bërë dhe një biografi të ashtuquajturit Babale, shtetasit Albert Veliu.

“Ka njerëz që e dinë që është farsë, komuniteti në Vlorë e njeh dëshmitarin X dhe janë të skandalizuar si mund të kthehet ky personazh në hero të opozitës, ndërkohë që ka edhe të tjerë që kanë dyshime dhe atyre unë iu them që fjala ime vlen aq sa vlen. Le të presim përfundimin. Çështja do zbardhet. Faji nuk do mbetet jetim”, u shpreh Rama.

Rama shtoi gjithashtu se nëse audiopërgjimi del i vërtetë, ai do ta rishihte poicionin e tij në krye të qeverisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re