Profeti Muhamed (a.s) përshkruhet në Kuran si “Mëshirë për botët”. Kuptohet se ai, ashtu siç është një mjet mëshire për gjithë njerëzimin, ai është dërguar si mëshirë dhe për fushën e krijesave jonjerëzore.
Në fakt, ai është njëkohësisht dhe profeti i xhindeve, për ekzistencën e të cilëve ne kemi dijeni.
Ai është profeti i komandantëve, administratorëve, drejtuesve dhe kryefamiljarëve, si dhe profeti i ushtarëve në ushtri, i njerëzve të thjeshtë dhe i individëve në familje.
Ai është mëshirë për gjithë kafshët, që Allahu i ka krijuar që t’i shërbejnë njeriut, për të varfrit, të cilët përbëjnë shtresën e ulët të shoqërisë, për të vejat, jetimët dhe fëmijët.
Falë tij njerëzit nuk i torturuan më kafshët, nuk e përbuzën më të varfrin, nuk ia morën pasurinë jetimit dhe nuk vranë më fëmijë. Për këtë arsye, mund të themi se profeti Muhamed (a.s) ishte “profeti i mëshirës” për të gjithë fushën njerëzore.
Shembujt më të mirë të aspektit njerëzor, në lidhje me fëmijët, mund t’i gjejmë tek ai. Përveç të qenit një njeri i zakonshëm, ai ishte një individ i jashtëzakonshëm, i cili dinte si të sillej me fëmijët.
Nga ana tjetër ai ishte një mësues i madh, i cili në atë kohë nxori në pah shumë fakte, të cilat psikologët e fëmijëve i kanë parashtruar vetëm sot.
Me këto cilësi të veçanta ai ishte baba, gjysh, i cili u dha fëmijëve një vend të veçantë në jetën e tij dhe kjo duhet të shqyrtohet me kujdes dhe duhet marrë mësim prej tij. Ai ishte edukator i fëmijëve dhe fitoi dashurinë e tyre.
Takimi i parë me fëmijët në Medinë
Viti 622… dy burra të lodhur nga një udhëtim i gjatë, Muhamedi (a.s) dhe Ebu Bekri (r.a), i arrijnë përfundimisht disa ditë më vonë myslimanët nga Medine, të cilët kanë ardhur t’i takojnë ata në kodrat e “Senijetul-Veda”.
Ata që po vinin nga Medina, ishin djem dhe vajza të veshur me rrobat më të mira, duke u rënë tambureve dhe duke kënduar një këngë të gëzueshme “Taleal Bedru Alejna”.
Në atë çast profeti shkoi në anën e fëmijëve, për të treguar haptazi se ai i vlerësonte ata dhe u jepte rëndësi dhe t’i informonte ata për këtë. Ai i pyeti fëmijët: “A më doni?” Ata u përgjigjën njëzëri: “Po, të duam shumë o i dërguar!”
Pastaj duke u dhënë lajme të mira dhe duke i përgëzuar, profeti tha: “Betohem se dhe unë ju dua”.
Këto përgëzime u bënë kaq të fuqishme dhe të gjera, saqë përfshinë gjithë Epokën e Lumturisë dhe përfshinte të gjithë fëmijët.
Të paktën fëmijët ishin të lumtur, sepse kishin një profet, i cili i vlerësonte, i donte, u jepte rëndësi dhe dëshironte që ata të duheshin, të viheshin re dhe të ishin nën kujdes.
Vlera që profeti u dha fëmijëve
Në një hadith profeti ka thënë: “Nëse nuk do të kishte qenë për kujdesin ndaj fëmijëve, për pleqtë dhe kafshët në kullota, do t’ju përfshinte katastrofa“ (Heysemi, Mecmauz-Zevaid).
Kështu ai theksoi, se foshnjat janë faktori i parë që parandalojnë zemërimin hyjnor. Në të gjitha lidhjet që ai kishte me fëmijët, vihet re sa shumë i vlerësonte ata.
Vlera e vajzave
Në disa shoqëri djemtë trajtohen si superiorë ndaj vajzave. Megjithatë ky qëndrim mbizotëronte në mënyrë të dhunshme në shoqërinë arabe në kohën e injorancës.
Ata arritën deri në atë pikë, sa i varrosnin vajzat e porsalindura të gjalla dhe kjo filloi të shihej si e lejuar.
