Studimi i fundit i Observatorit të Futbollit CIES ka sjellë të dhëna shumë interesante mbi vlerat aktuale të futbollistëve në merkato, duke konfirmuar se suksesi individual dhe trofetë nuk janë gjithmonë faktori vendimtar për vlerësimin ekonomik.

Edhe pse Ousmane Dembélé ishte protagonisti absolut i vitit 2025, me fitimin e Topit të Artë, çmimit The Best FIFA dhe Globe Soccer Award, ai nuk rezulton lojtari me vlerën më të lartë në treg.

Sipas metodologjisë së CIES, e cila merr në konsideratë moshën, paraqitjet, potencialin dhe treguesit statistikorë, në krye të renditjes globale qëndron talenti i Barcelonës, Lamine Yamal. Vetëm 18 vjeç, spanjolli ka arritur një vlerë marramendëse prej 343.1 milionë eurosh, duke regjistruar një rritje spektakolare krahasuar me një vit më parë, kur vlerësohej 180.3 milionë euro. Ky kërcim e konfirmon Yamalin si një nga asetet më të çmuara të futbollit botëror.

Pas tij renditet Erling Haaland, me 255.1 milionë euro, ndërsa podiumi plotësohet nga Kylian Mbappé, sot pjesë e Real Madridit, me 201.3 milionë euro. Jude Bellingham ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur në vendin e katërt, me një ulje të madhe të vlerës së tij brenda një viti.

Sa i përket Serie A, lojtari me vlerën më të lartë rezulton Kenan Yildiz i Juventusit. Talenti turk renditet i 14-ti në nivel global, me një vlerë prej 121 milionë eurosh, duke konfirmuar statusin e tij si një nga yjet në rritje të kampionatit italian. Pas tij vijnë Lautaro Martinez i Interit me 109 milionë euro, Rasmus Højlund i Napolit me 92.8 milionë, Francesco Pio Esposito me 75 milionë dhe Alessandro Bastoni me 62 milionë euro.

Këto shifra tregojnë qartë se Serie A vazhdon të prodhojë dhe të zhvillojë talente me vlerë të lartë në tregun ndërkombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re