Është një ditë e zhurmshme dhe plot trafik në Tiranë, tamam qershor. Po nisemi drejt Beratit, koha është tipike, me diell të nxehtë, duke dueluar me retë për të dalë në pah, me një erë të lehtë me drejtim veri-jug, si për të na treguar se nga duhet të ikim.

Rruga kalon shpejt dhe në një moment një tabelë e madhe në autostradë na lajmëron, “Të dashur udhëtarë, Berati është 45 km larg”.

Është mesi i verës dhe Tomori hijerëndë është akoma i zbardhur. Nga larg është orientuesi kryesor për në Berat. “Berati është ndër të vetmet qytete që unë kam parë në jetën time, me “far natyral” shprehej udhëtari anglez Hobhauz. Thonë se projekti i arkitektëve italianë në vitet 30-të, ka qenë për një Berat që do të shtrihej deri në qytezën e sotme, Ura Vajgurore madje edhe deri edhe në Kuçovë, për të krijuar një qendrat më të mëdha të Shqipërisë dhe Ballkanit.  Edhe sot për nga vendosja që kjo qytezë ka, duket se shërben si një portë prezantuese për Beratin, një portë e keqe në fakt, e ndotur, pa infrastrukturë dhe që sa herë lumi Osum “zemërohet”, dufin fillimisht e nxjerr në këtë qytezë. Por edhe kjo qytezë e vogël e ka një histori të vetën që e bën egzotike. Në fillim ajo është krijuar si një vendbanim i komunitetit vlleh të cilët për nga kushtet e favorshme natyrore  vendosën që të krijojnë aty një vendbanim të tyrin të përherëshëm. Por zona në fakt,  për shkak të rrjedhjeve të gazit, kundërbonte një erë të rëndë dhe kishte bërë që nga banorët e zonave përrreth të thirrej me emrin “Qelbësirë”. Por  një hispotezë që ka dalë së fundmi, thotë se “ish-Qelbësira”, sot Ura Vajgurore duhet të marrë emrin e një vendbanimi të lashtë antik aty pranë, Dimal.

Brenda pak minutash gjendemi në Berat dhe prezantimi i parë është me lagjet Mangalem e Goricë, aq  shumë të rëndësishme për  këtë qytet.

Një qytet si Berati i ndarë në mes nga një lum sigurisht që pjesë tejet të rëndësishme të tij ka urat që e lidhin atë, dhe më e bukura në Berat është ura e Goricës, tashmë e rikonstruktuar.

br_5.png

Ura e Goricës është ndërtuar fillimisht në vitin 1780 sipas dokumentave osmane, por që më pas do të rindertohej dhe do të shëndrrohej në një urë të gurtë (pak a shumë në formën e sotme), nga pashai i sanxhakut të Beratit Ahmet Kurt Pasha. Pavarsisht se themelet e kësaj ure, datojnë në këtë shekull mendohet se ura që lidhte dy anët e Osumit ka egzistuar edhe më herët, që kur ka lindur dhe nevoja për komunikim mes dy lagjeve Goricës dhe Mangalemit. Si çdo gjë tjetër në Berat, edhe ura mistike mbi Osum, të bën ta sodisësh për minuta dhe orë të tëra duke dashur ta zbulosh të gjithën. Një strukturë e çuditëshme në brigjet e lumit Osum, e ka cilësuar gjatë udhëtimit të tij në Berat Elvia Celebia. Një legjendë thotë se në një nga këmbët e urës së Goricës ka qenë një zgavër në të cilën sipas mitit burgosej dhe flijohej një vajzë për të mundsuar që ura të qëndronte e fortë dhe ti rrezistonte fursisë së Osumit të “zemëruar” gjatë dimrit. Legjenda thotë se zgrava ka ekzistuar deri afër fare në vitin 1923, kur dhe i është bërë një rikonstruksion urës.  Ndërkohë sa i përket ndërtimit dhe strukturës së saj, vlen të përmendet se kjo urë në fillim ka pasur 9 harqe  ndërsa sot,  pas disa rindërtimesh dhe rikonstruksionesh ka mbetur vetëm me 7 të tilla.

