Portugali e ka siguruar tashmë kokën e Grupit F, por edhe në mbrëmjen e sotme përballë Gjeorgjisë së Kvaratskhelias do të kërkojë suksesin e radhës.Është kjo ajo që urdhëron trajneri Roberto Martinez në konferencën për shtyp, gjatë të cilës habit që në fillim: “Formacioni? E sigurt është që Kristiano Ronaldo do të luajë nga minuta e parë. E kam parë në formë dhe një si ai vetëm karikohet më shumë sa herë që luan. E kemi diskutuar së bashku këtë gjë dhe do të jetë në fushë nga minuta e parë. Pas vështirësive të ndeshjes së parë me Çekinë, mendoj se kemi ardhur në përmirësim e sipër dhe ndaj Gjeorgjisë duam të bëjmë një tjetër hap në konsolidimin e ideve tona të lojës, ndonëse është normale që disa zëvendësime dhe mund t’i bëj”.

Për sa i përket objektivit në këtë Europian, Martinez kërkon që të fluturojë ulët: “Unë e pata thënë që në konferencën përpara debutimit tonë se me vetë kam marrë 7 këmisha (po aq sa ndeshje duhen deri në finale). Nuk ka dyshime se ne jemi një ndër pretendentet për të provuar dhe synuar suksesin në këtë Europian, por për momentin bëjmë mirë që të mos mendojmë për trofeun, pasi jemi ende larg atij objektivi. Detyra jonë është që të vazhdojmë të fitojmë, ta mbyllim me pikë të plota grupin dhe më pas të presim se cilin do të kemi përballë. Është e kotë që t’i shtojmë presion vetes, duke parë se është ende shumë larg finalja e turneut, prandaj më mirë të përqendrohemi ndeshje pas ndeshjeje dhe mbi të gjitha të shfrytëzojmë çdo shans që të rrisim xhirot në motorin tonë”, tha Martinez.

Nga ana tjetër, edhe ylli i Gjeorgjisë, Kvisha Kvaratskhelia kërkon të shpresojë te kualifikimi: “Me Portugalinë do të jetë një ndeshje e vështirë, por për ne do të jetë një krenari. Gjithsesi, sido që të shkojë, në fund dua t’i marr bluzën Ronaldos, pasi e kam pasur ëndërr ta kem atë”, tha fantazisti i Napolit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re