Bisedoi: Iliada Kovaçi

Mënyra e jetesës apo qëndrimi i zgjatur para kompjuterit në pozicion të gabuar është një ndër shkaqet kryesore të deformimit të shtyllës kurrizore, i cili mund të na çojë deri në skoliozë. Po çfarë është skolioza? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dhe shumë informacioneve të tjera të rëndësishme gazeta Shëndeti ka kryer një intervistë me fizioterapistin Endrit Mone.

Doktor, çfarë është skolioza?

Skolioza është një devijim i shtyllës kurrizore, mund ta përkufizojmë si një devijim në të treja planet dhe dimensionet, i cili prek të gjitha nivelet e shtyllës kurrizore. Gjëja e cila e karakterizon më tepër skoliozën dhe na ndihmon ne ta zbulojmë më shpejt është asimetria trupore. Kjo asimetri është një asimetri shpesh e dukshme me sy të lirë e cila mund të jetë në nivelin e shpatullave, supeve, asimetri në nivelin e gjunjëve apo të shputave.

Si mund ta zbulojmë?

Siç thamë, një nga karakteristikat e skoliozës është asimetria trupore dhe pikërisht kjo është një nga mënyrat sesi ne mund ta zbulojmë. Ka momente të ndryshme gjatë jetës që skolioza mund të zbulohet. Në momente të tilla kur fëmija mban një qëndrim të gabuar, ecën më i mënjanuar, kur është duke u ndërruar ose gjatë orës së fiskulturës në shkollë kur kryen aktivitet fizik etj., dhe pikërisht në të tilla momente prindi apo qoftë mësuesi mund të vejë re një lloj asimetrie. Në 70-80 % të rasteve skolioza nuk shoqërohet me dhimbje prandaj është asimetria trupore ajo që na bën ta kuptojmë e të drejtohemi tek mjeku specialist. Mënyra sesi ne mund ta zbulojmë një skoliozë përveç asimetrisë trupore është gjithashtu përmes grafisë. Pra skoliozë emërtohet çdo deformim i shtyllës kurrizore mbi 10 gradë.

Në çfarë moshe shfaqet?

Skolioza mund të prekë pa përjashtim të gjitha grupmoshat. Duke nisur që prej linjdes, skoliozat kongenitale, skoliozat që lindin me probleme neuro- muskulare dhe pastaj vijnë skoliozat idiopatike që përbëjnë 80 % të rasteve të cilat nuk e kanë një shkak real. Quhet e tillë për të vetmin fakt se nuk dihet shkaku nga se shfaqet. Janë 80% të skoliozave idiopatike të cilat marrin trajtim të nevojshëm dhe që mund të japin shumë rezultate pozitive ndryshe nga dy kategoritë e lartpërmendura

Cilat janë llojet e skoliozës?

Kemi skoliozat e lindura të cilat i përkufizojmë si skolioza kongenitale dhe më pas vijnë skoliozat që lindin me problem neuro-muskulare, pra janë dy kategori të veçanta të cilat janë shumë vështirë të trajtohen pasi nuk kanë një sens logjik të trajtimit. Më pas vijnë skoliozat idiopatike të cilat përbëjnë edhe 80% të rasteve të cilat nuk kanë një etiologji nga e cila mund të jetë shfaqur skolioza. Pikërisht këtë ka të veçantë dhe kjo lloj patologjie pasi nuk ka një arsye nga se mund të shfaqet. Janë 80% të skoliozave idiopatike të cilat marrin trajtim të nevojshëm i cili mund të jape shumë rezultate pozitive ndryshe nga kategoritë e mëparshme.

Skolioza është një deformim i shtyllës kurrizore i sistemit kockor i cili me pas pasohet nga asimetri trupore muskulo-skeletike në të tjera nivele. Ndërsa një posturë e keqe jo detyrimisht është skoliozë. Ajo është një keqqëndrim i trupit i cili prish balancën e trupit por jo detyrimisht mund te prishë kolonën, pra sistemin kockor

Sa i rëndësishëm është zbulimi i hershëm i skoliozës?