Në Berat, mund të duket e çuditëshme, por historitë janë  në “konflikt” me njëra tjetrën, se cila është më e bukur nga tjetra, e tillë është dhe historia e urës së Velabishtit me urën e Goricës.  Kur Auberi Herbert kaloi në krahinën e Beratit ai u ndal përballë një ure që e surprizoi për nga arkitektura, vendosja dhe mjeshtria e ndërtimit, nga ato që kishte lexuar më herët historiani i famshëm mendoi se ishte në urën e Goricës, por shoqëruesit i thanë se nuk është ura e Goricës por ajo e Velabishitit. Kjo urë në periferinë e sotme të qytetit të Beratit u ndërtua në vitin 1764 nga sundimtari i pjesës më të madhe të trevës së Beratit në atë kohë Ismail Pashë Velabishti, i cili në histori njihet si njeriu i cili tentoi të bënte qytet Velabishtin dhe të zhvendoste qëndrën administrative pikërisht këtë fshat përballë Beratit. Dhe si pjesë e këtij projekti të tij, ishte ndërtimi i një ure e cila duhet të ishte sa më shumë e ngjashme me urën e Gorcës duke tentuar që të merrte dhe rëndësinë e saj, që në fakt nuk e mori asnjëherë.

br_4.jpg

Mund të flasësh gjithë ditën për urat e Beratit, apo shumëçka, të ndërtuar në rrjedhën e kohës në këtë qytet, por që të evitosh lajtmotivin e të gjitha këtyre ndërtimeve, do të ishte pa kuptim. Ky motiv pa dyshim që është Kalaja e Beratit, (ajo që shohim sot) është një kala mesjetare e ndërtuar në themelet e një kalaje dhe vendbanimi antik, ku kanë pasur qendrën e tyre fisi Ilir i Dasedaretëve. Kalaja e Beratit vazhdon të banohet që prej më shumë se 2400 vjetësh, duke e bërë atë një nga vendbanimet e rralla ku jeta nuk është ndërprerë për më shumë se 2400 vjet. Në antikitet kalaja ishte një vendbanim proto-urban dhe tejet startegjik, për shkak se ndodhet në një kodër gati 200 metra mbi nivelin e detit dhe pozicion dominues mbi të gjithë fushën e Myzeqesë, me fushëpamje deri në detin Adriatik.

br_3.jpg

 

Kalaja si ndër të paktat, në llojin e saj ka patur 24 kulla vrojtimi. Këto të fundit më së shumti janë ndërtuar në periudhën e zotërimit të kalasë nga perandoria Osmane. Muri mbrojtës rrethon kodrën, e cila dominon qytetin modern të Beratit dhe ka formën e një shigjete drejtuar nga veriu, në fakt, më parë formonte një zinxhir me kodrën përballë Goricës. Kjo vendosje  e kalasë besohet se është për shkak të kushteve atmosferike dhe të përballimit të tyre me sa më shumë sukses. Në tërësi kalaja i ka rrezistuar planimetrisë dhe strukuturës së saj fillestare, me ndryshime të vogla. Disa nga ndryshimet që mund të vërehen më lehtë janë muret në pjesën jugore ku dallohet lehtë, se për nga gdhëndja gurët i përkasin epokës antike por se janë përdorur për ndërtesa të periudhës mesjetare, kjo tregon edhe njeherë për vazhdimsinë e pandërprerë të jetës në këtë kala.

brati-kalaja_ajri_2.jpg

Kur gjithë këtë histori madhështore e ke mësuar nga librat, është pak e vështirë që të përballesh me realitetin, i cili të ofron mure të pushtuar nga barishtet, gurë të rrëzuar nëpër tokë, mbeturina të hedhura gjithandej. Përballë kësaj situate një mendim të vjen në mend, çfarë ka bërë kjo kala, këto gurë dhe gjithë historia që ato mbartin që të meritojnë këtë trajtim barbar.

E njëjta atmosferë trishtimi për të tashmen dhe mallëngjimi për të shkuarën, të shoqëron edhe kur vërtitesh rrugicave të ngushta të Mangalemit dhe Goricës apo edhe në brendësi të banesave në lagjen Kala. “Na kanë lënë në mes të katër rrugëve dhe nuk po dimë nga t’ja mbajmë. Nga një anë është trashgimia e prindërve dhe të parve tanë, nga ana tjetër janë kushtet e këqija ku janë katandisur këto ndërtesa”, kështu na thotë nënë Sofka, që ka lindur në lagjen Mangalem dhe fati e deshi që të martohej në lagjen Goricë. Ngado sheh pleq të cilët duket sikur thonë, qëndroni këtu 1 orë dhe ikni se do ti neverisni këto lagje dhe këto rrugica të gurta. Mangalemi dhe Gorica janë nga ato lagje karakteristike që mund ti gjesh vetëm në Berat dhe Gjirokastër. Lagjet dhe historiku i krijimit të tyre ka detaje të bukura. Ato janë të ndërtuara  në kohën kur qyteti po merrte një lulëzim dhe lindi nevoja që të zhvillohej përtej mureve të kalasë. Fillimisht mendohet se të parët që dolën nga kalaja ishin artizanët dhe zejtarët e ndryshëm. Nga studimet e shumta për  këto dy lagje është dalë në përfundimin se lagja e parë që  është ndërtuar është Mangalemi, kjo për shkak edhe të afërsisë së saj me kalanë por edhe të terrenit, shumë të thyer.

