Në një intervistë të dhënë nga gazetari Erjon Skëndaj në emisionin “Herët në MCN” është ngritur si shqetësim mungesa e mjekëve primarë në Urgjencat pranë Spitalit Universitar “Nënë Tereza”.

Sipas gazetarit Skendaj çështja ka filluar të bëhet problematike në vitin 2017 ku pati një dorëheqje kolektive të 12 mjekëve të urgjencës e cila nuk paraqitet me kushtet më të mira sot. Ky largim i mjekëve në fakt erdhi si pasojë e kushteve të kësaj urgjence, numrit dhe fluksit të lartë të pacientëve që prisnin
për të marrë shërbime dhe ku numri i pacientëve shkonte në 70-80 brenda 24 orëve dhe numri i shtretëve ka qenë dhe vazhdon të jetë vetëm 20 në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme.

Gjithashtu gazetari shton se para disa vitesh situata paraqitej e rënduar për sa i takon numrit të pacientëve që numëroheshin rreth 80 në ditë dhe ishte praktikisht e pamundur që 4 mjekë të jepnin shërbim fillestar e më pas shërbim cilësor këtyre pacientëve. Në fjalën e tij për paraqitjen e situatës ai tregon se në QSUT ka pasur 3 Urgjenca, Urgjenca e Infektivit, e cila arrinte numrin maksimal me 100 ose 200 pacientë në pikun e rasteve të infektimeve si gripi sezonal apo viroza të tjera; Urgjenca e Kirurgjisë e cila priste 130- 150 urgjenca në ditë dhe Urgjenca e Sëmundjeve të Brendshme e cila priste rreth 150, por që fluksin më të madh e kishte përgjatë paradites.

Situata u rëndua edhe më tepër në fillim të pandemisë, ku u mbyll Urgjenca e Infektivit ku të gjitha rastet u trajtuan tek Urgjenca e Sëmundjeve të Brendshme. Në fillim të janarit u mbyll edhe urgjenca e Kirurgjisë dhe kjo shkaktoi një numër të lartë të pacientëve që donin të merrnin shërbim pranë ambienteve të Urgjencës.

Pyetjes nëse pacientët e marrin realisht shërbimin apo mjekët janë të detyruar që të bëjnë një përzgjedhje të rasteve që janë më rëndë, gazetari Skendaj, i përgjigjet kështu:

“Aty ka një ambient të triazhimit ku hyn pacienti ku i bëhen vizitat paraprake. Unë kam qenë disa herë aty edhe si gazetar edhe si shoqërues i pacientit që ka qenë babai im. Aty mjekët janë nën presion të vazhdueshëm për shkak të rasteve të shumta që shfaqin nevojën për kujdesin e personelit mjekësor.
Aty, mund të ketë 70 deri ne 80 persona të shtrirë në të njëjtën kohë, korridori i fundit është bërë tamam si spital lufte ku janë shtretërit nga të dyja anët. Çfarë mund të bëjnë mjekët në këtë situatë?

Specializantët nuk po i fusim sepse ata nuk kanë tagër për të vendosur diagnoza, pra domosdoshmërisht duhet të vijë mjeku primar që të vendosë diagnozën.

Pra, kemi një situatë lufte dhe nuk duhet harruar se janë po ata mjekë që kanë dhënë dorëheqjen, që kanë hedhur shtetin në gjyq për mos pagesë të mungesë të dëmshpërblimit të bonusit për periudhën e pandemisë sepse kanë trajtuar mbi 2000 mijë raste covid-19 dhe nuk kanë marrë kokërr leku.”

Në kushte të tilla ku numri i pacientëve kalon kapcitetet spitalore dhe ku numri i mjekëve është i pamjaftueshëm për të dhënë shërbime të kujdesit mjekësor, situata shfaqet e rënduar dhe nevojitet ndëryrja e institucioneve kompetente për të përmirësuar situatën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re