Deputetja demokrate Jorida Tabaku i është përgjigjur kryeministri Edi Rama për komentet që bëri ky i fundit në lidhje me ligjin e Zonave të Mbrojtura.

Kryeministri që pretendon se pastron ambientin, shprehet Tabaku, në të vërtetë është ideatori korrupsionit toksik që rrudh, dëmton dhe shkatërron Shqipërinë.

“Shteti kapur nuk ikën me ministra me fshesë në dorë dhe kamerat ndezur për t’i filmuar, por me vizionin e një qeverie për shqiptarët jo oligarkët!”, shkruan ndër të tjera ajo në X.

LEXO EDHE: “Askush nuk ka gojë të na japë leksione”- Rama për ligjin e Zonave të Mbrojtura: Ne i kemi pastruar Shqipërisë fytyrën nga llumi dhe balta

Reagimi i Jorida Tabakut:

Ligji Zonave të Mbrojtura është po aq korruptiv sa inceneratorët! Në të dy rastet KM pretendon se pastron ambientin kur në të vërtetë është ideatori korrupsionit toksik që rrudh, dëmton & shkatërron Shqipërinë. Shteti kapur nuk ikën me ministra me fshesë në dorë dhe kamerat ndezur për t’i filmuar, por me vizionin e një qeverie për shqiptarët jo oligarkët!

Çfarë deklaroi Rama:

Pyetje: Ekspertët deklarojnë që ky mund të zhdukë totalisht zonat e mbrojtura apo t’i zvogëlojë. Duke qenë se në Shkodër kemi një sasi të konsiderueshme të zonave të mbrojtura dhe me rëndësi për turizmin, a ka një garanci që një gjë e tillë nuk do të ndodhë, ju si Kryeministër i vendit?

 Rama: Ok. Kishte një kontradiktë që është në fakt shprehje e faktit që këtu nuk jemi në kushtet e rritjes së papunësisë. Këtu jemi në kushtet e rritjes së kërkesës për punonjës. Po jo pra, nuk është rritje e papunësisë kjo, kjo është rritje e vendeve të punës dhe nevojës për të pasur punonjës, të kualifikuar.

Tani, së pari një herë, se kjo historia e botës së tretë është bërë pak si qesharake, duhet të kemi parasysh, që po, ne kemi një problem me largimet brenda vendit flas, edhe nga fshati, po nëse shikoni sot përqindjen që zë bujqësia në ekonominë tonë dhe përqindjen që zënë të punësuarit në bujqësi që të gjithë pasqyrat tona të punësimit, ne jemi – dhe kjo nuk është pozitive, s’po e them për pozitive, – por ne jemi me diferencë nga rajoni jonë. Pra, largimi drejt qytetit, drejt qendrave është një fenomen i pandalshëm në vendet që zhvillohen dhe nga ana tjetër, nevoja, pretendimi, pritshmëria e më të rinjve për të patur, jo thjesht një punë, por një punë të mirëpaguar, është gjithmonë e më arsyeja  pse një sërë punësh, tw cilat nuk mund të mirëpaguhen, ashtu siç kërkojnë ata të cilët nuk pranojnë të punojnë, – bëhen me krahë pune të importuar. Nëse do të shikoni planet e vendeve të zhvilluara si Italia, Gjermania, po ju marr këto që të mos shkoj tek të tjerat, dhe nëse do të shikoni rradhën e shteteve europiane në derën e agjensisë së punësimit në Filipine, është një radhë lufte. Është luftë.

Domethënë Europa është futur në një fazë lufte për krah pune dhe është realisht rradhë sepse ata ta thonë, që përpara se të shqyrtojmë kërkesën tuaj, kemi 30 e x shtete që janë në radhë për të shqyrtuar dhe shtete që shkojnë kërkojnë 100 mijë, 120 mijë, 200 mijë punonjës. E njëjta gjë në vendet e Afrikës. Pse i them këto? I them sepse e para, ne kemi një industri manifakture që është edhe këtu në Shkodër, e cila duhet të hyjë në një cikël të ri, sepse nuk ka më sot vajza të reja që kanë gatishmërinë të bëjnë punën që bënin kur ishin të reja  ato gra, që sot janë në moshë për të dalë në pension dhe që kanë kaluar 20 vjet, 30 vjet mbi një makinë qepëse për të ushqyer familjen e tyre në një periudhë të caktuar të kësaj historie, me paga minimale. Dhe kjo do të thotë që manifaktura duhet të ndryshojë dhe për këtë ne kemi edhe paketën e re të mbështetjes për manifakturat dhe për të gjitha kompanitë që duan të hyjnë në një cikël të mbyllur dhe që të prodhojnë me një vlerë që iu lejon të paguajnë paga më të larta.

Për sa i përket shkollave, kemi diskutuar me kryetarët e bashkive për të kaluar në fazë tjetër të krijimin të kushteve që të kemi shkolla të përqendruara, që të jenë dhe me konvikte. Po punojmë me 5 konvikte të shkollave profesionale për t’i bërë me standardet më të mira në disa bashki të vendit. Do të vazhdojmë me të tjera. Kam parë konviktin e shkollës profesionale jo publike në Rrëshen, që është një iniciativë e kishës por që është një gjë fantastike për nga pikëpamja e pasionit dhe nga pikëpamja e mënyrës sesi është menaxhuar. Por kanë një konvikt që duhet patjetër ndërhyrje dhe ne do t’i ndihmojmë, do gjejmë, po punojmë që të gjejmë formulën e duhur sepse nuk janë shkollë publike, por nuk ka rëndësi.

Ashtu sikundër nga ana tjetër është dhe shkolla publike profesionale që edhe ajo ka nevojë që të ketë një konvikt siç duhet, kështu që në këto drejtime këto janë punët që po bëjmë, por të jemi shumë të qartë që ne jemi në një fazë të re zhvillimi dhe këtu kërkesa për punësim, për punëtore, kërkesa për njerëz të kualifikuar vetëm do rritet sepse turizmi tanimë ka hyrë në një fazë shpërthimi dhe kjo do të thotë shumë më tepër mundësi për punësim, patjetër do ketë dhe paga më të larta, nuk diskutohet dhe na duhen njerëz që janë të gatshëm të punojnë. Ashtu sikundër unë besoj shumë që ne kemi hyrë në një fazë që tani mund ta shikojmë, jo shpejtë, mund ta shikojmë në horizont edhe momentin kur shqiptarët që do ikin o jenë më pak se ato që do kthehen. Por që shqiptarë që largohen, kthehen, largohen prapë me këtë duhet të mësohemi të gjithë se nuk jetojmë më në bunker. Është një botë e hapur, shqiptarët janë shumë, kjo është tani me provë, nga çfarë i kemi parë si janë zhvilluar, si janë adaptuar, si kanë ecur në gjithë botën janë qenie që janë qenie kurajoze, janë qenie dinamike, janë qenie që duan të shohin lartë e më lartë. Kështu që, të gjitha këto duhet të na bëjnë të kuptojmë që kjo nuk është një çështje, me këtë mund të bëhet politikë, dakord, ,por nuk e ha njeri këtë sepse kjo s’është një çështje qeverie. Si do i ndaloni ju të ikin? Ne nuk jemi këtu për të ndaluar njeri të iki, ne jemi këtu për të krijuar kushte gjithmonë e më të favorshme dhe mundësi gjithmonë e më të shumta që kush dëshiron të rrijë, të rrijë dhe kush dëshiron të vijë, të vijë, por dikush që do të provojë jetën e vet diku tjetër si do ta ndalojmë të iki?

Për zonat e mbrojtura, kjo është një temë që unë e kam shumë për zemër dhe njëkohësisht është një temë që më bën edhe të dua të qesh shumë se çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për të mbrojtur natyrën, çfarë është bërë në Shqipëri këto 10 vite për të rikthyer në jetë monumente të trashëgimisë kulturore, çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për t’i pastruar Shqipërisë fytyrën e mbuluar nga balta dhe nga llumi, bën që unë të them se askush nuk ka, të gjithë kanë gojë të flasin se të gjithë janë të lirë të flasin, por askush nuk ka gojë që të na japë neve leksione. Nuk na bën dot ne leksion askush, për çështjen e qasjes ndaj mjedisit, ndaj trashëgimisë kulturore, ndaj të bukurës, ndaj shijes europiane dhe ndaj pastrimit të fytyrës së Shqipërisë në çdo aspekt. Ne kemi vënë në mbrojtje, zona të tëra i kemi vënë ne në mbrojtje. Tani çështja është shumë e thjeshtë. Ne jemi përpara një sfide që është sfida e shekullit për nga pikëpamja e politikës që do të bëjë Shqipëria, që është çfarë duam ne, çfarë presim ne dhe çfarë do të bëjmë ne me turizmin?

Numri i madh i turistëve dhe kjo rritje marramendëse e turistëve është shumë e mirë nga njëra anë dhe është shumë e rrezikshme nga ana tjetër.

Dhe këtë e tregon historia e shumë vendeve që kanë kaluar në ato faza. Vendet që kanë kuptuar që duhet të mos synojnë thjeshtë rritjen e numrave, por të synojnë edhe rritjen e të ardhurave nga numrat, pra nuk mjafton vetëm sa turistë sjell, por sa sjell çdo turist, kanë investuar me një shpejtësi të arsyeshme, por me shpejtësi, tek cilësia e lartë, tek infrastruktura e mikpritjes që sjell turistë që konsumojnë shumë. Jo thjeshtë turistë me çantë me vete që janë shumë të mirëseardhur dhe ata që vijnë me çantë me vete janë dhe ekologjistë dhe ata s’janë problemi. Problemi janë ata që turren nëpër plazhe dhe nuk sjellin shumë të ardhura dhe për këtë duhet të kuptojmë. Ne nuk kemi një mundësi të pafundme, s’jemi Kina, jemi një vend i vogël dhe eksperiencat e këtyre vendeve që thashë kanë treguar që balanca mes mbrojtjes dhe zhvillimit, nëse është e duhura është sukses.

