“Nëse ndalemi dhe i heqim menjëherë masat (dhe jo në mënyrë të përshkallëzuar) atëherë të gjitha sakrificat dhe përpjekjet tona kolektive do të shkojnë dëm dhe rrezikojmë seriozisht të përjetojmë një ‘valë të dytë’ potenciale goditëse që do të vë në rrezik jetët e shumë personave”

Intervistoi: Mili Xhani

Erand Llanaj, epidemiolog dhe studiues pranë Akademisë së Shkencave në Hungari, është një nga ekspertët që këto ditë të pazakonta për Shqipërinë dhe gjithë botën ka sjellë informacione e studime të rëndësishme mbi pandeminë. Së bashku me një grup ekspertësh që punojnë në institucione ndërkombëtare dhe vendase, Llanaj ka ofruar në platformën online heda.al ekspertizë shkencore të dorës së parë duke u ardhur në ndihmë mjekëve shqiptarë, punonjësve të shëndetësisë që përballën me COVID-19, por edhe qytetarëve që duan të informohen në mënyrë profesionale për atë që po ndodh. Ekspertizën e tij Llanaj e ka ofruar dhe për Komitetin Teknik kundër koronavirusit në Shqipëri.

Në një intervistë për “Koha Jonë” studiuesit Erand Llanaj shprehet se Shqipëria ka arritur të shmang një skenar apokaliptik me pandeminë e koronavirusit. Llanaj shpjegon se edhe pse shanset që ne mund ta kemi kaluar pikun e pandemisë ende janë të paqarta, kurba e infektimeve në vend ka arritur në një fazë stacionare.

“Shqipëria ka arritur të shmang një skenar apokaliptik ku individët që do të kishin nevojë për hospitalizim (=shtrim në spital) nuk do të kishin mundësi për të marrë shërbim dhe ne sot do të ishim duke riorganizuar sistemin e varrimeve dhe do të merreshim me koordinimin e varreve masive – siç po ndodh ne shtete të tjera. Shanset që ne e kemi kaluar pikun janë ende të panjohura. Ajo që mund të thuhet me siguri është që kurba shqiptare epidemike ka mbërritur në një fazë stacionare, me luhatje të përditshme lart-e-poshtë, por që trendi (=prirja) e përgjithshme është lineare, gjë që sugjeron se jemi në fazën e stabilizimit e jo të fillimit të pjerrjes për së poshtmi (=pra kalimit të pikut)”,- deklaron Llanaj.

Lidhur me lehtësimin e masave ndaluese për qytetarët, Llanaj shprehet se “rikthimi do të ndodhë, por jo domosdoshmërisht shpejt”. Nga ana tjetër ai shton se izolimi masiv nuk është një strategji afat-gjatë. “Të gjithë e kuptojnë këtë dhe janë të ndërgjegjshëm, që izolimi momental mund të jetë i justifikueshëm dhe i domosdoshëm. POR, nëse këto masa tejzgjaten përtej kufirit të tolerancës kolektive shoqërore, ekonomike, psikologjike, etj., mund të jetë shumë e vështirë për të rikuperuar më vonë dëmin e shkaktuar”,- deklaron Llanaj.

-Në Shqipëri të dhënat zyrtare, një muaj pas regjistrimit të rastit të parë, flasin për 440 persona të prekur nga COVID-19, 23 viktima dhe 212 të shëruar. Nisur nga këto të dhëna, një pjesë e ekspertëve mendojnë se Shqipëria e ka kaluar pikun e pandemisë. A mund të themi që më e keqja ka kaluar?

