VALENTINA MADANI/ Komisioni Evropian publikoi dje progres-raportin për Shqipërinë, duke apeluar për dialog politik dhe luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Në dokumentin prej 148 faqesh skanohet e gjithë situata në Shqipëri duke nisur nga zgjedhjet, parlamenti, sektori i ekonomisë, bujqësia, media e shoqëria civile, duke vlerësuar se çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar për të pasur të njëjtat standarde si vendet anëtarë të Bashkimit Evropian.

Progresraporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë vë theksin te polarizimi i skenës politike në vend për shkak të përçarjes së opozitës. Në raport me betejën e opozitës në parlament, Brukseli u jep të drejtë deputetëve demokratë në kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.

“Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të nisur komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”, – thuhet në raportin e KE-së. Raporti i Komisionit Europian ka vënë në dukje konfliktet e krijuara mes mazhorancës dhe opozitës, për shkak të punës së bërë nga Komisioni i të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Opozita pretendoi se Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka arritur asnjë rezultat kërkoi riformatimin e tij, por kërkesa nuk u pranua nga mazhoranca. Komisioni Europian iu ka bërë thirrje palëve të përfshihen në një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

“Pavarësisht krijimit të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”, – thuhet në raport progresin e Komisionit Europian. Në raport nuk janë përfshirë ngjarjet e fundit në parlament, por situata e tensionuar në fillimin e këtij viti dhe Brukseli vëren se është i paprecedent përjashtimi i 23 deputetëve në harkun kohor të një muaji.

“Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji”, – thuhet në dokumentin e KEsë. Për Brukselin, korrupsioni mbetet shqetësimi kryesor për Shqipërinë edhe pse komisioni evropian njeh arritjet e SPAK-ut ne lidhje me çështjen e inceneratorëve.

“Në çështjet me profil të lartë, gjykatat e posaçme dhanë dënime penale; veçanërisht dënimi i një ish-ministri të Mjedisit me 10 vite burg dhe një deputeti me 4 vite burg si pjesë e një hetimi për kontratat koncesionare për trajtimin e mbetjeve. Një ishzëvendëskryeministër u akuzua nga SPAK për vepra penale përfshi edhe korrupsion pasiv; si pjesë e hetimit për çështjen e inceneratorëve”, – thuhet në raport.

Por pavarësisht këtyre rezultateve, Brukseli kërkon që të vazhdojë hetimi dhe dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë. “Korrupsioni është i përhapur në shumë aspekte të jetës publike dhe biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një impakttë kufizuar. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivelet e larta mbetet një prioritet i rëndësishëm për të goditur më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”, – thuhet në raport. Në raporton thuhet se mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar. “Skena politike vazhdoi të karakterizohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare. Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar”, – thuhet ndër të tjera në raport.

Brukseli tërheq vëmendjen për ligjin që legalizoi kanabisin për qëllime mjekësorë, duke i kërkuar shtetit të marrë masa për të ndaluar që kanabisi të shitet për qëllime të tjera. Gjithashtu Komisioni Europian thekson se Shqipëria do të jetë në monitorim për çdo iniciativë të mundshme që lidhet me amnistinë fiskale. Vlerësimin më të mirë Shqipëria e ka marrë në marrë në politikën e jashtme ku vlerësohet linjëzimi i plotë me Bashkimin Evropian. Vlerësime pozitive vendi ynë ka marrë edhe për marrëdhëniet me fqinjët, por megjithatë progres raporti ka vënë në dukje problemet e krijuara me Greqinë pas arrestimit të kryetarit te zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri.

“Masa e paraburgimit për një kryetar të zgjedhur bashkie që i përket minoritetit grek, gjyqi për të cilin nisi në 14 shtator me akuzën për blerjen e votave, është bërë shkak për tensione mes dy vendeve”, – citohet raporti.

Pavarësisht se Komisioni Evropian rekomandon zhvillimin e konferencës së dytë ndërqeveritare; vendimi final u përket vendeve anëtare të BE. Për shkak të çështjes “Beleri”,

Greqia ka paralajmëruar bllokimin e procesit të integrimit për Shqipërinë dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, kur Këshilli Evropian të shqyrtojë vendimin për Shqipërinë. Ndër të tjera në faqen 74 të progres raportit trajtohet mbrojtja e interesave financiare të BE-së. Në këtë pjesë u kushtohet vëmendje hetimeve të përdorimit të fondeve të IPARD II. Shqipërisë i kërkohet të përmirësojë bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet si dhe të hartohet një strategji kombëtare kundër mashtrimit.

“Shqipëria duhet të përmirësojë bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet. Në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. Megjithëse bashkëpunimi për hetimet është përmirësuar, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj në zhvillimin e një historie solide në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, asistencë efektive operacionale për hetuesit nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) në mënyrë që ata të mund të delegojnë plotësisht detyra e tyre në kryerjen e një kontrolli në vend në përputhje me Rregulloren (BE, Euratom) Nr. 883/ 2013 dhe Rregulloren (KE, Euratom) Nr. 2185/1996”, – thuhet në raport. Shqipëria është vend kandidat për në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Në vitin 2018, Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë pa kushte. Në mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, ndërsa në fund të korrikut 2023 doli raporti i parë “Screening”.

DISA NGA GJETJET NË PROGRES-RAPORTIN E KE-SË

Kriteri politik, zgjedhjet lokale më 14 maj 2023 u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë. Vëzhguesit i vlerësuan ato si të miradministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë. Shqetësimet lidhen me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit dhe pretendimet për blerje votash. U regjistrua një pjesëmarrje e ulët prej vetëm 38.2%.

Skena politike vazhdoi të karakterizohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare. Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdoi, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi. Emërimet në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar me të nëntë gjyqtarët në detyrë, nga të cilët tetë me mandat të plotë 9-vjeçar

SPAK arriti rezultate të mëtejshme dhe kryeprokurori i ri i posaçëm u zgjodh në dhjetor 2022 pas një procesi të shëndoshë. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe aksesi në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i dosjeve të pazgjidhura, që mbetet veçanërisht i lartë në Gjykatat e Apelit dhe të shkallës së parë.

Është bërë progres në adresimin e vendeve vakante të gjyqësorit nëpërmjet betimit të 40 magjistratëve të rinj në tetor 2023. Vlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka vazhduar të ecë me ritme të kënaqshme. Deri më 6 tetor, 57% e dosjeve të vetingut të përpunuara kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje apo përfundime të mandatit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re