Sa më shpejt të diagnostikohet aq më shpejt ne mund ta trajtojmë. Mënyra më efikase e trajtimit është diagnostikimi i hershëm pasi deri në moshën 16-18 vjeç është kufiri kur ne mund ta trajtojmë atë derisa trupi të arrijë maturimin kockor.

A janë femrat më të prekura? Nëse po cila është arsyeja?

Është e vërtetë që femrat kanë më tëpër predispozitë që të preken nga skolioza. Madje këtu qëndron raporti 7-1. Këtë mund ta lidhim me shumë arsye. Ndër to mund të jenë çështjet hormonale sepse gjatë ardhjes së menstruacioneve tek vajzat skolioza mund të agravojë. Por, nuk është ky faktori kryesor, pasi një raport i tillë që nuk ka një arsye vendimtare se përse janë femrat ato që preken më shumë.

Si trajtohet skolioza?

Fillimisht gjëja më e rëndësishme që mund të themi është se mënyra e trajtimit varion fillimisht në bazë të gjinisë, moshës dhe gradëve. Mënyrat e trajtimit janë tre. I pari është trajtimi fizioterapeutik i cili është një trajtim që kryhet në gradët e para (10 -25 gradë) e trajtohet me anë të fizioterapisë me metoda specfike pasi jo çdo lloj aktiviteti mund të jetë në benefit të skoliozës por mund të kemi edhe gabime në trajtimin e saj si pasojë e zgjedhjes së mënyrës së gabuar. Më pas kemi trajtimin me bust, trajtim i cili kryhet kur skolioza ka agravuar 25 deri në 40 gradë dhe trajtimi tjetër është trajtimi kirurgjikal i cili kryhet kur skolioza është ritur në 40 apo më tepër gradë.

A përkeqësohet gjendja e një pacienti me skoliozë me kalimin e kohës në rast se nuk merr trajtimin e duhur?

Çdo rast me skoliozë qoftë ai një rast në fazat e para apo në ato më të rënda duhet të marrë trajtimin e duhur pasi skolioza në vetvete vetëm agravon. Ka raste të tilla kur ajo mund të ndalojë në atë stad që është por trajtimi është shumë i rëndësishëm. Sidomos në grupmoshën 9-16 vjeç pasi kjo është pikërisht grupmosha më e prekur dhe mbi të gjitha grupmosha ku ato deformime mund të korrigjohen më lehtë pasi ende nuk ka ndodhur maturimi kockor. Pas maturimit kockor (18 vjec) është më e vështirë që skolioza të trajtohet apo korigjohet, por jo e pamundur, gjithmonë duke zgjedhur metodat e duhura të trajtimit. Pacientët me skoliozë kanë nevojë gjithnjë për një trajtim specifik me fizioterapi apo bust korrigjues e në rastet e nevojshme trajtimin kirurgjikal.

Cilat janë ato raste të cilat duhet t’i nënshtrohen kirurgjisë me patjetër?

Trajtimi kirugjikal është një trajtim i cili bëhet vetëm kur është i domodoshëm. Si në raste të tilla në moshë të vogël duke marrë shembull një fëmijë 10-11 vjeç me skoliozë 40-45 gradë. Këto janë raste të cilat kanë premisa që në vitet e ardhshme deri në maturimin kockor kjo skoliozë mund të rritet. Trajtimi fizioterapeutik është jo efikas për përmirësimin e skoliozës në vetvete por efikas për përmirësimin e gjendjes psikologjike, emocionale dhe muskulare por jo në uljen e gradëve. Trajtimi me bust korrigjues mund të ndihmojë në stopimin e rritjes së gradëve por është e vështirë që ti ulë gradët dhe në të tilla raste duhet ndërhyrja kirurgjikale që të jetë e efektshme dhe të mos kemi probleme më pas. Në rastet e nevojshme kirurgjia është shumë e domosdoshme sidomos në ato raste kur trajtimi fizioterapeutik apo me bust nuk ka rezultat.

