Nga Blendi Gashi

Pyetjet parlamentare janë një nga mekanizmat përmes së cilave deputetët ushtrojnë rolin e tyre mbikëqyrës ndaj ekzekutivit. Rregullorja e Kuvendit parasheh 60 minuta kohë për pyetje parlamentare për çdo seancë. Deputetët mund të parashtrojnë deri në dy pyetje brenda një seance.

Për periudhën shtator – mars të kësaj legjislature, prej 120 deputetëve vetëm 45 prej tyre kanë parashtruar pyetje parlamentare, ndërsa 75 të tjerë jo.

Prej 45 deputetëve që kanë parashtruar pyetje, 12 janë nga LDK dhe LVV,  8 janë nga PDK, 5 nga GDP, 4 nga AAK, 2 nga NISMA, dhe nga 1 pyetje nga LS dhe 6+.

Gjithsej janë parashtruar 159 pyetje parlamentare, prej të cilave 99 (62 %) kanë marrë përgjigje kurse 60 (38 %) janë refuzuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar.

Pjesa më e madhe e pyetjeve parlamentare janë parashtruar nga opozita, më konkretisht nga VV-ja, e cila ka parashtruar 52 pyetje parlamentare, e pasuar nga LDK-ja me 45 pyetje, GDP-ja me 25 pyetje, për të vazhduar më tutje me pozitën ku PDK-ja ka parashtruar 21 pyetje parlamentare, AAK me 10 pyetje, NISMA me 4 pyetje dhe SL- dhe 6+ me nga 1 pyetje.

Pse ky pasivitet?

Deputetët për këtë pasivitetet fajin ja lëjnë mungesës së kabinetit qeveritar në seanca, por ka edhe prej atyre ligjvënësve që fare nuk i shohin të dobishme këto pyetje, duke thënë se janë humbje kohe.

Naser Rugova, deputet i LDK-së, jep këtë shpjegim.

“Ka me dhjetëra deputetë që kanë bërë pyetje por nuk kanë pasur rast t’ua adresojnë ministrave dhe të marrin përgjigjet. Personalisht kam pyetje që një muaj që e kam proceduar përmes administratës dhe ministri i caktuar në dy seancat e fundit s’ka qenë fare. Kjo tregon një papërgjegjshmëri”, thotë Rugova për tesheshi.com.

Ganimete Musliu, deputete PDK-së, në një nga seancat ka thënë se fajin e ka ekzekutivi pse deputetët janë pasivë.

“Mendoj që problemi nuk qëndron tek deputetët. Duke u nisur nga përvoja që unë kam dhe kam bërë bukur shpesh pyetje parlamentare, prej tyre mbi 80 për qind nuk kanë marrë përgjigje në Kuvendin  e Kosovës. Normalisht që humb edhe motivi sepse ne po bëjmë pyetje por po flasim vet me vete në njëfarë mënyre, përderisa ministrat po ngurrojnë që të vijnë dhe të japin përgjigje”, ka thënë Musliu.

Enver Hoti, deputet i NISMA-s, pyetjet parlamentare i sheh pa ndonjë efekt.

“Nuk zgjidhin asgjë, janë veç rutinë, pa përmbajtje. Vendi ka nevojë për qëndrime serioze dhe jo të humbet kohë me pyetje tilla. Vlerësoj se ministrat s’duhet të humbin kohë dhe të përgjigjen në këto pyetje”, thotë Hoti për tesheshi.com.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se personalisht s’ka problem me marrjen e përgjigjeve nga ekzekutivi për pyetjet që parashtron, ndërsa tregon procedurën lidhur me këtë çështje.

“Pyetjet dorëzohet 48 ore para mbajtjes së seancës plenare dhe nëse ministri s’është pyetja bartet në seancën e radhës dhe nëse sërish mungon ministri, është obligative që deputetit t’i ipet një përgjigje me shkrim. Personalisht nuk kam pas problem, deputet mund të shtrojnë pyetje dhe ata i marrin përgjigjet edhe me shkrim”, thotë Kadrijaj për tesheshi.com.

Korab Sejdiu, deputet i pavarur, si arsye kryesore të mos shtrimit të shumë pyetjeve parlamentare ndaj ekzekutivit e sheh mungesën e kabinetit qeveritar në punimet e Kuvendit.

“Nuk e marr të drejtën të flas për punën apo mospunën e deputetëve. Të gjithë ne që jemi të interesuar të shtrojmë pyetjen parlamentare kemi kufizime. Ka një mungesë serioze të ministrave dhe vet kryeministrit në seanca, çka pyetjeve po ju humb aktualitet, pra po ju tejkalon koha”, thotë Sejdiu për tesheshi.com.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re