Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Skrapar

Prej tre muajsh, ndërmarrjet në varësi të Bashkisë në Skrapar nuk morën fonde për aktivitetin e tyre, qytetarëve u munguan  shërbimet dhe punonjësit mbetën pa paga. Më 13 Mars, Ministria e Financave vendosi që t’i japë mundësinë bashkisë që të veprojë me 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar. Deri në zgjidhjen e problemit në rrugë gjyqësore kjo bashki do të veprojë me 1/12 e buxhetit të vitit që shkoi.

Shërbimet e munguara

“Me fëmijën e vogël në krahë, çdo ditë që prej tre muajsh shkoj në çerdhe me shpresën se ajo do të jetë e hapur dhe se do të ketë ushqim për vajzën time”, shprehet Joana, një nënë e re nga qyteti i Çorovodës. Ajo dhe prindër të tjerë të rinj në këtë qytet e kanë çerdhen zgjidhjen e vetme për qëndrimin e fëmijëve gjatë kohës që janë në punë. Por, çerdhja nën varësi të bashkisë rrezikoi të mbyllej, pasi fondi për aktivitetin e saj nuk  lëvrohej nga bashkia, ndërkohë që punonjësit janë paguar vetëm për muajin Janar, pas vendimit për të vepruar me 1/12 e buxhetit.

“Fillimisht menduan që gjithçka do të ishte çështje ditësh dhe do të zgjidhej shpejt, por po shohin se asgjë nuk po ndryshon. Ne po i mbajmë fëmijët me ushqimin që vetë prindërit sjellin, ndërkohë që prej tre muajsh nuk marrim pagën”, tha Irsa Koprënca, punonjëse e çerdhes, në fillim të muajit Mars.

Të njëjtin problem me furnizimin me ushqim e ka dhe një tjetër institucion i rëndësishëm në këtë qytet, siç është konvikti i nxënësve të arsimit të mesëm. Për shkak të largësisë nga banesat e tyre, shumë gjimnazistë nga fshatrat e njësive administrative e kryejnë shkollën në qytetin e Çorovodës dhe për qëndrimin e tyre, bashkia ka vënë në dispozicion një konvikt që administrohet prej saj.

Prej gati dy muajsh, ushqimet për konviktin i sigurojnë bizneset në këtë qytet, por kjo duket se nuk do të shkojë gjatë. Aty qëndrojnë rreth 40 gjimnazistë dhe stafi i konviktit ndonëse me vetëm një pagesë për këtë vit nuk u ka ndërprerë shërbimin, por, nuk përjashtohen dhe ditët kur kanë munguar ushqimet.

“Biznese të ndryshme të qytetit na janë ofruar. Disa prej dyqaneve ku ne marrin furnizimet nuk na i kanë mbyllur dyert edhe pse nuk u kemi paguar asnjë faturë, por kjo nuk mund të zgjasë kështu pafundësisht”, tha drejtori i konviktit, Dritan Myftari, për Porta Vendore në javën e parë të muajit Mars.

Të njëjtin problem hasi dhe institucioni për personat me aftësi të kufizuar, ku në të qëndrojnë çdo ditë 12 të tillë. “Fëmija im është me aftësi ndryshme, është me probleme të shëndetit mendor dhe unë jam e detyruar që çdo ditë ta sjell në qendër për terapi, por kam shumë frikë se ajo do të mbyllet, sepse punonjësit nuk marrin pagat rregullisht  dhe deri më sot po punojnë vetëm për mos t’i lënë në rrugë fëmijët tanë”, shprehet një nënë në kushtet e anonimatit.

Probleme prej ditësh në këtë qytet pati dhe rrezikon të ketë sërish me pastrimin e rrugëve dhe sheshet. Ndërmarrja e pastrimit nën varësi të bashkisë, prej ditësh nuk largoi plehrat nga koshat dhe nuk bëri pastrimin e qytetit. “Asnjëherë nuk e kisha parë qytetin me mbetje në rrugë dhe në çastin që dola nga shtëpia me qesen me plehra pash që koshi ishte plot dhe kjo nuk ka ndodhur më parë, pasi ne jemi një qytet shumë i pastër”, tha në fillim të muajit Mars Verorja, një zonjë që jeton në qendër të qytetit.

Problemet me shërbimet këtu në Skrapar u mbartën nga dita në ditë. Veç ndërmarrjeve që nuk mund të ofronin dot shërbimet, punonjësit mbetën tre muajsh pa paga. Për këtë, më 6 Mars, punonjës të bashkisë, të mbështetur dhe nga qytetarë, organizuam një protestë. Ata u mblodhën në sheshin e qytetit, përpara zyrave të Degës së Thesarit ku me anë të pankartave në duar kërkuan zgjidhje të problemit.

