Me pretendimin se ishte jashtë vendit, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti refuzoi dy ftesat që mori nga presidenti Hashim Thaçi për tu takuar për mandatimin për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Por dje në orën 19:00, një orë para kohës që Thaçi ia kishte caktuar për takimin e dytë, Kurti u shfaq në pritjen e fundvitit që Vetëvendosje kishte organizuar për gazetarët.

Nga aty ftesat e Hashim Thaçit, Albin Kurti i cilësoi si të gjimnazistëve.

Kurti: Unë dua që të jem plotësisht i informuar drejt që të jem në dijeni të kontekstit me qenë se për shkak të këtyre negociatave nuk kam mundur që të merrem me çështje të tjera, që janë jo më pak të rëndësishme, por shikoni takime sot për sot caktojnë gjimnazistët.

Ne duhet t’i marrim seriozisht funksionet tona shtetërore, me rastin më të mirë paradoksalisht, takime sot për sot, figura shtetërore, caktojnë kur ka ose luftëra ose fatkeqësi natyrore, mirëpo falë Zotit ne nuk i kemi asnjërën prej tyre.

Kreu i Vetëvendosjes tha se do të duhej që 2-3 ditë para takimit të marrë ftesën nga Presidenti, duke shtuar se ky veprim i Kreut të Shtetit është sjellje ekstreme.

Kurti: Pra as nuk kemi luftëra, as nuk kemi fatkeqësi natyrore dhe as nuk jemi gjimnazistë, do të duhej që së paku dy tri ditë, ftesa të dërgohet para takimeve. Sjellja e këtillë ekstreme prej vonesave të stërzgjatura tek nxitimet absurde për takime sot për sot me dy ftesa të një pas njëshme, mendoj se janë njësoj gabim.

Megjithatë, edhe pas dy ftesave që mori dje nga Hashim Thaçi, Albin Kurtin zgjodhi të pijë verë të kuqe së bashku me gazetarët e mediave të ndryshme të Kosovës.

I pranishëm ishte dhe kryeparlamentari i sapozgjedhur, Glauk Konjufca. Në festë ra në sy edhe pjesëmarrja e gazetarit Berat Buzhala.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re