‘Kalimi i pikut’ është një koncept, i cili nuk bazohet në numrin e rasteve, viktimave dhe numrin e personave ‘të shëruar’. Ky koncept e ka bazën dhe mund të shqyrtohet në trendet ose prirjet që ka shpejtësia e rritjes së kurbës ose pjerrësia për lehtësi, në momentin fillestar pas shfaqjes së rasteve të para. Shqipëria ka arritur të shmang një skenar apokaliptik ku individët që do të kishin nevojë për hospitalizim (=shtrim në spital) nuk do të kishin mundësi për të marrë shërbim dhe ne sot do të ishim duke riorganizuar sistemin e varrimeve dhe do të merreshim me koordinimin e varreve masive – siç po ndodh ne shtete të tjera. Shanset që ne e kemi kaluar pikun janë ende të panjohura. Ajo që mund të thuhet me siguri është që kurba shqiptare epidemike ka mbërritur në një fazë stacionare, me luhatje të përditshme lart-e-poshtë, por që trendi (=prirja) e përgjithshme është lineare, gjë që sugjeron se jemi në fazën e stabilizimit e jo të fillimit të pjerrjes për së poshtmi (=pra kalimit të pikut). Këto koncepte mund të bëhen më të prekshme e të vlerësohen duke përdorur kujdesshëm modele dhe simulime epidemiologjike, por përllogaritjet dhe ekuacionet janë po aq të vlefshme sa supozimet mbi të cilat ato bazohen. Këto modele mund të prodhojnë rezultate me një nivel të lartë pasigurie. Modelet më serioze e të kujdesshme kanë projektuar një kohëzgjatje deri në 18 muaj. Megjithatë, nëse i lexoni me kujdes raportet dhe shpjegimet e tyre, thuhet qartë që ‘natyra rastësore e proceseve shoqërore prodhon një spektër tepër të gjerë të rezultateve të mundshme’. Pra, ndryshime shumë të vogla si marrja e masave qoftë edhe një ditë më parë ose më vonë, krijojnë pasoja të paparashikueshme. Për më tepër, modelet dhe simulimet nuk janë tërësisht të pavlefshme, pasi mund të ofrojnë skenarë të ndryshëm informues, që ndihmojnë në kuptimin e asaj se çfarë mund potencialisht të ndodhë në skenarin më të keq dhe më të mirë të mundshëm. Sa më shpejt ti kuptojmë këto skenarë, aq më e informuar është vendim-marrja jonë kolektive. POR, modelet nuk mund kurrsesi të zëvendësojnë punën në terren dhe hulumtimin e situatës reale. Pra kemi arritur të stabilizojmë gjendjen, por a e kemi kaluar ‘të keqen’ apo jo kjo nuk varet vetëm nga një grumbull shifrash! Në situatën aktuale, të dhënat janë si ajo shtylla e ndriçimit kur që has natën duke shkuar për në shtëpi, shtylla është aty të ndriçojë vendin ku ndodhesh që të dish se ku je, por nuk të tregon se ku duhet të shkosh!

-Pas më shumë se katër javësh masash të rrepta izolimi, nga kjo e hënë qeveria ka vendosur të lehtësojë disi lëvizjen. A duhen lehtësuar masat në këtë fazë dhe kur mendoni se shoqëria mund të kthehet në normalitet?

