Nga Valeria Dedaj

Aktori Ilir Bezhanit, i njohur si Sandri te “Pallati 176” rrëfen për Mërkur Bozgon, aktor dhe njeri. Sipas tij, ai kishte një butësi edhe melankoli, shoqëruar me një dozë ironi-komike, gjithmonë në një masë, që e bënte aktorë profesionist

Kanë kaluar dy javë nga dita, që aktori më i paqtë i teatrit shqiptar, Mërkur Bozgo, është shuar. E megjithatë, dëshira për ta rikujtuar, ashtu të thjeshtë dhe të urtë, siç shumë pak njerëz dinë të jenë në jetë, është e madhe nga miqtë, që e kanë njohur. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Ilir Bezhani rrëfen se, ikja e Mërkur Bozgos (1937-2017) nga kjo jetë, ka krijuar një boshllëk tek ai, që vështirë se mund të zëvendësohet më.

Për Bezhanin, ai do të mbetet një nga ata njerëz, që dinte të komandonte instinktet e verbra, drejt humanizmit, karakteristikë kjo, që në shoqërinë shqiptare është me pakicë. Organiciteti që e shoqëronte gjatë interpretimit në skenë, Mërkur Bozgon, bënte që loja e tij të ishte më serioze dhe e besueshme. Prandaj Bozgo do të kujtohet përherë jo vetëm për këtë, por edhe si një aktor, që në zhanrin e komedisë, tërë jetën e ndjeju veten, si në shtëpinë e tij.

Bezhani veçon për lexuesin edhe një nga rolet e tij, që shumë pak njerëz dinë që ai e ka luajtur. Bëhet fjalë për rolin e Jovan Bregut te “Pallatin 176”. Publiku njeh vetëm versionin, që rolin e Vanit e luan Roland Trebicka. Por këtë personazh e ka luajtur bukur dhe plot sharmë edhe Mërkur Bozgo, rrëfen Bezhani, i cili në këtë komedi (Pallati 176) luan rolin e Sandrit, sikundër dhe në versionin, që njihet nga publiku.

 

Zoti Bezhani, si e keni njohur aktorin Mërkur Bozgon, meqenëse ishit miku i tij?

Të thjeshtë, shumë i urtë dhe i paaftë për t’i bërë keq njeriu. Po ta ndajmë personalitetin e artistit në dy pjesë, artist dhe njeri, tek kjo e fundit, ai pa dyshim, që gjente vendin kryesor. Kishte vërtet një nivel njerëzor dhe shpirtëror, që s’besoj se konkurrohej në këtë fushë, prandaj kur këta njerëz ndahen nga jeta, shkaktojnë shumë dhimbje dhe trishtim.

 

Cilat ishin karakteristikat, që do donit t’ia imitonit atij?

Urtësinë, atë e kishte me shumë bollëk. Dhe kur ke arritur këtë nivel shpirtëror, që të komandosh tërë instinktet e verbra, drejt humanizmit, ky është triumfi i vërtetë njerëzor. Pra karakteristikë, që ne e kemi me shumë pakicë në Shqipëri.

 

Këto konsiderata ushqejnë edhe shokët e artit?

Kjo ka qenë pothuajse e imponuar tek ata, sepse ai ishte i aftë që ta bënte këtë, mirësisë i hap rrugë kushdo, besoj edhe njeriu i keq.

 

Në ç’raport qëndronte njeriu dhe artisti te Mërkuri?

Në ekuilibër të plotë, sepse çdo gjë që i mungon njeriut, e plotëson artisti. Ai kishte një butësi edhe melankoli, shoqëruar kjo me një dozë, ironi-komike. Por gjithmonë në një masë, që e bënte aktorë profesionist.

 

Më shumë luante në komedi apo dramë?

Ishte aktor i planeve, luante edhe komedinë edhe dramën, por në të tërën e tij, ai preferonte komedinë dhe e kishte më përzemër, edhe në këtë zhaner e ndiente veten, si në shtëpinë e tij. Kishte organicitet, përdorte bukur planin e dytë dhe mbi të gjitha, hallin e personazhit e kërkonte me ngulmë, sepse ajo i jepte seriozitet lojës, e bënte atë të besueshëm.

 

Mund të na thoni ndonjë?

Ju ndofta, se dini, por ai ka luajtur bukur edhe plot sharmë në komedinë e “Pallatit 176”, rolin e Jovan Bregut. Por, ngaqë u vendos ta luante ai grup që publiku e ka parë, nuk e dini se Mërkuri ka qenë shumë interesantë dhe mjaft ironik, duke mos prekur asnjë nuancë, përqeshje të rolit. Luante një karakter dembeli dhe batakçiu tepër të sinqertë dhe për këtë publiku e duartrokiste gjithmonë.

