Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti në fund të fjalës së tij në seancën plenare, kërkoi një minutë heshtje për viktimat e komunizmit që kanë mbetur pa varre, por kjo u konsiderua si tallje nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla pasi në sallë ishin shumë pak deputetë.

Balla theksoi faktin se mbajtja e një minutë heshtjeje është një moment solem që ka kjo sallë dhe ai mbahet për 60 sekonda, jo 5 sekonda sa për të larë gojën.

“Kuvendi i Shqipërisë ka një rregullore të miratuar me konsensus. Kërkesa për minutën e heshtjes është momenti më solem që ka kjo sallë. Ta fillosh fjalën me ankesën që nuk ka deputetë në sallë, të konstatosh mungesën e seriozitetit dhe ta mbyllësh fjalën me kërkesën për të kërkuar një minutë heshtje, është tallja më e madhe që mund t’i bësh atyre për të cilët kjo sallë duhet të jetë plot, të cuar gjithë në këmbë dhe himnin e flamurit dhe për të mbajtur minutën e heshtjes, e cila duhet të jetë 60 sekonda dhe jo 5 sekonda për të larë gojën” tha Balla.

Ministri po ashtu replikoi me deputetin e PD, e cili tha se komunizmi ju ka prodhuar juve, duke theksuar se krimet e komunizmit dënohen duke  u distancuar nga ata që i kanë parë hajrin komunizmit.

Sipas tij, Alizoti është modeli më i keq i atyre që familjarët e të cilëve kanë vuajtur nga komunizmi dhe ai shkon përditë poshtë ballkonit  të sekretarit të partisë.

“Unë kam marrë me qindra herë fjalën në këtë sallë për t’ju bashkangjitur nevojën për të dënuar sa herë të kemi mundësi krimet e komunizmit.

Krimet e komunizmit dënohen, kur të paktën distancohemi nga ata që ia kanë parë hajrin komunizmit.

Ky që sapo foli është modeli më i keq i atyre që familjarët e të cilëve e kanë vuajtur komunizmin dhe ky shkon përditë poshtë ballkonit të sekretarit të partisë, i cili komunizmit ia ka parë hajrin më shumë se të gjithë ne.

Nuk ke këtu asnjërin nga ne babain e të cilit të ishte në varkën personale të Enver Hoxhës.

Mbas 33 vitesh, ju keni mundësinë e artë që nuk e bëtë dot, por e bërë drejtësia ta largoni komunistin nga kreu i partisë dhe komunizmin nga brenda partisë.

Sa i përket komunizmit brenda partisë, shpëtoni njëherë e përgjithmonë, distancoheni nga sekretari i partisë dhe pastaj ajdeni e na shisni dëngla.

Ky persona që sapo foli është në keqardhje e madhe se ky asnjëherë nuk e di se për cfarë flet, por në partinë tuaj edhe kur nuk flet edhe kur nuk di se cfarë të thuash, mund të të konsiderojnë si filozof dhe këtë e konsideroni si filozof edhe kur flet padrejtësi” shtoi Balla.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re