E ndërtuar në vitin 1928, lulishtja e Çelepiasit u ngulit për dekada në identitetin e banorëve të qytetit të Beratit, por një projekt i kushtueshëm prej 654 mijë eurosh në kuadër të Rilindjes Urbane rrafshoi pishat shekullore dhe lulet dhe i zëvendësoi kujtimet e banorëve me gurë dhe rrugica betoni.

Autor: Erjola Azizolli | BIRN |

Stavri Toli e vizitoi për herë të parë Beratin kur ishte 5 vjeç dhe shoqëronte gjyshin tregtar. I moshuari kujton thuajse shtatë dekada më vonë se i mbeti në atë kohë ndër mend një lulishte me pisha të gjata, lule dhe pistë vallëzimi, ku fëmijët luanin dhe të rriturit kalonin mbrëmjet e tyre.

‘Mbaj mend që lulishtja ishte gjëja më e bukur e qytetit, e gjelbëruar, me lule pa fund, me stola, me lodra për fëmijë, me pistë kërcimi,” kujton 74-vjeçari për BIRN.

Tani pensionist, Stavri Toli bashkë me mikun e tij Qirjako Dorri kalojnë çdo ditë kohën në të njëjtin vend, në atë që njihet si lulishtja “e Çelepiasit”, por asgjë rreth e rrotull nuk ngjason më me kujtimet e gjalla të fëmijërisë.

E ngulitur thellë në identitetin e qytetit të Beratit, lulishtja “e Çelepiasit” në lagjen “Dëshmorët e Kombit” u krijua në vitin 1928 mbi një sipërfaqe toke ku më parë kishin qenë varrezat e myslimanëve. E ndërtuar me drurë dekorativë, lule shumëngjyrëshe, pistë vallëzimi dhe një fushë tenisi, ajo u kthye shumë shpejt në zemrën e qytetit dhe është fiksuar në fotografitë dhe kujtimet e shumë brezave të rritur në Berat.

Lulishtja u ruajt edhe gjatë komunizmit me përjashtim të dy tyrbeve dhe mekamit-që siç kujton studiuesja dhe koleksionistja e fotografisë, Parashqevi Sahatçi, u prishën në vitin 1967-kur Shqipëria e shpalli veten shtet ateist. Një objekt tjetër kulti u përdor si klub deri në vitet ’90 dhe më pas u la në harresë.

“Kjo hapësirë ishte pjesë e modernizimit të qytetit të Beratit…Në atë kohë nuk kishte në Berat  vende dëfrimi, shëtitjeje apo kopshte popullore ndaj dhe ndërtimi i lulishtes u diktua nga koha”, thotë Sahatçi për BIRN.

Lulishtja i mbijetoi edhe trazirave të dhunshme të vitit 1997, por një investim i realizuar gjatë vitit 2015 si pjesë e projektit të Rilindjes Urbane e transformoi totalisht atë, duke e zhveshur nga pishat shumëvjeçare, hapësirat e gjelbra dhe lulet brenda saj.

Një trung pishe i prerë në mesin e parkut “Dëshmorët e Kombit” në Berat. Foto: Eriola Azizolli.

Projekti për rikualifikimin dhe rikonstruksionin e parkut “Dëshmorët e Kombit” kushtoi 81.2 milionë lekë [654 mijë euro] dhe u financua nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve si pjesë e programit Infrastruktura Vendore dhe Rajonale.

Punimet nisën në prag të fushatës për zgjedhjet lokale të qershorit 2015 nga kompania “Salillari”, ndërkohë që projekti parashikonte sistemimin e trotuareve, kanalizimin e ujërave, vendosjen e stolave dhe ndërtimin e një shatërvani në qendër të parkut. Por dhjetë ditë pas nisjes së punimeve, banorët e lagjes protestuan dhe denoncuan dëmtimin e pishave dhe gërryerjen e rrënjëve të tyre.

“Ne këtu qëndrojmë gjithë paraditen, çdo ditë në lulishte dhe kur u bënë punimet këtu ishim. Pamë se si u gërmua aq shumë afër pishave sa njëra ra, të tjerat u thanë,” thotë Qirjako Dorri ndërsa qëndron ulur në njërin prej stolave të parkut.

“Dolën shokët tanë në televizor në atë kohë, të gjithë ngritëm zërin se pishat u prekën nga rrënjët dhe se do të thaheshin, por askush nuk na e vuri veshin ne pleqve,” shton ai.

Pishat shekullore u kishin rezistuar kohëve, por 13 prej tyre nisën të thaheshin pas dëmtimit të rrënjëve nga gërmimet.

Më 6 korrik 2017, Zyra e Shërbimeve dhe Emergjencave Civile pranë Bashkisë së Beratit, në bashkëpunim me specialistët e gjelbërmit morën vendimin për të prerë shtatë nga pishat e thara për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm në jetë njerëzish.

Për studiuesin dhe njohësin e bimëve, Demokrat Keli tharja e pemëve ishte e paralajmëruar.

Me të u bashkuan organizatat mjedisore, shoqëria civile dhe banorë të lagjes, por alarmi ra në vesh të shurdhër dhe punimet vazhduan rrugën e tyre.

“Pisha ka rrënjë shumë të thella dhe dihet që ushqimin e merr pikërisht nga rrënjët e saj. Në momentin që rreth rrënjëve gërmohet, punohet pa asnjë kriter, pema tronditet dhe nuk ushqehet më, kështu ajo nis të thahet,” tha Keli për BIRN.

Ish-kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi i cili ka firmosur kontratën e projektit i tha BIRN se kompania sipërmarrëse ishte gjobitur në vitin 2015 për dëmtimin e një peme.

‘Në vitin 2015, firma sipërmarrëse u gjobit me një gjobë, pasi gjatë punimeve një pemë u rrëzua,” kujton Nasufi, i cili e dorëzoi mandatin po në vitin 2015.

Për dëmet e tjera mjedisore që pasuan punimet u mbyllën sytë dhe sot projekti konsiderohet një çështje e mbyllur nga bashkia e Beratit.

Tharja e pishave është shqetësimi kryesor, por jo i vetëm që banorët e Beratit kanë me parkun e ri të bashkisë.

Shatërvani i ndërtuar në kuadër të projektit të rikualifikimit të parkut, i cili nuk u vendos asnjë ditë të vetme në funksion. Foto: Eriola Azizolli.

Një shatërvan dikur plot hijeshi dhe me ujë në qendër të saj u zhduk gjithashtu, ndërsa zëvendësuesi i premtuar gjatë prezantimit të projektit në video 3D është sot një vaskë betoni e mbushur me pluhur, që s’u vu kurrë në punë.

Frekuentuesit e parkut nuk mësohet dot gjithashtu me zbrazëtinë që la pas mungesa e luleve apo e lodrave për fëmijë- çka e bënin lulishten të veçantë që prej krijimit të saj në vitin e largët 1928.

Por miqve pensionistë, Stavri Toli dhe Qirjako Dorri u mbetet të ngushëllohen me kujtimet e tyre.

“Pishat e thata vazhdojnë të na bëjnë hije, por këtu nuk ka më asnjë një lule, as shatërvan, as lodra për fëmijët. Vetëm pllaka, gurë dhe bar,” përfundoi Toli për BIRN./ reporter.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re