Pas suksesit që formati “Gëzuar me ju” pati në mbrëmjen e ndërrimit të viteve 2023-2024, programi nis këtë të hënë rrugëtimin e tij në News24 për të qenë pranë teleshikuesve përgjatë gjithë sezonit, çdo të hënë, në orën 23:00.

Ky format i ri me moderatore Ola Brukon dhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, vjen pasi ata për tre sezone realizuan së bashku me shumë sukses programin “Dola te Ola”.

Të ftuarit specialë të kësaj mbrëmje ishin nxënësit e talentuar të Liceut Artistik, të shoqëruar nga drejtoresha dhe disa prej mësuesve të shkollës. Me rastin e 14 Shkurtit, nxënësit e Liceut vunë në skenë operën “Dasma e Figaros” nga Mozart, të cilën e realizuan më së miri, (pjesë nga ky realizim u interpretuan edhe gjatë programit “Gëzuar me ju”).

Në dy pjesët e para të programit u fol me detaje për operën “Dasma e Figaros”, ndërkohë që në pjesën e tretë dy nga nxënëset e Liceut zgjodhën të performojnë dy këngë shumë të bukura baladën “Ajër” dhe këngën “Paris”. Me zërin e tyre dy nxënëset krijuan një atmosferë shumë të bukur në studion e “Gëzuar me ju”.

Gjatë gjithë programit të ftuarit realizuan një bashkëbisedim të bukur e të vlefshëm, i cili mbartte art të vërtetë. Programi i kësaj të hëne është vetëm fillimi, pasi të tjerë në vijim do t’u dedikohen talenteve të reja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re