Shoqata e Diabetit ka zhvilluar takime me përfaqësues të pushtetit vendor, në Kamëz, për të diskutuar lidhur me sfidat e personave me aftësi të kufizuar dhe ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta për të ofruar shërbime për këtë komunitet.

Në takimin me Kryetarin e Bashkisë Kamëz, z. Rakip Suli, filimisht u fol për projektin që organizata po zbaton me mbështetjen e Lëviz Albania “Aftësimi i komuniteteve dhe grupeve të cënueshme për të njohur dhe përdorur shërbimet vendore”. Gjithashtu, pati diskutime për bashkëpunimin afatgjatë mes organizatës dhe Bashkisë.

Gjatë takimit të dyja palët shkëmbyen informacione në lidhje me procedurën e përfitimit të KEMPIT, ku nga përfaqësuesit e Bashkisë u sqarua se: ʺAta nuk kanë kompetencë në dhënien e KEMPI-it dhe Ndihmës Ekonomike, për kategorinë e paaftësisë për punë. Sipas tyre përfitimi i KEMPI-t ishte kompetencë vetëm e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale˝.

Përfaqësuesit e Bashkisë thanë se procedura që ndiqet është :

ʺBashkia si institucion bën vetëm urën lidhëse mes Ministrisë dhe qytetarit. Për lehtësi qytetari dokumentacionin dhe aplikimin e bënte pranë Bashkise ose çdo njësie bashkiake dhe ky aplikim i dërgohej në Ministri ose në institucionin përgjegjës, për shqyrtimin e dokumentacionit. Gjatë shqyrtimit vendosej edhe nëse qytetari e përfitonte ose jo KEMPIN ose Ndihmën Ekonomike dhe ky përfitim ishte në varësi të pikëzimit, të vendosur nga Ministria e linjës bashkë me Komisionin përkatës ku aty vendosej dhe pagesa që përfitonte. Më pas kjo listë kthehej në bashkinë përkatëse pë zbatimʺ.

Në të vetmin rast që kishte kompetencë Bashkia ishte dhënia e një kuote ndihme prej 6 %, që i përkiste fondit të bashkisë, i cili jepet si ndihmë komunitetit në nevojë dhe Bashkia e shqyrtonte si insitucion i pavarur për banorët e saj, sipas kërkesave që i paraqiteshin në periudhën 1-15 të çdo muaji.

Për caktimin e këtij fondi pas aplikimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit të plotësuar organizoheshin vizitat në teren edhe nga punonjësit e Shërbimit Psikosocial të Bashkisë, të cilët vendosnin se kush mund të kishte përparësi në përfitimin e këtij fondi.

Gjatë takimit u diskutua dhe u kërkua edhe një informacion më i detajuar në lidhje me përfitimin e heqjes së taksave që i takonte një individi, nëse kishte Kartën e Invaliditetit.

Nënkryetarja e bashkisë, Zj. Migena e sqaroi me shumë përpikmëri se edhe kjo e drejtë që i përket individit me statusin e invaliditetit duhet të plotësoje disa kritere.

Pra nuk përjashtohen nga taksat të gjithë invalidët,  por sipas kategorive:

  • Ata që skanë të ardhura të tjera
  • Ata që skanë anëtarë të tjerë në familje që kontribuojnë.

Përfaqësuesja e Shoqatës së Diabetit Zj. Ornela Laze kërkoi gjatë takimit edhe një bashkëpunim me Bashkinë, për të ofruar të gjitha shërbimet për komunitetin e diabetikëve,  që i përkasin kësaj bashkie. Bashkëpunimi ka të bëjë në shërbimet që ofron shoqata të kryen në Kamëz në një ambient në përdorim, të vendosur nga Bashkia.

Nga ana e Bashkise u përgezua kjo nismë dhe u sigurua një ambient në Pallatin e Kulturës, për t‘i ardhur sa më në ndihmë qytetarëve të saj, të cilët do të  përfitojnë shërbimet mjekësore që ofron Shoqata.

Në kuadër të marrëveshjes për ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta për personat me diabet në veçanti por edhe për personat me aftësi të kufizuar, midis shoqatës së Diabetit dhe Bashkisë Kamëz u firmos një marrëveshje bashkëpunimi. Në kuadër të kësaj marrëveshje, shoqatës së Diabetit ju hap rruga që përgjatë projektit por edhe pas përfundimit të tij, të realizojë një sërë aktivitetesh, qoftë në nivel të dhënies së shërbimeve, qoftë me zhvillimin e fushatave informuese, edukuese.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, shoqata e Diabetit ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në këtë bashki, ku ka ftuar anëtarët e komunitetit të bashkohen për matje glicemie falas dhe për ti informuar lidhur me skemën e re të vlerësimit biopsikosocial

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re