Nga: Alban Gorishti

Rruga e shtruar me pllaka që shikoni në foto ishte krenaria e qeverisjes së mëparshme, pse them “krenaria” pasi ajo u shtrua me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, duke tubuar në sheshin e flamurit të Vlorës me qindra mijëra vetë për atë eveniment solemn. Sot siç e shikoni në foto pasi kanë kaluar vetëm 9 vite nga ai okazion dhe rikonstruksion, sheshit i është vënë “kazma” e tenderave. Në dukje nuk ka gjë e cila në momentin qe i vihet kjo kazmë të mos zbukurohet, por si në titull ne jemi popull “madhërojme” lashtësinë më tepër sesa domosdoshmëritë e të tashmes për këtë e gënjejmë veten duke u mburur me “lashtësinë” por turpërohemi nga e tashmja e afërt. Pyes veten kaq e mirë ka qenë kjo “lashtësi” duke parë se çfarë jemi në “modernen” tonë? Nëse studimet gjenetike që janë bërë na tregojnë si pasardhës të një populli të vjetër, pyes a nuk duhet të ngjasojnë fëmija me prindin (i afërt apo i largët qoftë ky)?

Më kujtohet ajo ditë e 28 nëntorit 2012, sheshi dhe rrugët e Vlorës gjëmonin nga atmosfera festive që dominonte në ato momente, nuk kishte rrugë kryesore që mos të ishte e mbushur me njerëz, aq sa për një moment “u binda” vërtetë se jemi popull i vjetër. Ndërsa kur sot shikoj tërë ato lekë të hedhura poshtë, duke i zëvendësuar me tendera jashtë përvjetorëve identitare, “bindem” se akoma nuk kemi dalë nga mosha e pa pjekurisë.

A nuk ka evenimente, domosdoshmëri, festivitete, etj ky vend në mënyrë që të kërkohet e drejta e vjetër për të qenë një popull i ri?

Një popull që di ta mbrojë pasurinë e përbashkët, një popull që di ta trasojë të ardhmen e vet duke mbrojtur fillimisht të tashmen si garantuesja kryesore e kësaj ardhmërie, ndërsa e kaluara historike nuk bën të na mbajë peng në tërë këtë proçes. Me kujtohet se kur u shtrua ajo rrugë dikush më tha: ke për ta parë se do ti vihet kazma prapë kur në pushtet të vijnë të tjerë! Kjo ka qenë memoria jonë historike e këtyre 30 viteve, një memorie e mbushur me rindërtim ekonomik por i zbrazur nga rindërtimi kulturor. Një realitet që “dha me qera” çdo memorie afatgjatë, e kështu grumbullime madhështore si ai i 9 viteve më parë është thjesht shfryrje kulinare (torta e pavarësisë) e një populli emocionalisht të tredhur.

Tani presim 28 nëntorin e 2112 për t’u grumbulluar së bashku duke shkelur sheshin e pavarësisë, shesh që realisht u fiksua si i tillë për interesa kombëtare dhe jo personale. Duke shpresuar se pushtetet që do të vijnë nuk do t’i vënë “kazmën e tenderave” edhe kësaj pak memorie që na ka mbet, apo akoma më keq që ai shesh në atë përvjetor mos të jetë një analizë demografike e cila kërkon të përcaktojë shqiptarin e fundit që mbahet mend se e populloi atë shesh!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re