Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës për bashkimin e misioneve diplomatike, përveç Serbisë, ka reaguar edhe Rusia.

Në një deklaratë të cituar nga agjenci TASS, në lidhje me këtë marrëveshje ministria e Jashtme e Rusisë thekson se “hapat provokues nga Tirana dhe Prishtina, të cilat janë në përputhje me konceptin e ‘Shqipërisë së Madhe’, shkaktojnë shqetësim serioz.”

Në vijim, thuhet: “Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”.

Kujtojmë që, Rusia ka reaguar dhe më herët kundër bashkëpunimeve të Shqipërisë me Kosovën, duke dalë hapur në mbrotje të qëndrimeve të Serbisë.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 2 korrik, Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen me ambasada të përbashkëta në vende të ndryshme të botës.

Në këtë marrëveshje sqarohet se Republika e Shqipërisë merr detyrime konkrete në prezantim, mbrojtje dhe afirmim të qëndrimeve politike të Republikës së Kosovës në të gjitha rastet ku pjesëmarrja e kësaj të fundit është e pamundur për shkaqe objektive.

Marrëveshja inicion ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim krijimin e hapësirave për përdorim të përbashkët nga dy vendet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re