Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, i cili tani është i lirë në bazë të një marrëveshjeje të pazakontë me autoritetet amerikane për një krim për të cilin ai vlerësohet se ka shlyer në paraburgim në Mbretërinë e Bashkuar, i ka vënë njerëzit “në rrezik” në vitet 2010 duke publikuar mijëra të dhëna dhe dokumente konfidenciale të qeverisë amerikane, shkruan AP.

“Dokumentet e zbuluara ofruan informacion identifikues për individët në kontakt me Departamentin e Shtetit, duke përfshirë liderët e opozitës, aktivistët e të drejtave të njeriut në mbarë botën, të cilët u rrezikuan nga zbulimi,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller.

“Kjo pengoi gjithashtu aftësinë e personelit amerikan për të ndërtuar marrëdhënie dhe për të pasur biseda të sinqerta,” shtoi Miller.

Shërbeu pesë vjet

Të mërkurën, Assange, 52 vjeç, u lirua pas një seance të shkurtër dëgjimore në gjykatën federale të SHBA-së në Saipan, në Ishujt Mariana Veriore, ku ai pranoi se kishte marrë dhe botuar sekrete ushtarake amerikane. Ai u kthye në Australi, në vendin e tij të origjinës.

Sipas marrëveshjes, ish-kompjuteristi u deklarua fajtor për komplot për marrjen dhe zbulimin e informacionit të mbrojtjes kombëtare, për të cilin u dënua me pesë vjet burg, por nuk e kreu atë dënim sepse deri vonë ishte në paraburgim ekstradimi në Britaninë e Madhe, ndaj dhe u lirua menjëherë.

Ai u ndoq penalisht nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për publikimin e më shumë se 700,000 dokumenteve të klasifikuara që nga viti 2010 në lidhje me aktivitetet ushtarake dhe diplomatike të SHBA-së, veçanërisht në Irak dhe Afganistan.

“Hero i lirisë së fjalës” për mbështetësit

Assange shihet nga mbështetësit e tij si një “hero i fjalës së lirë”, por kritikët e tij e akuzojnë atë për lëshimin e vëllimeve të mëdha të dokumenteve qeveritare pa asnjë filtër.

Në atë kohë, Departamenti i Shtetit “duhej të bënte gjithçka që mundej për t’i mbajtur njerëzit jashtë rrezikut”, tha Miller pa dhënë detaje.

Ai nuk pranoi të komentojë marrëveshjen e gjykatës me Assange dhe negociatat me Australinë, veçanërisht ato që kanë lejuar zgjidhjen e sagës ligjore gati 14-vjeçare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re