Për shumicën e njerëzve kudo në botë, kufizimet e ashpra mbi stilin e përditshëm të jetesës janë kthyer në ‘normalen e re’. Megjithatë, përgjatë përshtatjes sonë me këtë ‘normale të re’, cilat janë gjasat që sakrificat tona kolektive të kthejnë situatën e mëparshme normale? Pyetja ende nuk ka marrë një përgjigje, por nëse shpresojmë ti rikthehemi jetëve tona të mëparshme, duhet të kuptojmë se ka lajme të mira dhe jo të mira: rikthimi do të ndodhë, por jo domosdoshmërisht shpejt. Të jeni të bindur se nuk ka këshilltar qeverish dhe kërkues shkencor në botë, që të mos jetë duke konsideruar strategjitë e mundshme të daljes nga kjo situatë. Megjithatë, natyra dhe jetësimi i këtyre strategjive në vende të ndryshme, kohëzgjatja deri në momentin e implementimit, dhe efektiviteti i tyre janë ende të paqarta …për këdo! Përveç kësaj, ekziston rreziku që të vihet në pikëpyetje përpjekja për një koordinim në nivel kombëtar, rajonal apo ndërkombëtar dhe kjo mund të vendos në një pozitë shumë të pafavorshme vendin tonë! Karantina dhe/ose izolimi në masë – masa të cilat i kanë marrë shumica e shteteve në botë, përfshirë dhe Shqipërinë – kanë demonstruar efektivitet të jashtëzakonshëm afat-shkurtër. Këto masa kanë reduktuar konsiderueshëm numrin e rasteve të infektuara me virusin e SARS-CoV-2, duke frenuar përhapjen e mëtejshme. Kjo ka bërë të mundur uljen e nivelit të rritjes së infeksionit COVID-19 dhe shmangien e skenarit apokaliptik eksponencial! Ky mund të themi se është objektivi fillestar që çdo vend ka synuar pas implementimit të këtyre masave, me qëllim për të ‘sheshuar kurbën’. Përqasja e ‘sheshimit të kurbës’ ka si qëllim parandalimin e një ‘përmbytjeje’ të spitaleve, gjë që mundëson shmangien e një skenari ku individët e sëmurë, që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, të mos e marrin atë… Kjo qasje, gjithashtu na ndihmoi të fitojmë kohë e për të hulumtuar mënyra se si ta trajtojmë e kuptojmë më mirë infeksionin COVID-19. Izolimi masiv ama nuk është një strategji afat-gjatë! Të gjithë e kuptojnë këtë dhe janë të ndërgjegjshëm, që izolimi momental mund të jetë i justifikueshëm dhe i domosdoshëm. POR, nëse këto masa tejzgjaten përtej kufirit të tolerancës kolektive shoqërore, ekonomike, psikologjike, etj., mund të jetë shumë e vështirë për të rikuperuar më vonë dëmin e shkaktuar. Nga ana tjetër, ekziston një rrezik i qartë nëse kufizimet do të hiqen në momentin kur është arritur deri diku ‘sheshimi i kurbës’, pasi kurba edhe mund të ‘ç’sheshohet’ dhe niveli i infeksiozitetit mund të rifitojë karakter eksponencial. Me fjalë të thjeshta: ‘na duhet të dalim nga izolimi që të gjithë, dhe këtu nuk ka asnjë diskutim, por nuk duam që të gjithë këtë sakrificë që po bëjmë, ta zhvlerësojmë e të lejojmë epideminë të rikthehet përsëri!’ Nëse do të jemi të suksesshëm në sheshimin e kurbës (të paktën për momentin jemi!), arritje për të cilën meritojmë të jemi të gjithë krenar, nuk mund të rikthehemi në mënyrë akute (=të menjëhershme, të papritur) në ‘normalen e vjetër’ – pasi do të jetë shumë e rrezikshme! Nëse ndalemi dhe i heqim menjëherë masat (dhe jo në mënyrë të përshkallëzuar) atëherë të gjitha sakrificat dhe përpjekjet tona kolektive do të shkojnë dëm dhe rrezikojmë seriozisht të përjetojmë një ‘valë të dytë’ potenciale goditëse që do të vë në rrezik jetët e shumë personave. Do të duhet që tani, në momentin e ‘rënies së qëndrueshme’ të numrit të rasteve të reja (=incidencës), të modifikojmë disa nga masat e distancimit fizik dhe gradualisht të kthehemi në ‘normalen e vjetër’ – kjo është duke ndodhur! Për të kuptuar se si mund të jetë ecuria e mëtejshme e heqjes së përshkallëzuar të masave kufizuese, nuk kemi pse hipotetizojmë apo spekulojmë, por mund të mësojmë nga shtetet të cilat kanë filluar ti heqin gradualisht masat shtrënguese. Kina është vendi i parë në botë që morri masa shtrënguese me karantinë dhe izolim masiv, dhe tani po i heq gradualisht. Kina duhet monitoruar kujdesshëm pasi në këtë drejtim ‘është pak më para’ se pjesa tjetër e botës.

-Në krahasim me vendet më të suksesshme si Kina apo vende të tjera, si gjykoni se është menaxhuar pandemia në Shqipëri?

