Nga Silvana Kola-Loka

(Psikologe)

Kjo ishte pyetja që shtronte një mikeshë, e cila më vuri në mendime. Çfarë do të thotë ‘t’iu mësosh’ fëmijëve gjërat e duhura?

Kjo më poshtë ishte përgjigja ime:

“E di që kjo do të të them rrezikon të duket si klishe, por unë e besoj fort: nuk kemi nevojë t’iu mësojmë asgjë fëmijëve; gjithçka kemi detyrimin të bëjmë (si prindër) është TË JEMI:

-të jemi vazhdimisht të pranishëm në jetën e tyre kështu ata mësojnë se i përkasin diçkaje të madhe siç është tjetri dhe familja;

-të jemi vazhdimisht mbështetës për çdo frikë, pasiguri, gabim, etj, kështu ata mësojnë se të jesh njeri nuk do të thotë të jesh ‘i përsosur’, në fakt është krejt e kundërta;

-të jemi dhe t’iu japim pa kushte dashurinë kështu ata mësojnë se kanë vlerë dhe nuk duhet të bëjnë asnjë sakrificë për ta merituar dashurinë tonë;

-të jemi të dashur dhe të vërtetë me njëri-tjetrin (si bashkëshortë) kështu ata mësojnë rolet e shumëfishta që do kenë në jetë dhe rëndësinë e të qëndruarit të vërtetë ndaj vetes…

Dhe lista do të ishte e gjatë, asnjëherë shterruese.

Unë nuk mendoj se duhet t’iu mësojmë fëmijëve.

Unë mendoj se jemi ne që duhet të mësojmë vazhdimisht të jemi, çdo ditë më të mirë se një ditë më parë. Kështu sigurojmë që fëmija nuk rritet duke mësuar por rritet duke qenë.

Dikur, kur isha ende një nënë e re (vajza ime e parë ishte 2-3 vjeç), ime më ka dhënë këshillën më të çuditshme që unë mund të prisja prej saj. Teksa shikonte pasionin tim për të folur gjatë me vajzën time (sipas meje gjithçka mund të ishte një pikënisje e shkëlqyer për të biseduar), ajo më thotë:

-Mos i fol vajzës gjithë kohën! Mos ia trego të gjitha gjërat që mendon! Mos i kërko të të tregojë gjithçka që mendon! Hesht se heshtja i bën fëmijës më mirë sesa fjala!

Mamaja ime kishte qenë mësuese në ciklin fillor gjithë jetën. Unë kisha kohë që kisha filluar të jepja mësim në universitet dhe të punoja si psikologe. Të dyja flisnim gjatë me njëra-tjetrën, sa herë na jepej mundësia. (Kaq mjafton për të patur një ide lidhur me rëndësinë që kishte fjala për atë dhe për mua.) E megjithatë ajo më këshillonte të heshtja…

Dhe unë mësova të hesht…

Dhe unë mësova të jem… Mirë apo keq, unë mësova të besoj në fuqinë e të qenit gjithmonë aty për fëmijët e mi dhe kjo është një ndër ‘mësimet’ më të bukura që dikush më ka dhënë për të rritur fëmijë të lumtur dhe dinjitoz…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re