Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Alqi Bllakos që do të çonte në arrestimin e tij, ka mbërritur në zyrat e Kuvendit. Burime bëjnë me dije se menjëherë pas kërkesës, Nikolla ka thirrur ditën e nesërme mbledhjen e Këshillit të Mandateve, që përbëhet nga 10 deputetë, të mazhorancës dhe opozitës.

Anëtarë të përhershëm të këtij këshilli janë: Lindita Nikolla (Grupi parlamentar PS), Klotilda Bushka (Grupi parlamentar PS), Ermonela Felaj (Grupi parlamentar PS), Arben Pëllumbi (Grupi parlamentar PS), Taulant Balla (Grupi parlamentar PS), Gazmend Bardhi (Grupi parlamentar PD), Enkelejd Alibeaj (Grupi parlamentar PD), Ervin Salianji (Grupi parlamentar PD), Greta Bardeli (Grupi parlamentar PD), Saimir Korreshi (Grupi parlamentar PD).

Në rregulloren e Kuvendit thuhet se Këshilli duhet të marrë një vendim, për ta kaluar çështjen në seancën më të parë parlamentare, ndërkohë që deputetit, në këtë rast Bllakos, i lind e drejta të bëjë mbrojtje në raport me konstatimet e prokurorisë.

PARASHIKIMET E RREGULLORES SË KUVENDIT:

Dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së  lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës

1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori.
Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe
dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren,
Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare,
në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së
sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit
personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

4. Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes
së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo të kontrollit personal ose të banesës të një deputeti vendoset si
pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për
Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.

5. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin
e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo
kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës
përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

6. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin
e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo
kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Procedura në rastin kur deputeti është ndaluar ose arrestuar

1. Në rastin kur një deputet është ndaluar ose arrestuar pa autorizim në kryerje e sipër ose
menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së
Posaçme vë menjëherë në dijeni Kryetarin e Kuvendit.

2. Kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i
paraqet dokumentet e përcjella nga Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme
dhe i kërkon të shqyrtojë çështjen.

3. Këshilli, jo më vonë se 48 orë nga data e vënies në dijeni, kryen procedurat sipas
parashikimeve të nenit 73, paragrafët 3 dhe 4, të Kushtetutës dhe zbaton parashikimet e paragrafit 2
të nenit 118 të kësaj Rregullore lidhur me të drejtën për një proces të rregullt.

4. Këshilli paraqet raportin për seancën plenare të Kuvendit, e cila thirret nga Kryetari i Kuvendit
brenda 48 orëve nga paraqitja e raportit. Vendimi i Kuvendit merret sipas parashikimeve të pikës 4 të
nenit 73 të Kushtetutë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re