Pyetje interesante. Shoqëria Kineze duhet të vëzhgohet me kujdes, për ‘suksesin’ e saj. Kina është shembulli më tipik i strategjisë së frenimit të ndjekur në Shqipëri, duke vendosur masa strikte kufizimi dhe distancimit fizik qysh në 23 Janar të këtij viti, në Vuhan (provincë e Hubeit), ku filloi edhe shpërthimi epidemik. Kjo qasje u ndoq edhe në provinca të tjera, me modifikime kontekstuale dhe që demonstruan të ishin efektive në frenimin e epidemisë në Kinë. Më 23 Mars, qeveria Kineze deklaroi se për herë të parë, qysh prej fillesës së epidemisë, ka pasur 5 ditë rresht pa asnjë rast reja të ri të konfirmuar të shkaktuara nga transmisioni lokal (=infektim prej rasteve brenda vendit, jo nga raste të importuara nga vende të tjera). Tashmë kufizimet janë zbutur, në shumicën e qyteteve të provincës së Hubeit dhe para dy ditësh (8 Prill 2020) kufizimet u pezulluan edhe në Vuhan. Jeta shoqërore ende nuk është kthyer në ‘normalen e vjetër’, por njerëzit kanë filluar të lëvizin më shumë dhe më lirshëm se më parë dhe nuk ndodhen më në kushtet e izolimit total – siç ishin më parë! Testimi dhe gjurmimi i rasteve vazhdon në kombinim me masat selektive të distancimit social (si p.sh. përcaktimi i një kodi të përgjigjes së shpejtë ose kodi QR me tri nivele rrezikshmërie [e kuqe, portokalli dhe jeshile] ku ata me QR kod jeshil mund të lëvizin lirshëm, ata me kod portokalli e kanë të ndaluar të futen në qendra tregtare, supermarkete, etj. dhe ata me kod të kanë kufizime të tjera shtesë). Kina ka mbyllur gjithashtu kufijtë e saj me të gjitha shtetet njësoj si Shqipëria, duke lejuar vetëm qytetarët e saj të hyjnë, me qëllim parandalimin e importimit të rasteve nga shtetet e tjera. Veprimtaritë shoqërore, ekonomike, institucionale, etj. kanë filluar të ri-kthehen dhe Kina mund të ketë implementuar suksesshëm strategjinë e saj të daljes nga izolimi.

Shënim: Kodet e ndryshme të nivelit të sigurisë në Kinë (Burimi: TechNode)

Megjithatë, a mund të merret Kina si pikë referimi apo si model për pjesën të gjykuar ecurinë e Shqipërisë në menaxhimin e epidemisë? Në disa drejtime po, por secili vend duhet të përshtasë strategjitë e përzgjedhura të përballimit të situatës në bazë të kushteve dhe rrethanave lokale. Jo domosdoshmërisht të gjitha vendet do të kenë kapacitetet e Kinës në kërkim shkencor, testim, hetim epidemiologjik dhe gjurmim të kontakteve. Madje, edhe vetë Kina brenda saj, ka një variacion në aplikimin e implementimin e masave, që ndryshon nga krahina në krahinë, bazuar në rrethanat lokale. Për momentin hartimi i strategjive të daljes nga izolimi ka mbetur në nivel shteti ose një grupi shtetesh, dhe jo në nivel ndërkombëtar, edhe pse jemi në kushtet e pandemisë globale. Kështu që duke u nisur nga sa më sipër dhe paralelizmat me Kinën, mund të thuhet se vendi ynë ka menaxhuar të ulë frenojë numrin e madh të rasteve dhe tani është momenti për të monitoruar me kujdes situatën.

-Debati kryesor në Shqipëri këto ditë ka qenë numri i testimeve. Deri më sot janë realizuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë 3644 testime. A është i mjaftueshëm ky numër për të dhënë një panoramë të plotë të ecurisë së epidemisë në Shqipëri?

