Kurban Bajrami, pos lidhjes me ritualin e Haxhit, lidhet gjithashtu me atë që konsiderohet “Hutbeja e Lamtumirës” e Profetit Muhamed.

Pas 25 vitesh thirrjeje në besimi islam, ai do mbante të fundit fjalim, me të fundit porosi, para një turme prej 100 mijë besimtarësh.

Ky fjalim është e gjithë esenca e besimit, e cila në mënyrë telegrafike shpalos parimet bazë të besimit. Aty kombinohen urdhëresat mbi raportet bazë sociale, si dhe apeli ndaj njeriut se është krijesë e Zotit dhe te Ai do kthehet për të dhënë llogari mbi jetën e tij.

Me këtë fjalim, krejt rastësisht, kryeministri Rama do përballej në rrethanën e përgatitjes së fjalimit në Paris në rastin e ngjarjes së Sharlie Hebdo-së në 2015-ën. Duke kërkuar referenca islame mbi atë se çfarë është Islami, jashtë klisheve akuzuese, ai do lexonte “Hutben e Lamtumirës” së Profetit Muhamed, duke bërë që më pas, në avion rrugës për në Paris, t’i drejtohej një gazetari të njohur të Tiranës: “Ti e ke lexuar ndonjëherë Hutben e Lamtumirës?”

Së këndejmi, ai do shprehte impresionet e tij nga ajo që kish lexuar.

Kujtojmë që kjo ka ndodhur me njeriun që edhe pse është vetëshpallur i besimit katolik, më shumë në respekt ndaj gjyshes që e ka rritur, një katolike e fortë, shpëtuese e tij nga ateizmi në vitet e komunizmit, siç vetë e ka pohuar, interesin intelektual e ka më së shumti ndaj Islamit, duke qenë lëçitës i rregullt i literaturës islame.

Më poshtë, janë shkurtimisht disa nga frazat më të përzgjedhura të Hutbes së Lamtumirës, pra, fjalmbajtjes së fundit të Profetit Muhamed, një finalizim i 25 viteve mesazh profetik.

O njerëz, dëgjoni se ç’do t’ju them, se nuk e di a do t’ju takoj më në këtë vend pas këtij viti:

O njerëz, frikësohuni Zotit dhe respektojeni atë, bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve!

Gjaku juaj, nderi juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin e juaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend!

Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit dhe të dinjitetit njerëzor!

Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë për atë, që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut!

O njerëz, ju pashmangshëm dhe pakthyer do t’i ktheheni Allahut të Amshueshëm dhe Ai do t’ju thërret në përgjigjësi për veprat dhe punën e juaj!

O besimdrejtë, dijeni se ka përfunduar koha e mosdijes dhe e traditave të këqija, të cilat i kanë sjellë aq fatkeqësi gjinisë njerëzore. Unë jua kam treguar rrugën e shpëtimit, të cilës duhet ecur!

O besimdrejtë! O njerëz! Frikësohuni Ditës, e cila vërtet do të vijë, kur të gjithë do të paraqiteni para Allahut, Gjykatësit të Vetëm Suprem, (ditën) në të cilën ju pret drejtësia absolute!

Kur të obligoheni se do ta paguani borxhin, pagojeni me kohë, dhe kur ta bëni marrëveshjen bëjeni atë me shkrim, saktë dhe besnikërisht theksojeni afatin e pagesës…

O ju që do të vdisni! Duajeni dhe dëgjojeni Zotin, Krijuesin e materies dhe asaj që është shpirtërore, i Cili krijoi mashkullin dhe femrën, prej të cilëve u zhvillua e tërë gjinia njerëzore!

Frikësohuni Allahut, nën ndihmën, prehjen dhe mëshirën e të Cilit të gjithë jemi udhëzuar! Ne jemi të vdekshëm dhe çdo moment jemi sa më afër vdekjes dhe takimit me Të, me Allahun e Amshueshëm, Gjykatësin e Drejtë!

Respektojeni farefisninë. Besnikërisht përmbushni detyrat dhe obligimet, të cilat ekzistojnë ndërmjet burrit dhe gruas si dhe ndërmjet prindërve dhe fëmijëve!

Xhenneti është nën këmbët e nënës!

Ruajuni nga prostitucioni, tradhëtia bashkëshortore dhe xhelozia. Prostitucioni dhe tradhëtia bashkëshortore janë mëkat i rëndë, ndërsa xhelozia shpie kah përçarja në martesë!

Martohuni me ato, të cilat i doni, e kur Zoti me vullnetin e vet do t’ju bashkojë, atëherë respektohuni, duajuni dhe jetoni në dashuri dhe harmoni!

O bashkëshortë, silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri!

O besimdrejtë, largohuni ngatërresave dhe përgojimit!

Kurrë mos e shkelni të drejtën dhe nderin e dikujt! Mos i bëni dhunë vetes! Mos harroni se mëshira është një ndër bazat e Islamit.

O njerëz, dëgjoni se ç’po ju them dhe mbajeni mend mire: Po ju lë Librin e Zotit, Kur’anin, të cilit nëse i përmbaheni, gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë dhe së Vërtetës. Kur’ani është libër i qartë dhe i shenjtë, vepër e vërtetë e Allahut dhe fjalë e Tij, në vërtetësinë e së cilës nuk ka dyshim.

Para vehtes e keni tërë jetën time, fjalët dhe veprat e mia. Gjithçka që kam folur dhe punuar jam përpjekur të jetë në përputhshmëri të plotë me urdhërat e Allahut.

O besimdrejtë, flitni gjithnjë të vërtetën e pastër. Urrejtja asnjëherë të mos ju largojë nga rruga e drejtë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësohuni Allahut, se Ai i sheh veprimet tuaja!

O njerëz, e dëgjuat porosinë time, pra futeni atë në zemrën tuaj dhe (praktikoheni) në jetën tuaj!

Të gjithë ata që i dëgjuan fjalët e mia le t’ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar, se ndodh që ata (të tjerët) i kuptojnë më mirë.

O Zoti im, a e përmbusha detyrën dhe misionin e besuar?

Mijëra haxhilerë brohoritën njëzëri:

O i Dërguar i Zotit, ti e përmbushe misionin tënd besnikërisht, dhe na e komunikove atë që të urdhëroi Zoti…

Atëherë Profeti Muhamed u tha:

O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo!

Atë ditë atij iu shpall ajeti nga Zoti i Lartmadhëruar:

“Sot juve ua kam përsosur fenë tuaj, plotësova dhuntinë time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që Islami të jetë fe e juaj.” (Maide-3)

 Ky është dhe ajeti i fundit i Kur’anit, zbritur pra në fjalimin e fundit të Profetit Muhamed, ku Zoti vulos Islamin si të vetmen fe të pranuar prej tij, duke qenë njëherësh e vetmja fe e zbritur prej Tij. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re