Pas disa javësh ku tensionet kishin qenë të larta, në orën 11:00 të ditës së sotme pritet që të mblidhet Këshilli Politik, ku pjesë e diskutimeve do të jenë edhe ndryshimet Kushtetuese. Në një kohë kur pritej që në këtë tryezë të merrnin krerët më të lartë të mazhorancës dhe të opozitës, ajo që dihet me saktësi derimë tani është fakti se Lulzim Basha nuk do të jetë i pranishëm, pasi ka në axhendë një vizitë dyditore në Kosovë.

Në vendin e tij përkrah Oerd Bylykbashit pritet që të ulet Gazment Bardhi, sekretari i përgjithshëm i demokratëve. Nga ana tjetër derimë tani Edi Rama ka shprehur gadishmërinë që do të jetë pjesë e takimit, por  nuk mohohet mundësia që në mungesë të Lulzim Bashës, dhe për të mos ulur nivelin e përballjes, të çojë në mbledhjen e Këshillit Politik Taulant Ballën, për të barazuar nivelin e përfaqësimit.

Rama ftoi dhe presidentin Ilir Meta t’i bashkohej tryezës por presidenti nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen, dhe me shumë mundësi ai nuk do të jetë pjesë e takimit. Përveç presidentit, kryeministri i drejtoi ftesë dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ka qenë disi e tërhequr nga zhvillimet e zgjedhores, dhe me siguri që do të mjaftohet me praninë e Petrit Vasilit në takim.

Risi përbën po ashtu fakti se opozita parlamentare do të përfqësohet në këtë takim, përveç Rudina Hajdarit edhe nga Myslim Murrizi, i cili duket të ketë forcuar pozitat e tij, sa kohë që bëhet pjesë e një takimi të një rëndësie të tillë.

Vizita e Bashës në Kosovë, agjenda: Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha do të fillojë sot një vizitë dyditore në Kosovë me ftesë të kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai me këtë rast do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, atë të Nismës, Fatmir Limaj.

Po ashtu do të ketë takime me drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së. Nesër, kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe atë të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, dhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.

Gjatë vizitës në Kosovë, kreu i PD-së do të shoqërohet nga Edi Paloka, nënkryetar i kësaj partie, Besnik Mustafa, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PDSH-së dhe Arben Çejku, ish-ambasador dhe drejtues i Qendrës Shqiptare për Mirëqeverisje.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re