4894489_max.jpg

 

Mangalemi është e vendosur përgjatë një kodre shkëmbore dhe me një pjerrësi të frikshme për të banuar. Pikërisht kjo e fundit pjerrësia dhe rrugicat e ngushta në mes të shtëpive kanë mahnitur dhe besfasuar të gjithë ata që vijnë në Berat, për shkak të vështirsisë inxhnierike për të ndërtuar aty dhe në mënyrë aq perfekte. Por nuk është vetëm ndërtimi, befasues në Mangalem edhe sistemi urban i lagjes është mbreslënës, të gjitha kanalizimet janë të ndara dhe të izoluara. Gjithashtu në lagje në kohën e krijimit të saj bëhej i mundur furnizimi me ujë me rrjedhje të lirë.

caption.jpg

 

Ndërsa lagja Goricë, përballë kodrës së kalasë është disi më ndryshe. Ajo është e vendosur në një kodër me terren pak më të butë. Ajo, për të mos thënë fare, shumë pak rrihet nga dielli i cili lagjen përballë e zhurit përgjatë gjithë verës.

Turistët kur vijnë në Berat kanë njohuri paraprake për kalanë, dhe qytetin në tërësi, por Berati ka gjithmonë histori dhe pika që befason çfarëdolloj turisti nga akademiku e deri tek turistët e thjeshtë që zgjdhin ta vizitojnë atë. Njëra nga historitë më të bukura është legjenda e betejës mes Tomorrit e Shpiragut për kalanë, që shpjegonte formën e malit, për ata që e mësojnë në Berat këtë legjendë, e vendosin në rangun e tregimeve epike Helene. Nëse do të bëjmë një krahasim të objekteve më të vizituara në këtë qytet, sigurisht që asnjë pikë tjetër nuk mund të rivalizojë kalanë legjendare. Por ka edhe pika të tjera që nuk ngelen pas, dhe një nga ato është dhe muzeu mesjetar “Onufri”.

1391856832-onufri_foto-2.jpg

Të vjen të vësh duart në kokë kur sheh që muzeu i artistit të madh mesjetar Onufri është mbuluar nga pluhuri. Është shumë e vështirë që të gjesh aty të kuqen magjikë të Onufrit, pasi më lehtë mund të gjesh drynin e derës i cili siguron që ajo të jetë e mbyllur mirë. Në kishën ku është i vendosur ky  muze mendohet se për një kohë të gjatë, përgjatë luftës së dytë botërore është mbajtur fshehur një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria siç janë Kodikët e Beratit. Këta kodikë të shkruar me gërma të arta në mesjetë, u mbrojtën me fanatizëm nga beratasit gjatë gjithë kohës duke i mbajtur ato si njëra ndër gjërat më të çmuara që ky qytet ka.

Duke parë këtë gjendje sidomos të pjesës muzeale Mangalemit dhe Goricës, natyrshëm  përbrenda të lind një pyetje.  Po turistët pse vijnë këtu? Kjo është një pyetje e vështirë për t’ja gjetur përgjigjen në fakt, si shumë gjera të tjera që Berati nuk u jep përgjigje.  Për shumë që merren me agjencitë turstike, përgjigjja është e thjeshtë, “Berati është egzotik, janë të pakta, për mos të thënë nuk ka qytete si ky në Europë”. Qyteti ka njohur një bum turistësh mënjëherë pas vitit 2008, kur u antarësua në UNESCO. Por përveç kësaj arsyeje ka patur edhe faktorë të tjerë të cilët kanë bërë që Berati të rrisë ndjeshëm numrin e turistëve. Ndërkohë vlen për tu theksuar se tashmë turizmi për qytetin e Beratit është kthyer në një degë shumë të rëndësishme të ekonomisë, pasi janë të shumta familjet që sigurojnë të ardhurat e tyre vetëm nga turizmi.

berati.jpg

Pas një ditë duke ardhur vërdallë nëpër Berat, nuk do ishte mirë që mos të kalojë njëherë mga ura e Varur, ku ke mundësinë që ta shohësh më gjerë si qendrën historike të Beratit por edhe atë moderne. Kjo urë shfrytëzohet dhe gjatë gjithë kohës, por kënaqësinë më të madhe ajo ta fal në mbrëmje kur sipër saj mund të shijosh një pamje të magjishme të kalasë, lagjeve dhe gjithë Beratit në tërsi në dritën e neonëve. Me idenë se nxorëm e zbuluam disa të fshehta nga pafundësia e Beratit, por edhe më pengun se lamë shumë të tjera pa i prekur, largohemi nga ky qytet, që në ikje të imponon të largohesh me kokën mbrapa dhe dëshirën për tu kthyer sërish sa më shpejt. / për newsbomb.al

foto_berat.jpg

newsbomb.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re