Një artikull i National Geographic i është kushtuar Shpellës së Gadimes, një prej bukurive ‘nëntokësore’ të Kosovës.

Autori i artikullit, Robert Draper, e quan shpellën “Bukuroshe e Fjetur”, teksa përshkruan në detaje bukuritë që pa me sytë e tij në shpellën e Gadimes.

“Një vajzë e rë në të 20-tat qëndronte ulur në një kabinë të vogël (biletari). Emri i saj ishte Melisa Bojku. Pasi i dhashë dy euro, më dha një kasketë të fortë dhe së bashku hapëm derën për të hyrë brenda gojës së ngushtë të shpellës.

Brenda ishte ftohtë dhe kishte mjaft lagështirë. Disa lakuriqë nate fluturuan mbi kokat tona… Dyshemeja e shpellës ishte e lëmuar, por jo e vështirë për t’u kaluar, dhe korridoret e saj gëlqerore të mprehta ishin ndriçuar në mënyrë diskrete me drita jeshile, të verdha dhe të kuqe. Ishte në të njëjtën kohë e ashpër dhe barok, si të hyje në një katedrale madhështore të një hyjnie të lashtë.

Stalaktite/credit: ARBEN LLAPASHTICA

Melisa më tregoi se shpella ishte të paktën 2 milionë vjeçare dhe se stalagmitet poshtë këmbëve tona ishin fare të reja në moshë, mbase 500 vjeçare, krahasuar me stalaktitet sipër kokave tona. Ajo bëri me shenjë drejt rrjedhës së kuqe të oksidit të hekurit, duke shpjeguar përplasjen e lashtë mes gurit gëlqeror e atij vullkanik”-shkruhet në artikull.

“Bojku më kërkoi ndjesë që nuk mundëm të vizitonim një dhomë të shpellës, pasi aty kishte mbetje njerëzore të kohës së Neolitit, që datonin afro 6 mijë vite më parë. Mbetjet po ekzaminoheshin nga arkeologët.

Një plumb i kohës së Luftës së Madhe (LIB) ishte gjetur, e madje edhe llulla e një burri që jetoi në atë kohë. Kushedi se çfarë mund të ketë këtu, nëse vijojnë gërmimet?”-pyet më tutje autori i artikullit.

Siç tregon ai, shpella njihet sot vetëm falë orvatjeve të një njeriu, Fatos Katallozit.

“Katallozi është pothuajse i vetëm përgjegjës për vendosjen e Kosovës si një vend kryesor për eksplorimin e shpellave në Evropë. Historia e tij është shumë në përputhje me atë të kosovarëve të tjerë që kanë treguar vendosmëri të jashtëzakonshme në rindërtimin e vendit të tyre të shkatërruar nga lufta gjatë dy dekadave të fundit”-shkruan autori i National Geographic.

Shpella e Mbretereshes, Peje/ Photo credit: BUJAR GASHI

“Edhe pse Kosova mezi është sa madhësia e Konektikat (shtet i vogël në SHBA), ajo është parajsa e vogël e maleve muskuloze dhe rrugëve ujore vezulluese, për një adhurues të natyrës. Bota ka qenë e ngadaltë për ta marrë parasysh këtë. Po kështu edhe qeveria e Kosovës. Kosova e plagosur nga lufta nuk e ka pasur të lehtë ta reklamoj veten si vend turizmi. Vendit i mungon Ministria e Turizmit. Ka vetëm dy parqe kombëtare që janë pothuajse plotësisht pa personel. Prandaj, industria e pazhvilluar turistike e Kosovës është mbështetur shumë në iniciativën e protagonistëve vendas si Katallozi”, vazhdon tutje shkrimi.

Burimi: National Geographic (Travel)

Rugove/ credit: ARBEN LLAPASHTICA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re