Në rubrikën tonë kushtuar figurave emblematike të ekipit Tomori, sot kujtojmë një nga mbrojtësit më të shquar të historisë së këtij klubi: Robert (Bert) Kokalari.
Të rinjtë ndoshta nuk e njohin emrin e tij, por kush e ka parë në fushë, e kujton mirë. I respektuar për karakterin dhe talentin e tij, Berti veshi fanellën e Tomorit për plot 15 vite, duke u bërë shtyllë e mbrojtjes në një nga brezat më të artë të futbollit beratas.
- Ai luajti krahas emrave të mëdhenj si Kovaçi, Arbëri, Mile, Matrapazi, Bakiri dhe shumë të tjerë.
Një fenomen unik për klubin ishte periudha kur në ekip luajtën pesë çifte vëllezërish. Berti luajti përkrah vëllait të tij, Arben Kokalarit, një tjetër lojtar i shquar i viteve ’80-’90.
Talentet e Robert Kokalari shpërthyen herët dhe ai u grumbullua plot 10 herë me Kombëtaren e Shpresave dhe Kombëtaren A. Megjithatë, biografia “e keqe” e kohës dhe ndikimi politik e penguan të kishte karrierën që meritonte. Gjatë ndeshjes kundër Greqisë më 30 tetor 1985, Berti qëndroi në pankinë, por nuk u aktivizua jo për arsye sportive, por për shkak të diktimit politik të regjimit të kohës.
Historia e tij ka marrë një kthesë të vonuar, por të merituar. Në korrik të vitit 2022, Robert Kokalari u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, si një njohje për meritat dhe një lloj kërkese faljeje për padrejtësinë që i bëri regjimi i kaluar ndaj një prej mbrojtësve më të mirë shqiptarë të kohës së tij.
Edhe pas përfundimit të karrierës si lojtar, Berti vazhdoi të kontribuonte në futboll, si zëvendëstrajner i Tomorit. Ai ktheu gjithmonë te skuadra që e deshi dhe e respektoi, duke iu bashkuar komunitetit të pasionuar të futbollit beratas.
Robert dhe Arben Kokalari janë më shumë se thjesht emra në historinë e Tomorit. Ata janë pjesë e krenarisë së qytetit të Beratit dhe të trashëgimisë së futbollit shqiptar.
Burimi FK Tomori

