Një grup menaxherësh të huaj do të angazhohen në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Kryeministri Edi Rama njoftoi se ata do të asistojnë nga afër drejtuesen e re të QSUT-së.

Në këtë mënyrë, u tha ai shefave të të gjitha shërbimeve në qendrën më të madhe shëndetësore në vend, garantojmë sa më mirë edhe hapjen së shpejti të kapitullit të shumëpritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do të duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do të duhet t’i japë të gjithë flekslibilitetin për t’i shpërblyer të gjithë sipas meritës”.

Duke dënuar rastin e rëndë, që zbuluan hetimet e Prokurorisë te Shërbimi Onkologjik, kryeministri kujtoi një tjetër rast, atë të Tire Alldervishit, që i mori 8 milionë lekë një pacienteje me Covid, por theksoi se asgjë nuk hedh poshtë transformimin e bërë në sistemin shëndetësor.

“Jam këtu edhe për të thënë që veprimtaria kriminale e atij grupi, njësoj si historia e Tixhes, nuk e hedh dot poshtë përpjekjen tonë për ta shndërruar situatën shëndetësore nga ngrehina ku e gjetëm, në një sistem shërbimesh funksionale. Kjo që ndodh na bën më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma. Kantieri i transformimit rrënjësor të QSUT-së dhe shërbimi për 3500 persona që vijnë këtu çdo mëngjes nuk mund të fshihen me filtrin e errët të këtyre individëve, aty ku 10 vite më parë kishim një kompleks që dergjej si i sëmuri më i pashpresë i Tiranës, ne kemi sot një qendër spitalore funksionale. Ka padiskutim probleme, pro qëllimi im sot nuk është të fokusohem te ndërhyrja masive e 10 viteve të fundit. Na duhet ky kthim koke për të kuptuar se puna kolosale e kësaj dekade falë investimit dhe taksave të shqiptarëve, kërkon një shërbim të denjë në çdo komponent”.

Sipas kryeministrit, në 10 vitet e fundit, në QSUT janë investuar 100 milionë euro dhe u kujtoi mjekëve se “pagat e tyre sot janë shumë më të larta dhe kushtet e punës pakrahasimisht më të mira”.

“As në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital me këto kushte dhe ky spital nuk ka asgjë më pak se sa spitalet më të mirë të Evropës. Besim Elezi me kolegë i dha dritë këtij spitali, në kushtet më mizerabël, me mjete si në spitalet e mesjetës në Francë. Në këtë territor ku jemi sot, mungonte thuajse gjithçka, por nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut. Sot nuk mungon thuajse asgjë, por fatkeqësisht, jo gjithnjë, figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me Betimin e Hipokratit. Të mos jesh në lartësinë e detyrës është përgjegjësi, por në punën tuaj, është një hall shumë i madh për njeriun, kur me njeriun lidhet fati i shëndetit të tij. Por të marrësh licensën dhe të përdorësh uniformën më simbolike si maskat e grabitqarëve të bankave dhe të nxjerrësh para me ilaçin e të sëmurëve, është krim kundër njerëzimit. Koha e Besim Elezit ka ikur, kjo kohë, sikurse jep mundësi të reja, e bën njeriun të pandjeshëm”.

Kryeministri mori si shembull profesorin, akademikun e kirurgun Besim Elezi dhe e krahasoi me ata që i konsideron “zullumqarë të shëndetit”.

“Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet se radhët e shëndetësisë janë pastruar nga zullumqarët e shëndetit. Rrjetat e merimangave të onkologjikut ishte më zi se korrupsioni i marrjes së parave për shërbimin, ishte krim kundër njerëzores. Tani të rikërkosh sot heronj si Elezi, kur mjekët shkonin në luftë me shpata, kur bota kishte shpikur raketat, nuk është mision i pamundur. Se po të mos ishin sot heronjtë kur Shqipëria u përball me Covid, numri i shqiptarëve që ndërruan jetë nën kthetrat e atij armiku të padukshëm do të kishte ku e ku më i madh”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re