Dikur fundjava zgjaste vetëm 1 ditë, ishte koha për të respektuar festat fetare, transmeton Kosova Post.
Rezervimi i një dite në javë është një traditë antike, gjurmët e së cilës gjenden në librat e shenjtë. Gjërat kanë filluar të marrin kthesë në Britaninë e Madhe përgjatë shekullit të 19-të, përgjatë revolucionit industrial, kur masat e reja të punëtorëve të industrisë nisën të marrin ditën e tyre të pushimit për qëllime kënaqësie e jo vetëm për qëllime fetare.
Përqendrimi i argëtimit dhe shpesh i konsumit të alkoolit në një ditë të vetme të javës bënte që angazhimi në punë të nesërmen të ishte i papërballueshëm.
E kështu shumë punëdhënës filluan ta lënë të lirë gjysmën e së shtunës si kompromis sindikal.
Edhe fetë kanë bërë të tyren në këtë drejtim. Në vitin 1908, në SHBA një fabrikë u lejoi punëtorëve që të pushojnë të shtunën në respekt të së shtunës hebraike dhe ndërmarrje të tjera do të ndiqnin shembullin e saj.
Derisa në vitin 1938, në shembullin e Ford që në vitin 1926 kishte nisur të mbyllte fabrikat e tij të shtunën dhe të dielën (për të mos krijuar hatërmbetje si te sindikatat, ashtu edhe të grupimet fetare që shenjtëronin të dielën) u prezantua java e punës me 40 orë me ligjin “Fair Labor Standards” dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë praktikë që java e punës të ishte 5 ditë, gjë që më pas u aplikua nga e gjithë bota.
Në dekadat pasuese, veçanërisht në 1940, 1950 dhe 1960, një numër në rritje vendesh adoptoi formulën premte-shtune ose shtune-diele për pushimin e javës, për t’u harmonizuar me tregjet ndërkombëtare të dominuara nga anglosaksonët, që ishin edhe fituesit e luftës.
Dhe një serë reformash të javës së punës të viteve 2000 kanë bërë që një pjesë e madhe e vendeve të botës arabe të sinkronizohej me pjesën më të madhe të vendeve të tjera të botës, në aspektin e orëve të punës, zgjatjes së javës së punës dhe ditëve të fundjavës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re