Skip to content

Sadiku “var këpucët në gozhdë”/ Ish-sulmuesi i kombëtares mbyll karrierën si futbollist profesionist

Sadiku Armando 1024x576

Do të mbahet mend si një nga më të mirët.
Armando Sadiku ishte ndër sulmuesit më të shquar të kombëtares shqiptare, sinonim I golit, dhe pikërisht ky yll kuqezi që shijoi finalen e Euro 2016-ës në Francë, lajmëroi mbylljen e karrierës.
Në një mesazh në Instagram, ish-lojtari kuqezi shkruan disa fjalë të thjeshta.

“Faleminderit futboll! Do të më mungosh!”

Sadiku ishte pjesë e atij brezi që, nën drejtimin e trajneri Xhani De Biazi, u kualifikuan për herë të parë në historinë e përfaqësueses shqiptare, në fazën finale të një turneu të madh, në Kampionatin Europian në Francë verën e 2016-ës. Ai shënoi edhe golin parë të Shqipërisë në një Europian, duke I dhënë fitoren e parë dhe të vetme.

Me kombëtaren pati gjithsej 38 ndeshje, jo edhe aq shumë sa mjaft të tjerë, por këto I mjaftuan për të shënuar 12 gola, me mesataren më të mirë ndër sulmuesit kuqezi, me përjashtim vetëm të Sokol Kushtës.

Shërbeu edhe 3 asiste.

Me ekipet e klubeve pati një karrierë të gjatë që nga viti 2009 kur ishte në Superligën shqiptare me Gramozin dhe Elbasanin, për të kaluar më pas në Zvicër te Lokarno, Lugano, Zyrihun dhe Vaducin.
Në Poloni luajti për Legian e Varshavës, ndërsa në Spanjë për Levanten, Malagën, Las Palmasin e Kartahenën, po ashtu në Turqi me Erzurumsporin.

Karrierën e vazhdoi edhe jashtë Europës, në Bolivi, për ekipin Bolivar të La Pazit, si dhe në Indi me Baganin dhe Goan.
Sezonin e kaluar luajti në kategorinë e dytë në Zvicër me Belinzonën, por në moshën 35-vjeçare gjykoi se nuk kishte më fizikun për të vazhduar përpara duke varur këpucët në gozhdë.