Profeti e ndaloi këtë diskriminim ndërmjet djemve dhe vajzave dhe u përpoq ta largonte këtë traditë “djemtë më superiorë se vajzat”, që ishte përhapur shumë.
Shumë shpejt njerëzit e eliminuan këtë traditë dhe filluan t’i konsideronin fëmijët, djem apo vajza, si dhurata të Allahut.
Në shumë hadithe në lidhje më këtë temë, profeti ka thënë: “Kush ka tre (ose dy ose një) vajza ose motra, i trajton mirë dhe nuk preferon djemtë më shumë se ata dhe i edukon mirë, Allahu do t’i bëjë ato mburojë nga zjarri dhe do t’i dërgojë në parajsë” (Ibn Maxhe, Tirmidhiu, Ebu Davudi).
Kjo ngjarje u jep prindërve lajmin e mirë, se ata do të shpërblehen për dhembshurinë dhe mëshirën e tyre ndaj vajzave. Aishja transmeton: “Erdhi një grua tek unë.
Ajo kishte dy vajza dhe kërkonte ushqim. Unë kisha vetëm një hurmë dhe ia dhashë. Gruaja e ndau në dy pjesë dhe ua dha vajzave, ndërsa për vete nuk mbajti asgjë.
Ato u larguan. Më vonë erdhi profeti dhe unë i tregova se çfarë kishte ndodhur. Ai tha: “Kushdo që i ndihmon dhe i trajton vajzat në këtë mënyrë, vajzat do të jetë mburojë për të nga zjarri i xhehenemit”.
Rëndësia që i jepet mbrojtjes së fëmijëve
Studimet për ndjenjën e “mbrojtjes së një pasardhësi” që është instinktive tek të gjitha krijesat e gjalla, bëjnë të ditur se kjo është një prej ndjenjave më të rëndësishme që ka personaliteti i njeriut.
Me këtë hadith, profeti parashtron shpjegimin më të kënaqshëm për rrënjët e kësaj ndjenje: “Allahu e ka ndarë mëshirën e Tij në 100 pjesë. 99 pjesë i ka mbajtur dhe në tokë ka zbritur një pjesë.
Për shkak të kësaj mëshirë të zbritur, kafshët ecin me kujdes që të mos vrasin të vegjlit e tyre”. (Buhariu, Muslimi).
Duke shpjeguar se burimi i kësaj ndjenje, që ka çdo krijesë e gjallë, është hyjnore, profeti thotë në një hadith tjetër: “Ata që duhet të mbrojnë familjen dhe fëmijët e tyre dhe vriten për këtë arsye, janë dëshmorë”.
(Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, Nesai). Pra, ai thotë, se ndjenja e “mbrojtjes së fëmijës” që është instinkt që e kanë njerëzit, kur bëhet një mënyrë sjelljeje, do të ketë një shpërblim të madh si “të rënit dëshmor”.
Dashuria dhe interesi i treguar për fëmijët
Ekspertët e psikologjisë së fëmijëve e quajnë dashurinë e treguar ndaj fëmijëve si “vitaminë të rritjes”, sepse nga hulumtimet dhe studimet, ata kanë arritur në përfundimin, se asnjë mjedis fizik ose kujdes nuk mund ta zëvendësojë vendin e dashurisë.
Nga ana tjetër, dashuria luan një rol shumë në rëndësishëm në shoqërizimin e fëmijës. Kur këto fakte merren parasysh, është e qartë sesa e rëndësishme ka qenë dashuria dhe interesi i profetit për fëmijët. Më poshtë do të japim disa shembuj, që duhet të ndiqen.
Përqafimi: Kohët e fundit janë bërë disa studime për ndikimin e njerëzve tek njëri-tjetri dhe ka rezultuar se prekja fizike është shumë efektive. Është fakt se fëmijët, të cilët janë akoma në fazën e zhvillimit emocional të fëmijërisë, kanë më shumë nevojë për dashuri.
Është detyrë e prindërve që kjo gjë të arrihet. Në lidhje me këtë në jetën e profetit ka shumë shembuj:
Enesi tregon, se profeti (a.s) ishte shumë i dashur me Ibrahimin dhe kur ai ishte në shtëpinë e mëndeshës së tij, profeti shkonte çdo ditë dhe e përqafonte, e puthte dhe luante me të.
Shokët e profetit kanë treguar shpesh, se profeti (a.s) shkonte tek Hasani dhe Huseini, ose ndonjëherë i thërriste të shkonin tek ai, i përqafonte dhe i puthte ata. Ai nuk e kishte këtë sjellje vetëm me fëmijët e tij, por me të gjithë fëmijët.
Ibn Rabia b. Al-Haris tregon: “Babai na dërgoi mua dhe Fazilin, djalin i Abasit, tek profeti (a.s). Profeti (a.s) na uli afër tij dhe na përqafoi fort, nuk kishim parë më të fortë se ai”.
Lutja: Kur fëmijët dëgjojnë se prindërit luten për ta, ndjejnë se ata i duan. Kjo i bën ata më fortë psikologjikisht dhe i bën të ndihen të dashur.
Shumë fëmijë të shokëve të profetit, për të cilët profeti u lut, janë dalluar në planin material gjatë gjithë jetës së tyre.
Gjithashtu ata ndjenë dhe kënaqësinë shpirtërore. Në veçanti Enesi, për të cilin profeti u lut “shumë fëmijë dhe shumë pasuri, jetë të gjatë dhe gjërat që t’i jepen të jenë të mira dhe të bekuara”, jetoi më shumë se 100 vjet dhe brenda mirësisë së lutjes, mori shumë të mira.
Aishja tregon, se profeti (a.s) ka thënë se lutja e një babai për fëmijën e tij është një prej lutjeve të pranuara dhe ai ua rekomandoi këtë njerëzve. Ai lutej gjithashtu për fëmijët, të cilët ia dërgonin atij për arsye të ndryshme.
Usame b.Zaid tregon: “Profeti më ulte në njërin gju dhe në tjetrin nipin e tij Hasanin, na përqafonte dhe thoshte: “O Zot! Trajtoji me mëshirë, sepse dhe unë jam i mëshirshëm me ta”. (Buhariu)
Vajza e Abdullah et-Teminit, Xhamri, tregon: “Babai më dërgonte tek profeti dhe i kërkonte të lutej për mua. Profeti më ulte në prehër, e vendoste dorën në ballin tim dhe lutej për mua”. (Askalani, Ibn Haxher, el-Isabe)
Puthja: Puthja është shprehje e dashurisë dhe profeti e praktikonte shpesh. Burimet tregojnë, se ai e puthte vajzën e tij Fatimen dhe nipërit e tij Hasanin dhe Huseinin (Ebu Davudi, Tirmidhiu) Ai ua rekomandonte këtë dhe të tjerëve.
Një burrë i quajtur Akra b. Habis pa profetin, tek po puthte një prej nipërve të tij, u habit nga ky fakt dhe tha: “Unë kam dhjetë fëmijë, por nuk i kam puthur asnjëherë”. Profeti ia përgjigj: “Ai që nuk mëshiron nuk do të mëshirohet” (Buhariu, Tirmidhiu).
Shakatë: Dihet se shakatë janë të rëndësishme për fëmijët. Tregohet se profeti bënte shaka të matura dhe kuptimplota, të cilat në të njëjtën kohë kishin plot urtësi dhe udhëzime për nipërit e tij dhe për fëmijët e tjerë.
Një shok i quajtur Mahmud b. Rabi tregon, se kur ishte 5 vjeç, profeti (a.s) kishte marrë pak ujë nga një kovë dhe ia kishte hedhur në fytyrë, të njëjtën gjë kishte bërë dhe me fëmijët e tjerë” (Buhariu).
Mbajtja në shpinë: Profeti e praktikonte shumë këtë gjë. Sa herë që shkonte për vizitë tek vajza e tij Fatima, ai i hipte në shpinë nipërit e tij (Hasanin dhe Huseinin) si shenjë dashurie. Njëherë ai u fal me mbesën e tij Umame në shpinë.
Tregohet njëherë, se megjithëse profeti tha 60 ajete gjatë një rekati të namazit të mëngjesit, ai tha vetëm një prej ajeteve më të shkurtra në rekatin e dytë, sepse kishte dëgjuar një fëmijë të qante.
Kur e pyetën përse e bëri këtë, ai u përgjigj: “Dëgjova një fëmijë të qante, kështu që e shkurtova namazin, që nëna e tij të mos shqetësohej./m.i/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re