Në shumicën e lajmeve atje, prej kohësh tashmë kryefjalë mbetet rreziku i një lufte të mundshme, një sulm i Rusisë në Ukrainë.

Por në Ukrainë ka dhe plot shqiptarë që jetojnë në fshatra e qytete të vendit. Njëri prej tyre, Aleksandër Lekhov, tregoi se përtej atyre që thonë lajmet, nuk është i shqetësuar. Sipas tij, situata tregohet më e keqe në media, seç është në të vërtetë.

“Tani, për momentin, nuk ka shumë probleme dhe frikë nuk kemi. Nuk e di çfarë do të ndodhë nesër ose pasnesër, por për sot nuk kemi kaq probleme sa tregojnë mediat”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë.

Aleksandri me te shoqen

Aleksandri jeton në fshatin Karakurt, i cili ndodhet në jugperëndim të Odesës (Ukrainë), njëkohësisht dhe larg zonave të ‘nxehta’ ku vendi është pushtuar nga ndjenjat e frikës dhe forca të shumta ushtarake.

 “Ne jetojmë në jug të Ukrainës dhe nuk ndihet diçka për luftë fare. Në të tjera anë të Ukrainës ndihet. Atje ka ushtarakë rusë apo të Ukrainës”, tregon Aleksandri.

Një tjetër shqiptar me origjinë si Aleksandri, është Maksim Kirçev (Maxim Kirchev), i cili jeton në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. 39 vjeçari dikur jetonte në Karakurt dhe kur flet me të, ai përdor një dialekt të vjetër të shqipes. Maksimi tregon se po mundohen të rrijnë të qetë dhe të mos krijojnë panik për shkak të gjendjes së tensionuar me Rusinë.

“Ne mundohemi të rrimë të qetë. Njerëzit, në përgjithësi, mundohen të mos bëjnë panik. Në Ukrainë është një thënie: Rrini të qetë dhe pastrojeni armën tuaj”, thotë Maksimi

Grupi i shqiptarëve i vendosur në Ukrainë u vendos kryesisht pranë Odesës, ndërsa të parët janë shpërngulur atje rreth 200 vite më parë, për t’i ikur atëbotë luftërave të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Aleksandr Dermentli

Aleksandër Dermentli, kryetar i Shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, tregon se të ardhurit shqiptarë në Ukrainë, prejardhjen më së shumti e kanë nga Korça.

 “[Shqiptarët] kanë ikur në një zonë të Maqedonisë [v.j. sot Maqedonia e Veriut] dhe më vonë në zonat e Rumanisë e Bullgarisë, ndërsa në fund kanë organizuar fshatin Karakurt në Ukrainë”, thotë Dermentli për Radion Evropa e Lirë.

Burimi: REL/ Përshtati me disa shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re