Pse erdhi konflikti

Shumica socialiste në këshill nuk pranoi miratimin e buxhetit që në mbledhjen e parë më 14 Dhjetor, duke u shprehur kundër pikave për numrin e punonjësve dhe nivelin e pagave, çka hapi një konflikt mes këshillit dhe kryetarit, që mbështet nga LSI.  U desh organizimi i një mbledhje të tretë të këshillit bashkiak që të miratoheshin tre vendime, pjesë e buxhetit, por as drejtuesit e bashkisë, as stafi i saj nuk morri pjesë në të. Porta Vendore ndoqi nga afër mbledhjet e këtij këshilli dhe konfliktin politik.

Edhe pse këshilltarët e majtë janë shprehur në kohën që rrëzuan buxhetin e bashkisë dhe bënë propozimet e reja për pagat dhe numrin e punonjësve, se kjo nuk do të cenonte fondet për shërbimet e bashkisë, kjo nuk ka ndodhur.

“Vendimet e këshillit bashkiak mbi numrin e punonjësve dhe nivelin e pagave bënë që çështjen ta çojmë në gjykatë, pasi ne nuk mund të pranojmë vendime në kundërshtim me ligjin, nuk mund të pranojmë vendime që janë marrë në një mbledhje të jashtëligjshme, e organizuar në mënyrë të jashtëligjshme”, tha kreu i bashkisë, Nesim Spahiu. Megjithatë, këto vendime mbeten të ligjshme derisa gjykata të shprehet për njohjen ose jo të tyre. Madje, vendimi i këshillit bashkiak është miratuar edhe nga prefekti. Kjo ka bërë që kryebashkiaku Spahiu të padisë edhe prefektin Harilla Dafa.

Zgjidhja e përkohshme

Por, pavarësisht se vendimet janë të  ligjshme derisa gjykata të shprehet ndryshe, kryetari Spahiu thotë se nuk do i zbatojë, por do të vijojë veprimtarinë financiare me 1/12 e buxhetit, tashmë të kaluar, deri sa Gjykata Administrative e Apelit, Tiranë  të vendosë mbi njohjen ose jo të tyre. Pas protestës së punonjësve të bashkisë për mos marrjen e pagave, letrave dërguar prej tyre në drejtim të kryeministrit, Avokatit të Popullit dhe Trupit Diplomatik , erdhi një zhbllokim  i situatës. Me anë të një postimi në Facebook, më 13 Mars Kryetari i Bashkisë Skrapar njoftoi qytetarët për zgjidhjen e përkohshme. “Më lejoni të ndaj me ju lajmin e mirë se situata e buxhetit për vitin 2019 për bashkinë tonë mori një zgjidhje. Duam të falënderojmë edhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë që më në fund mundësoi vijimin e Veprimtarisë Financiare me 1/12 e buxhetit Faktik të vitit paraardhës duke respektuar ligjin”, tha kryetari i Bashkisë.

Këshilli bashkiak: Ne e votuam buxhetin

Nga ana tjetër, anëtarët e këshillit bashkiak thonë se Bashkia e Skraparit e ka buxhetin të miratuar, me ndryshimet përkatëse për numrin e punonjësve dhe nivelin e pagave. “Unë isha në mbledhjen e këshillit bashkiak dhe votova për buxhetin, sepse mendoj se buxheti është shumë i rëndësishëm për qytetin, por ne nuk diskutuam në mbledhje asgjë për të, me përjashtim të dy pikave, ndaj mendoj se duhet gjetur zgjidhja mes bashkisë dhe këshillit, pasi nuk ka asnjë arsye që të bllokohet buxheti, duke mbajtur peng një qytet të tërë me shërbimet dhe punonjësit pa paga”, tha Shkëlqim Zaimi, i subjektit politik LSI. Kurse anëtarët e këshillit që i përkasin PS-së argumentuan ndryshimet. “Ne votuam në mbledhje për reduktim te numrit të punonjësve, pasi është shumë i lartë dhe nuk paguhen të gjithë punonjësit me një nivel pagash, kjo ka bërë që bashkia mos ta njohë miratimin e buxhetit, pasi u bënë vetëm këto miratime në mbledhjen e fundit dhe nuk është diskutuar asgjë më tepër se kaq”, tha Flora Çela, nga subjekti politik PS.Por, derisa Gjykata Administrative e Apelit Tiranë të vendosë mbi njohjen ose jo të vendimeve të këshillit bashkiak, marrë më 4 janar 2019, Bashkia duhet të veprojë me 1/12 e buxhetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re