Me rritjen e temperaturave nis të prishet ekuilibri hidrik i organizmit të fëmijës, pasi lëngjet avullojnë më shumë dhe më lehtë nga djersa, frymëmarrja etj

Rritja e temperaturave shton problemet me fëmijët e vegjël. Shqetësimet më të shpeshta janë temperaturat e larta dhe diarreja. Pediatri Gugash Cerga jep disa këshilla si duhet të veproni nëse fëmija juaj “sëmuret nga vapa”, çfarë mund të përdorni dhe si të shmangni komplikacionet:

familje plazh femijeDoktor, pse fëmijët janë “viktima” më e lehtë e temperaturave të larta?

Organizmi i fëmijës është i tillë që lëngjet zënë 60-80 % të të  gjithë përbërësve të tij, ndërkohë që te fëmijët e vegjël ky raport është në përqindje më të lartë. Si i tillë, organizmi i fëmijës ka nevojë të “ushqehet” vazhdimisht me lëngje. Së dyti me rritjen e temperaturave nis të prishet ekuilibri hidrik i organizmit të fëmijës, pasi lëngjet avullojnë më shumë dhe më lehtë nga djersa, frymëmarrja, etj. Kështu nëse fëmija nuk merr sasinë e lëngjeve dhe kripërave minerale të duhur, nis të shfaq probleme të dehidratimit.

Si reagon organizmi ndaj dehidratimit?

Dy janë problemet më të shprehura: temperatura dhe diarrea.

E para vjen si pasojë e mos balancimeve të temperaturës së trupit me ambjentin e jashtëm. Ndërsa e dyta ka për origjinë disa probleme të tjera. Së pari nga mos marrja e rregullt e lëngjeve në sasinë dhe cilësinë e duhur, dhe së dyti nga marrja e produkteve ushqimore të ruajtura dhe të gatuara në kushte jo të mira higjeno-sanitare.

Çfarë shenjash shfaq fëmija?

Fëmija përveç temperaturës që mund të shkojë deri në 38 ose më shumë, mund të ketë të vjella, diarre, këputje, dobësi të përgjithshme, mungesë oreksi, etj. Mund të ndodhë që fëmija të mos i shfaq njëherësh të gjitha këto simptoma, por vetëm njërën prej tyre.

Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?

Që me shfaqjen e shqetësimeve të para duhet të drejtoheni sa më parë te mjeku i familjes. Pavarësisht se ato mund të duken gati “banale”, prindërit duhet ti vlerësojnë seriozisht.

Madje gjatë stinës së nxehtë, ne i rekomandojmë prindërit që të tregojnë një kujdes të vazhdueshëm rreth sasisë së lëngjeve që marrin fëmijët, të vërehet sasia e lëngjeve që merr apo që humb gjatë ditës dhe kur kryen aktivitet fizik.

femije mamiÇfarë komplikacionesh mund të japë dehidratimi?

Humbja e lëngjeve të organizmit bën që të ketë rënie të theksuar, progresive në peshë dhe më pas ulje të imunitetit të fëmijës. Kjo e fundit bën që fëmija të preket shumë më lehtë nga pathologjitë me origjinë virale apo dhe bakteriale që qarkullojnë gjatë stinës së nxehtë.

Çfarë këshilloni për të parandaluar këto probleme?

Së pari këshillohet që fëmija të qëndrojë të ambiente të freskëta, të ajrosura mirë, pa korrente ajri dhe me lagështirë të përshtatshme. I vogli nuk duhet të qëndrojë në diell, sidomos në orët e pikut nga ora 11 deri në 16. Fëmija duhet të pijë sa më shumë lëngje, por gjithmonë duke ”respektuar” nevojat e tij: çfarë lëngjes do ai, kur do dhe sa ka nevojë ai. Ashtu si i rrituri, ai është në gjendje të kuptojë vetë se kur dhe sa etje ka. Rekomandohen lëngjet e frutave sa më të frekëta, çajrat e ndryshme , por dhe vetëm ujë nëse kështu preferon fëmija. Por për të ruajtur një ekulibër të mirë hidrik, shërben dhe një dietë sa më e pasur me zarzavate dhe me fruta të freskëta.

Një kujdes i veçantë duhet kushtuar dhe higjenës së gatimit dhe ruajtjes së ushqimeve.

 

Botuar në Gazeta Shëndeti, shtator 2014

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re