Gjuha e urrejtjes në mjedisin virtual tashmë është një fenomen në rritje edhe për shoqërinë shqiptare, ku fatkeqësisht nuk kanë munguar as rastet fatale që kanë shkuar deri në vetëvrasje apo konflikte të dhunshme mes bashkëmoshatarëve, të cilat kanë nisur në rrjetet sociale.

 

Në këtë kohë pushimesh, sociologët tërheqin vëmendjen që prindërit të komunikojnë më shumë me fëmijët e tyre dhe të kontrollojnë cilësisht kohën që ata i dedikojnë rrjeteve sociale.

 

ENTELA BINJAKU

 

SOCIOLOGE

 

“Mendoj që sot ne i kemi lënë fushë shumë të lirë të gjitha platformave sociale, nuk kemi kurrfarë filtrash dhe si të tillë jemi të zbuluar përpara çdo ndikimi që mund të vijë. Po i largojnë ata dita ditës nga komunikimi tradicional që lidhet me kontaktin sy më sy, me ndarjen e kohës me njëri tjetrin, në një mënyrë më të shëndetshme. Nuk mund t’i shmangim por përdorimi më korrekt, i vëmendshëm dhe racional do të kursente sadopak pasojat që mund të vijnë.”

 

Bullizmi kibernetik është një dukuri që i ka kaluar kufijtë e shkollës, ndërsa mungesa e një legjislacioni në këtë drejtim, po diskutohet në shumë vende të Europës.

 

“Kemi ndikim shumë të lartë të teknologjisë sepse jetojmë  në këtë kohë, dhe  mjaft të mitur, fëmijë janë duke u përballur me dhunën kibernetike , me shantazhimin, vënien në lojë, me përdorimin e shtuar të teknologjisë që po rrit tek ata ndjenjën e vetmisë, egoizmin, po i bën më pak të ndjeshëm. Ne e shohim që fëmijët tanë herë tregojnë herë jo, por në vetvete e vuajnë dhunën që ushtrojnë të tjerët duke përdorur mjedisin virtual.”

 

Sociologia Entela Binjaku gjithashtu ve në dukje faktin se në shoqërinë tonë, pjesa më e madhe e prindërve nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur problemit, duke e minimizuar atë ose duke u treguar mosbesues ndaj fëmijëve të tyre. Në të vërtetë, dhuna në rrjete është e pranishme dhe fëmijët e të rinjtë përballen vazhdimisht me të.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re