Debat kompleks dhe jo lehtësisht i kuptueshëm për jo-epidemiologët sipas mendimit tim – dhe këtë gjë do ta argumentoj! Koncepti i testimeve është një librari më vete në epidemiologji. Ne opinionin tim modest është e rëndësishme (1) të bëhet testimi i kontakteve të ngushta (2) të ruhet një nivel pozitiviteti afër 10% (të testuar/pozitivë) që të kuptohet se në cilin drejtim po shkojmë dhe (3) është shume e rëndësishme që të rritet stoku për të ardhmen e afërt kur të hapemi ngadalë, ku do të duhet do të duhet të merremi më shumë me individët. Shihni se çfarë është duke bërë sot Kina në Vuhan. Njerëzit janë lejuar të lëvizin por vetëm negativet dhe ata pa simptoma (në bazë të kodeve QR ose mekanizmave të tjerë). Tani një drejtim tjetër i diskursit (=të menduarit) për testimet që ka marrë pak vëmendje, por që në fakt meriton më shumë vëmendje është procesi i ‘gjurmimit të kontakteve’ i cili nuk ka lidhje me diagnozën, por me kontrollin e sëmundjes. Për sa i përket strategjisë së testimit në Shqipëri, unë kam qenë pjesë e korrespondencës me epidemiologët e Komitetit Teknik në Shqipëri dhe po shoh që po ndiqet koncepti ‘testimit prioritar’. Çfarë do të thotë kjo? E para, nuk mund të merret një punonjës marketi, polic, shofer, etj. dhe të testohen pa arsye. Testimi po bëhet dhe duhet të bëhet duke hetuar rastet pozitive dhe kontaktet e ngushta të tyre. Më pas midis këtyre kontakteve duhet të bëhet identifikimi i atyre të cilët vuajnë nga kushte shëndetësore ekzistuese ose të moshuar (pra, grupet me rrezik të lartë për ashpërsim të sëmundjes). Hapi tjetër është që ndërmjet kontakteve të ngushta të gjykohet se kush prej këtyre kontakteve ka pasur më shumë mundësi të përhap më shumë infeksionin dhe cilat kanë qenë kontaktet e tjera të tyre. Nëpër kontaktet e disa brezave ndiqet e njëjta strategji dhe këta persona testohen, por edhe kur del testimi negativ ekipi i epidemiologëve në Shqipëri, ka rekomanduar karantinën ose vetë-izolimin. Një shembull tipik është ai i një rasti i një punonjësi banke në Elbasan. Pra testimi behet në vatër dhe nuk bëhet për hir vetëm të vatrës. Epidemiologikisht, ‘vatra’ përdoret si koncept pasi epidemia mund të imagjinohet sikur përhapet si flakët e një zjarri dhe aty nis zanafilla e infeksionit. Pra edhe kjo puna e testimeve nuk është vetëm çështje numrash (sa mirë do të ishte të ishin gjërat ka të thjeshta!), por testimi duhet të shihet si një mjet analitik e strategjik, por kurrsesi vetëm si një numër. Mund të bëhet një hetim masiv, por të dështojë, por ama mund të bëhet një hetim i targetuar (=i synuar, orientuar) de të ketë sukses maksimal! Kjo për sa i përket një pjese të vogël të modelit të testimit, që është pjesa e gjurmimit të kontakteve – pjese integrale e kontrollit të shpërthimit epidemik! Po ashtu pjesë e kontrollit është dhe survejanca e sëmundjeve infektive – infrastrukturë kjo ekzistuese dhe funksionale, edhe pse mediat dhe publiku ndoshta nuk e kupton apo nuk e shikon. Survejanca Kombëtare e Sëmundjeve Infektive bën grumbullimin, përpunimin, analizimin në kohë dhe në vijueshmëri e të dhënave mbi sëmundshmërinë infektive, të dërguara në ISHP (në Departamentin e Kontrollit të Sëmundjeve Infektive) nga Shërbimet Epidemiologjike e të gjitha rretheve të vendit dhe ndërhyn apo vepron në bazë të këtyre të dhënave. Në kuadër të kësaj survejance, zbulohen ose identifikohen rastet e rënda me probleme respiratore që shtrohen në spitalet e vendit, p.sh. me sindromë respiratore të ashpër infeksioze dhe në këtë mënyrë bëhet de identifikimi i rasteve shtesë që mund ti ‘shpëtojnë’ hetimit bazë epidemiologjik. Pjesë tjetër e depistimit është kapja e hershme e rasteve nga komuniteti si p.sh. nëpërmjet numrit 127 ose formave të tjera. Pra është një seri dhe larmishmëri procesesh përdoren për kontrollin derisa vijmë tek ndjekja e të sëmurit apo rastit asimptomatik. Pyetja a është i mjaftueshëm numri apo jo nuk ka më rëndësi nëse nuk konsideron qasjen epidemiologjike!

Erand Llanaj
-Në mediat, jo vetëm shqiptare, qarkullon një tezë që pretendon se në vendet ku popullata ka bërë vaksinën e tuberkulozit COVID-19 ka shkaktuar më pak fatalitete dhe komplikacione. A është i bazuar në fakte shkencore një tezë e tillë?

Vaksina e tuberkulozit, ose BCG (shkurtim i Bacillus Calmette–Guérin) është një vaksinë e cila është përdorur qysh para 100 viteve për të ‘trajnuar imunitetin e lindur’ dhe përgjatë historisë 100 vjeçare është vënë re se ajo ka pasur efekte jo specifike. