Derbi i parë i sezonit, kryendeshja e javës së 6-të në Superligë sjell përballjen më të shumëpritur të futbollit shqiptar, Partizani-Tirana, një sfidë që këtë herë vjen me peshë të jashtëzakonshme për objektivat e sezonit.
Të dyja skuadrat e kryeqytetit hyjnë në këtë duel në një situatë jo të mirë. Pas 5 sfidave të para në kampionat bardheblutë kanë vetëm 5 pikë në vendin e gjashtë, ndërsa të kuqtë janë edhe më keq, me vetëm 4 pikë, të tetët në renditje, që do të thotë grupi i rënies nga kategoria.
Ndeshja në stadiumin “Air Albania”, e cila fillon nga ora 18:30, shpresohet nga të dyja ekipet të jetë një pikë kthese, pasi një fitore do të thoshte lënie pas e krizës.
Sonte është skena e derbit të 213-të, ku historia është e kuqe, bardheblu dhe plot emocione. Në histori Partizani dominon pasi numëron 84 fitore, Tirana 63, ndërsa 65 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Edhe pse të dyja ekipet janë në situatë të vështirë në kampionat kur vjen fjala te derbi gjithçka ndryshon. Në “Arena Kombëtare” nuk do të luhet vetëm për tri pikë por luhet për qytetin, krenarinë dhe të drejtën për të folur deri në përballjen e radhës.
Po në orën 18:30 sot luhet edhe Vllaznia-Dinamo, me shkodranët që presin me padurim debutimin e trajnerit të ri Çaba Laszlo. Kuqeblutë kanë një situatë të veçantë, duke qenë se në një ditë të kësaj jave lojtarët bojkotuan stërvitjen.
Ritkhimi pas disa javësh i Superligës nisi të shtunën me dy sfida të rëndësishme.
Teuta konfirmoi se po kalon një moment fantastik në kampionat, pasi regjistruar fitoren e pestë radhazi. Në stadiumin “Niko Dovana”, djemtë e detit siguruan tri pikë të rëndësishme kundër Skënderbeut, falë dy golave të shënuar që në pjesën e parë, duke u shkëpur në vendin e parë me 4 pikë diferencë nga Egnatia. Nga ana tjetër Elbasani nuk mori më shumë se një pikë ndaj Vorës në shtëpi, sfidë e cila u mbyll 1-1.
