Shqipëria është ende në lojë për të kaluar fazën e grupeve në “Euro 2024”, ndërsa të hënën kundër Spanjës luan një finale për vazhdimësinë.

Në këtë pjesëmarrje të dytë në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinentit, bashkë me ekipin përfaqësues, Shqipëria është prezente edhe me një pikturë, e cila u përzgjedh ndër 175 më të mirat dhe është paraqitur në ekspozitën e UEFA-s, në muzeun gjerman të futbollit në Dortmund. Ajo u përurua më 27 maj 2024. Si përfaqësues i familjes, djali i piktorit Pandi Madhi, së bashku me vajzën Klaudia, mbesën Gea, ishin të pranishëm në atë eveniment madhor. “Së pari, ajo që të befasonte ishte kur në krahun e djathtë para hyrjes, lexoje përshëndetjet në shumë gjuhë të botës dhe që fillonin në shqip, me shprehjen ‘mirëseerdhe’. Shpresoj dhe uroj që kjo pikturë të sjellë fat për përfaqësuesen”, rrëfen Pandi Madhi për “Panorama Sport”.

Pandi, na tregoni diçka nga ideja dhe çfarë e shtyu babain tuaj të angazhohet për një vepër të tillë?

Duke parë tifozllëkun që bënim në shtëpi, unë, vëllai, dikush me Partizanin, tjetri me Dinamon apo 17 Nëntorin. Babai ndiqte emocionet tona, si reagonim. Edhe titulli, “Kur nuk shkojnë në stadium” ishte shumë i veçantë dhe ai ia vendosi nisur nga fakti, situatat që shihte, kur ne fëmijët e tij, në një dhomë të vogël e shtëpisë, ndiqnim ndeshjen nga televizori, pa shkuar në stadium.

Për lexuesin, diçka më shumë për atë tablo?

Kjo vepër është realizuar në vitin 1986, dimensionet e saj janë 86 cm x 123 cm në ngjyra vaji mbi fajazit. Për herë te parë “Kur nuk shkojnë në stadium” u ekspozua në ekspozitën personale të Guri Madhit (pas vdekjes se tij) në 30 shtator 1988. Ekspozimi i dytë i “Kur nuk shkojnë në stadium” u bë në një ekspozitë për artin shqiptar në tetor 2018 në rezidencën e Ambasadës së Italisë në Tiranë. Në korrik të vitit 2020 në Pera Museum te Stambollit u hap ekspozita me titull “Constructing a dream”, me kurator po artistin Artan Shabani, pjesë e të cilës ishte dhe “Kur nuk shkojnë në stadium”.

Si erdhi lidhja dhe propozimi nga Gjermania?

Pas 14 shkurtit 2023, kur morëm “email-in” e parë nga Muzeu Gjerman i Futbollit, një lidhje u bë nëpërmjet “Pera Museum” të Stambollit dhe artistit Artan Shabani. Në materialin shoqërues, shpjegonte përgatitjet për Ekspozitën (instalacion digjital) dedikuar “Euro 2024” dhe të quajtur “In motion-Art & Football”. Bashkëbisedimi vazhdoi përgjatë 2023-shit, një bashkëpunim shumë të sinqertë e të hapur, duke respektuar ligjet përkatëse që veprojnë në fushën e të drejtës së autorit. Organizatorët kërkuan të drejtën e përdorimit të imazhit të veprës “Kur nuk shkojnë në stadium”, për këtë instalacion dhe të përfshirjes në katalogun e kësaj ekspozite, të cilat ne ua dhamë menjëherë. Vetëm pak javë më parë nga Drejtori i Muzeut Gjerman të Futbollit, z. Manuel Neukirchner, erdhi ftesa për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “In motion-Art & football”, e financuar nga Qeveria Gjermane në kuadër të organizimit të “EURO 2024”.

Në Dortmund më pas ju priti një befasi?

U nisëm për në Dortmund, për të qenë dëshmitarë të asaj, që sytë tanë do të shihnin pjesëmarrjen e babait dhe gjyshit në këtë ngjarje sa sportive aq artistike. Mbërritëm rreth orës 8 të mëngjesit të 26 majit. Në qendër të Dortmundit ishte Muzeu i Futbollit Gjerman, një ndërtesë e madhe e stilit modern. Disa metra larg hyrjes është vendosur një top i madh futbolli (modeli që po përdoret në “Euro 2024”), që kalojnë përmasat e një njeriu normal dhe afër topit është improvizuar një fushë e vogël minifutbolli. Në krahun e djathtë para hyrjes fjalët përshëndetëse në shumë gjuhë të botës dhe që fillojnë shqip “mirëseerdhe”.

Cili është qëllimi i hapjes së saj?

Në këtë ekspozitë pasqyrohet moto e këtij europiani “United by football”, që nënvizon idenë bazë të një Europe të ndryshme dhe të bashkuar. Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernt Neuendorf, u shpreh se: “Mbi të gjitha ekspozita ‘In motion- art & football’ jep një kontribut të fuqishëm në mendimin europian”.

Shumë vepra në start, por zgjidhet ajo e Guri Madhit për në finalet e Europianit…

Drejtori i Muzeut, Dr.Manuel Neukirchner, i cili përshkroi etapat e punës për realizimin e ekspozitës, të nisuar katër vite më parë. Fillimisht ishin përzgjedhur 500 vepra me temë futbollin, prej të cilave u seleksionuan 175, të 100 autorëve, midis tyre edhe shumë të famshëm duke shtuar: “Faleminderit dhe nder të kemi këtu pikturën e Guri Madhit, që fatkeqësisht në vitin 1988 ka vdekur, por që sot është i përfaqësuar nga i biri i tij”. Dritat e sallës u ulen, filloi shfaqja, “Instalacion digjital-In motion – Art & Football” është e vështirë të përshkruhet. Një spektakël i vërtetë, duke menduar se do jenë me fat ata që do ta shohin.

Sa kohë do të qëndrojë e hapur ekspozita?

Ekspozita do të jetë e hapur deri në 6 janar 2025. Është një ngjarje e rrallë, ku bashkohet arti dhe futbolli. Shfaqen për herë të parë kryevepra të artit botëror, që lidhen me sportin e bukur të futbollit. Drejtori i Muzeut Gjerman te Futbollit, Manuel Neukirchner, u shpreh qartë se Muzeu i mirëpret të gjithë sportëdashësit shqiptarë që do ta vizitojnë atë. Besoj që kombëtarja jonë e futbollit, me në krye trajnerin Silvinjo, do të gjejnë pak kohë për të vizituar ekspozitën kur të jenë në Dortmund dhe shpresoj që vepra e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium” të sjellë fat për Kombëtaren në Dyseldorf.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re