Shikoja diku një reportazh për një pikë në jug ku është dhënë një leje ndërtimi për një destinacion turistik. Natyrisht nëqoftëse ti shkon dhe filmon një gropë ku po ndërtohet, duket një plagë, por nëse shikon se çfarë do ndërtohet atëherë është e njëjta gjë si me stadiumin në Tiranë. Si me çdo gjë të bukur që ndërtohet. Kështu që, në këtë pikë meraku im nuk është fare se a dimë ne ta administrojmë këtë proces, a dimë ne ta mbajmë këtë ekuilibër. I vetmi merak që kam unë është që sa do arrijmë ne të krijojmë një profil institucional të Shqipërisë në raport dhe me këtë dhe me të gjitha gjërat e tjera. Se Shqipëria që sot është në pozicionin më të mirë që ka qenë ndonjëherë, kjo nuk diskutohet në aspektin  ndërkombëtar, por kjo duhet të kthehet në profil. Kjo nuk duhet të jetë çështja e një qeverie apo e një kryeministri dhe kështu duhet të kthehen në profil institucional disa nga drejtimet kryesore. Në këtë aspekt kjo është arsyeja pse unë e konsideroj të pa mbyllur ciklin tonë të qeverisjes dhe pse unë konsideroj që ne duhet të bëjmë çmos që të garantojmë këtë progres sepse është një progres që nuk është i pakthyeshëm. Nëse rruga e nisur shtrembërohet dhe nuk jemi ne që e shtrembërojmë rrugën e nisur. Jemi ne që e kemi hapur dhe ne që dimë ta çojmë përpara. Kështu që nuk shoh asnjë problem dhe unë jam i bindur dhe mbi të gjitha ajo që ne kemi bërë është që kemi krijuar një fleksibilitet pasi mbulimi me mbrojtje i zonave ka shkallë të ndryshme dhe sigurisht që do ketë plot zona të kuqe, të paprekshme, por ka zona ku ti mund të zhvillosh dhe kjo është bërë vetëm për turizmin dhe agroturizmin, për asgjë tjetër, në mënyrë të arsyeshme.

Ne kemi bërë lumin e Vjosës Park Kombëtar. Park Kombëtar që kalon në gjithë vendin nga një anë, në anën tjetër dhe që ka brenda qytete, fshatra. Tani këta njerëz, kanë të drejtë këta që të zhvillojnë gjë aty? Sigurisht që kanë, është atdheu i tyre, është toka e tyre, por çfarë mund të zhvillojnë është temë tjetër. Parku kombëtar është park kombëtar dhe këtë gjë e kam thënë edhe përpara se të bënim ndryshimet ligjore, nuk është se kemi bërë ndryshimet ligjore që të fillojmë të ndërtojmë pallate në Parkun Kombëtar, por po them, vlera të shtuara sot janë plotësisht të mundshme. Ka dhjetëra e dhjetëra sajte të mbrojtura na UNESCO, në të cilat janë ndërtuar, flas nëpër botë, janë ndërtuar destinacione turistike të klasik më të lartë, në harmoni të plotë me destinacionin. Vlerë e shtuar! Kjo është ajo që ne synojmë e nuk ka lidhje fare me shkatërrime, përkundrazi, ka lidhje vetëm me rivlerësime të këtyre destinacione dhe plus kjo do të thotë dhe të ardhura që i krijojnë mundësi shtetit, se nuk janë gjëra që do ndodhin sot, nesër e pasnesër. Flasim për 10, 15 vitet e ardhshme. I krijojnë mundësi shtetit që të ketë më shumë të ardhura që edhe t’i mirëmbajë ato parqe, ti mirëmbajë ato zona të cilat janë në kufijtë e atyre pikave ku mund të bëhen zhvillime të caktuara. Kështu që nuk shoh asnjë problem në këtë pikë, sigurisht që frika apo shqetësimi i atyre që janë shumë të dhënë pas natyrës është pozitive, sepse ndihmojnë gjatë gjithë kohës që të jesh në alert, por duke qenë vetë i dhënë pas natyrës dhe duke qenë vetë në krye të një qeveria që ka bërë për mbrojtjen e natyrës e ka bërë për trashëgimin, e ka bërë për fytyrën e këtij vendi më shumë se sa kanë bërë të gjithë të tjerët bashkë, nuk jam unë fare njeriu që duhet të më drejtohet gishti i dyshimit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re