Protesta e beftë studentore që vijon për më shumë se dy javë në Tiranë, është padyshim një prej zhvillimive më pozitive të tranzicionit në funksion të vetëdijësimit sa të publikut e sa të qeverisë, mbi raportet e shprishura mes tyre. Por sidomos për ndërgjegjen qeverisëse. Kjo protestë, kjo lëvizje, pavarësisht fundit se si do jetë, me gjasë do jetë një vijë ndarëse edhe për qeverisjen e Ramës, me shumë cene në komunikim e praktika reformuese, edhe për të tjera pas saj, duke iu qëndruar si “çekiç” kujtese mbi kokë se mund ta pësojnë çdo cast prej rebelizimit studentor nëse “thika shkon në asht”. Kjo sa i përket planit entuziast, vrundullor, shpirtit reagues, vitalitetit rinor e afshit për ndryshim kursi, modeli e morali qeverisës. Por deri këtu. Pasi më tej ka disa “por”.

Protesta më së pari vuan nga elementi kryesor që i jep asaj inteligjencën e nevojshme për të qenë imponuese dhe e respektueshme në pikën më të kërkuar: sensin e masës. Ky sens përkthehet në domosdoshmërinë e kanalizimit të kësaj energjie reaguese në një kokë drejtuese të saj, e cila luan dhe rolin e “mendjes së ftohtë” aty ku ajo do duhet. Sepse siç po shihet, ajo është një masë njerëzore që përpëlitet por kokë nuk ka. Dhe nga kjo masë, ku veprojnë ligjësi psikolgjike të cilët e bëjnë të vështirë e gati të pamundur të pasurit një kthjelltësie mendimi, e cila duhet të jetë pjesë e së tërës në strategjinë e arritjes së një “fitoreje” – pra, marrjes së maksimales nga 8 kërkesat – nuk ka gjasë të vijë një zgjidhje, së paku ashtu siç kanë zgjedhur ta kërkojnë. Mospasja e kësaj koke, ka sjellë dy defiçenca të mëdha në këtë protestë: mospasjen e një sllogani, si dhe fjalimet plot zjarr por pa fije mbrese dhe intelekti. I gjithë ligjërimi studentor është i ngërthyer në dy – tre fraza standarte të tipit: “kërkesat janë të qarta…”, “plotësoji..”, “nuk duam dialog…”. Deri më sot, nga ata që marrin mikrofonin, nuk ka asnjë fjalëmbajtje për t’u fiksuar, për t’u mbajtur mend, mbresëlënëse. Pra, duke iu kthyer modelit “Dhjetor ’90”, nuk ka asnjë një Blendi Gonxhe. Kur kjo protestë të mbarrojë, në stendën e saj muzeale për të nesërmen, do afishohen 8 kërkesat, masa studentore, ditët në rrugë, por nuk do ketë emra, fjalime, parime të larta të promovuara. Te çështja e slloganit, jo vetëm që nuk ka, por një sosh është huazuar nga një tjetër kohë. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, e cila thirret rëndom në korr, nuk ka asnjë lidhje me të sotmen dhe jo vetëm për faktin që ajo, Europa e djeshme, sot është në një krizë që e bën jo aq të adhurueshme. Ai sllogan ishte tërësisht politik pasi ishte vizionar në dëshirën dhe betejën për një tjetër model zhvillimi. Studentët, që ledhatohen ose vetëledhatohen me përcaktorin prozaiko-poetik “e ardhmja dhe shpresa e së nesërmes”, duhet të zotërojnë kulturën minimale për të bërë një diferencë të tillë, që mos bijnë më në naivitete të tilla.

Por dhe në këtë rast, problemi vjen nga mungesa e një kokë, e një grupimi udhëheqës, i cili duhet të ndjejë me zemër, të reagojë më shpirt, por dhe të mendojë me kokë.

Dhe në fund mbi bllokimin e rrugëve. Është një praktikë që dhe kjo zë fill në ’90. Më saktë midis viteve ‘90 – ’91. Është aplikuar vetëm në Kavajë. Pas fitores së PP-së në zgjedhjet e 31 marsit, grupime demokratësh në qytetin simbol dilnin në rrugë dhe bllokonin makina që mund të kishin targa të qyteteve ku ishte votuar sërish e majta. Ishin raste sporadike e që nuk u kthyen në fenomen.

Më pas, bllokimi i rrugëve do rikthehej në zgjedhjet e vitit 1996. Gjatë fushatës elektorale në prill-maj të atij viti, militantë demokratë u bllokonin rrugën kandidatëve socialistë që udhëtonin për takime elektorale. Në vitet e mëpasshme e deri më sot, kjo është bërë një praktikë normale. Edhe PS ka në CV-në e saj politike një bllokim rrugësh, shoqëruar dhe me djegie gomash, në një reagim tejet të shëmtuar, pavarësisht arsyeve se pse. Bëhet fjalë për maj – qershor 2011, kur KQZ-ja e drejtuar nga Arben Ristani, vendosi të mos njohë fitoren e Edi Ramës përballë Lulzim Bashës, në garën për Tiranën.                                                                   

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re