 

Ju flisni, profesionalisht edhe si mik, do t’ju mungojë…

E thashë njëherë, njerëzit e mirë si ai krijojnë tërmete tek miqtë, kur largohen nga kjo jetë. Boshllëku që ata lënë pas nuk mbushet kurrë, mbase në këto momente mund të jenë më pranë parajsës, se njerëz si ai, nuk e meritojnë atë.

 

A qëndron brezi i zotit Mërkur më serioz në marrëdhënie me artin?

Serioziteti ka qenë deviza e tërë atij brezi. Në këtë gjë, respekti për të duhet që të jetë i merituar.

 

A mendoni se artisti sot ka një lloj kaosi?

Nuk mund ta bëj dot këtë lloj prognoze, e thashë vet se kaosi nuk ka asnjë shpjegim, por që e kuptojnë të gjithë se i tillë është, këtë nuk është e vështirë që ta sqarosh. Artin e kanë vënë si kërkesë në pikën e fundit. Siç duket kërkesat shpirtërore të këtij kombi atë vend zënë.

 

Domethënë, ai luante në mënyrë shumë serioze, se sot na ka mbytur banaliteti?

Ishte elegantë, madje mund të thuash sharmant. Këtu kam parasysh edhe një komedi timen me titull, “Mysafiri i mallkuar”, ku ai luante rolin kryesor, të të zotit të shtëpisë. Një personazh pothuajse i shkruar për të. Plastika e tij pak e avashtë dhe e përgjumur, justifikonte plotësisht profilin e personazhit.

Komedia ishte një humor i zi, ku Mërkuri me psikofizikën e tij të krijonte një ndjesi keqardhjeje edhe melankolike, sidomos me skenat, kur ai i kërkonte familjes, që ta njihnin si baba dhe ata se pranonin.

Krijoheshin vërtet valë tronditëse në sallë, sepse luante me shumë vërtetësi njeriun e mirë “Buonaccio”, siç ai e kishte këtë fjalë, pjesë të fjalorit të tij. Siç duket tërë jeta e tij, prej një njeriu tepër të mirë, ishte shkrirë në substancë pikërisht brenda këtij personazhi fatkeq. Të mos harrojmë se ky karakter paraqiste shumë vështirësi për t’u interpretuar në planin tragjik-komik.

 

Mërkur Bozgo do të kujtohet, si aktor i planit komik

Mërkur Bozgo (1937- 2017) lindi në Gjirokastër. Mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë, në vitin 1971. Në vitet 1960-1968 punoi si aktor në “Estradën e Ushtarit”, më pas deri më 1975 në Televizionin Publik Shqiptar, redaksia e kulturës.

Më 1975 -1976 ishte regjisor në Cirkun e Tiranës, kurse në vitet 1976-1994 aktor në Teatrin Kombëtar, ku edhe doli në pension.

Numëron mbi 150 role, ndër to Mullisi në dramën “Gjëmimi i atij dimri” (1978) e Teodor Laccos, Folkalbi tek “Intrigë e dashuri” e Fredrih Shilerit (1979), Vani te “Pallati 176” e Adelina Balashit, në të cilin spikati aftësia e tij për të qenë i atypëratyshëm, i vërtetë dhe i besueshëm .Po e tillë ishte loja e tij edhe në mishërimin e rolit të Tobit te “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, falë të cilit aktori mbërriti në nivelet më të mira interpretuese.

Pas daljes në pension mishëroi të tjera role, si Ljapkin Tjapkin tek “Inspektori” (Revizori) e N.Gogolit (1988), Sadiku te “Sa mirë bëri që vdiq” (2001), Nako te “Mysafiri i mallkuar” (2003) të Ilir Bezhanit, shkrimtari te “Streha e të paharruarve” e Ruzhdi Pulahës (2004), Bakiu te “Korbi i bardhë” (2007 ) e Mihal Luarasit.

Mërkur Bozgo do të kujtohet, si aktor i planit komik, por edhe që ishte organik në skenë dhe jo i sforcuar. Gjatë interpretimit në skenë të binte në sy hijeshia e gjestit dhe përshtatshmëria me figurën. Herë-herë ka luajtur edhe role dramatike, në të cilat të tërhiqte vëmendjen me thjeshtësinë edhe ngrohtësinë emocionale.

.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re