Të gjithë me sytë nga lideri. I pari Ronald Kuman që e adhuron, pastaj tifozët dhe shokët e skuadrës. Kombëtarja e futbollit total sot në kopertinë ka vendosur Virxhil Van Dajkun, mbrojtësin potent dhe elegant, kapitenin e një grupi pa yje dhe pa individë që mund të bëjnë diferencën.

Trajneri Kuman i hapi portat e Premier Ligës duke e transferuar nga Sëlltiku drejt Sauthemptonit. Pak javë më vonë debutoi edhe më kombëtaren, ndërsa 3 vite më vonë mori edhe shiritin e kapitenit që ndodhet ende në krahun e tij muskuloz. Por e çuditshmja është që ky Europian është i pari në karrierën e mbrojtësit të Holandës. Në moshën 32-vjeçare ka shansin e artë për të rikthyer lavdinë në një ekip që vitet e fundit nuk konsiderohet kandidat potencial për të fituar Europianin.

U zbulua vonë, por edhe fati nuk ka qenë me të. Në vitin 2016 Holanda nuk u kualifikua në Europian, në vitin 2020 kur Virxhil ishte në superformë dhe një nga lojtarët më të mirë të momentit, ky kompeticion u shty për shkak të COVID-19. Dhe ai pësoi një dëmtim të rëndë që e la jashtë fushës së lojës për një kohë të gjatë. Këputi ligamentet e gjurit dhe iu desh që ta shihte nga televizori. Por ja ku është shansi i artë tani. T

ë gjithë holandezët i kanë sytë te gjiganti i mbrojtjes që sfida të mëdha i ka përballuar me sukses. Me Liverpulin fitoi praktikisht gjithçka duke qenë lideri i skuadrës. Di ta menaxhojë presionin dhe stresin që ka një lojtar i tillë. Van Dajk dhe Holanda janë thirrur në apel në këtë Europian. Nuk kanë bindur deri tani në ndeshjet e para, por kanë mundësi që të rregullojnë gabimet. Në të shkuarën kanë qenë pak centimetra nga lavdia, por nuk e kanë arritur. Kanë flirtuar me trofetë ndërkombëtarë, por kanë dështuar.

Këtë sezon, Van Dajk ka qenë si një mburojë i rrethuar nga djemtë e rinj të Liverpulit, pak a shumë si në kombëtaren e Holandës. Firmën e vendosi në një finale të Karabao Cup kundër Çelsit. Për Van Dajkun do të nisë një jetë e re tani, pa Klopin në stol.

Por Kumanin që e adhuron e ka në kombëtare. Të dy bashkë mund të bëjnë ëndrrat realitet. “E dimë që kemi shumë presion dhe kritika. Gjithmonë ka vend për përmirësim, por jam i bindur që mund të shkojmë larg”, ka thënë kapiteni. Holanda është me sytë nga ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re