A kanë qenë të shumta këto raste së fundmi?

Fatkeqësisht në vendin tonë nuk ka ende të dhëna shkencore të cilat na deklarojnë se në vitet e fundit numri i pacientëve të prekur me skoliozë është rritur. Mund të them se rastet me skoliozë kanë ekzistuar gjithnjë, ka patur raste kur kanë marrë trajtimin e gabuar por tashmë duke nisur që tek prindërit dhe fizioterapistët kanë një informacion më të madh dhe po diagnostikohet  gjithnjë e më herët.

Çfarë efektesh të tjera anësore sjell në shëndet skolioza?

Ashtu sikurse çdo patologji tjetër edhe skolioza ka disa efekte anësore të cilat mund të reflektohen në dëmtimin e aktivitetit fizik, aktivitetin social apo dhe ne organet jetësore të njeriut.

Si është raporti krahasuar me vitet e mëparshme? A po shtohen rastet e prekura me skoliozë? Nëse po tek cila grupmoshë?

Ende nuk ka një studim shkencor që na vërteton se në vitet e fundit janë shtuar rastet e prekura me skoliozë por mund të them se skolioza si patologji ka ekzistuar gjithnjë por mund të jetë trajtuar në mënyrë të gabuar. Tashmë mund të them se shumica e prindërve kanë më tepër informacion dhe rastet që kemi tani po diagnostikohen më herët. Grupmosha me e prekur eshte 6-16 vjeç.

 

A ka ndikuar pandemia në rritjen e numrit të personave të prekur nga skolioza?

Pandemia deri diku mund të ketë ndikuar me përkeqësimin e një posture si pasojë e mungesës së aktivitetit fizik dhe zhvillimin e mëtejshëm të një skolioze apo dhe shumë faktorë të tjerë por nuk ka ende disa të dhëna ekzakte të cilat e vërtetojnë se pas pandemisë është shtuar numri i personave që vuajnë nga skolioza.

Sipas një studimi të bërë së fundmi nga institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë rezultuar të diagnostikuar me skoliozë 830 persona ku ndër to, 342 janë fëmijë dhe 42 raste janë vetëm në Elbasan. Po ashtu ka një numër të lartë të fëmijëve edhe në Korcë. Çfarë mund të thoni lidhur me këto të dhëna?

Lidhur mbi këtë çështje unë mendoj se këto shifra nuk janë aspak reale.  Pasi kam qenë dhe prezent në mbledhjen e komisionit parlamentar të shëndetit ku u fol mbi depistimin e skoliozave  nëpër shkolla e cila është një ndër iniciativat më të mira që mund të merren për fëmijët. Këto shifra janë shumë të pakta në krahasim me rastet të cilat janë vërtetë.

Çfarë këshillash mund të na jepni?

Këshilla më e mirë që mund të jap është diagnostikimi, parandalimi dhe informimi në kohën e duhur dhe sa më shpejt këto të ndodhin aq më mirë do të jetë për të ulur riskun për prishjen e një stabiliteti trupor të fëmijës. Duhen bërë kontrolle rutinë të paktën një herë në vit para nisjes së vitit akademik me mjekun specialist, ku nëpërmjet tij mund të marrin informacione të nevojshme se kur do të jetë koha për të kryer grafinë e rradhës, për të marrë informacionin e duhur mbi të dhënat trupore gjithashtu. Në rast se këto të dhëna kanë filluar të rriten vit pas viti atëherë kontrolli mund të bëhet çdo 6 muaj  dhe në raste të veçanta mund të kryhet edhe më shpesh. Përmes këtyre ekzaminimeve arrijmë të masim edhe gradët e caktuara dhe nxjerrim një konkluzion nëse kemi të bëjmë më një skoliozë e cila duhet trajtuar apo thjesht duhen kryer kontrolle rutinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re