Edhe pse një ditë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve shprehu bindjen se rreziku i përhapjes së koronavirusit është i ulët dhe vendi është në kushtet për të hapur, asgjë nuk ka ndryshuar nga regjimi i liridaljes për këmbësorët, automjetet dhe qëndrimi hapur i bizneseve në fundjavë.

Të shtunën dhe të sielën do të ndiqen të njëjtat rregulla, si fundjavën e kaluar kur ekspertët nuk kishin komunikuar besimin e tyre se situata është nën kontroll.

Pra me gjithë deklaratat se Shqipëria e ka kaluar rrezikun më të madh nga pandemia, kur vjen fundjava ky optimizëm nuk vlen.

Të shtunën të vetmet dyqane që do të jenë të hapura dhe kjo deri në pesë e gjysmë të pasdites janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë. Bizneset e tjera, kryesisht ato të vogla do të privohen nga xhiroja ditore duke përkeqësuar edhe më tej gjendjen e tyre ekonomike.

Lëvizjen e qytetarëve ekspertët e Komitetit Teknik e kanë menduar në dy orare. Vendimi i publikuar në faqen e Facebook-ut të kryeministrit Edi Rama, i ndan ata në dy grupe.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Deri në orën 09.30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10.30 deri në 17.30 prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç. 

Qytetarët mbi 14 vjeç shpresën se edhe ata mund të dalin fundjavën e ardhshme pa frikën se i kap policia, duhet ta mbajnë te numri i stabilizuar i pacientëve në dy spitalet Covid.

Në të kundërt do t’u duhet të presin në mirësinë e Komitetit Teknik të ekspertëve që thjesht njofton kufizimet por nuk jep asnjë argument pse disa kategori janë të lejuara e të tjera jo.

Të dielën ekspertët na urdhërojnë të qëndrojmë në shtëpi. As këmbë njeriu as qepen dyqani hapur. Këto kufizime vlejnë për qytetarët e Tiranës, Shkodrës, Krujës, Kurbinit,Durrësit dhe Fierit.

Atyre nuk u lejohet as të dalin dhe as të hyjnë në këto qytete. Për të ndaluar përçimin e virusit në hyrje të tyre do të vendosen postblloqe policie.

Në gjithë qytetet e tjera, në ato që cilësohen zona të gjelbërta, pasi aty nuk ka gjurmë të virusit, zgjatet orari i lëvizjes.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21.00

Qëndron në fuqi ndalimi i transportit urban, aktiviteteve kulturore dhe grumbullimi i më shumë se pesë personave në rruge apo parqe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re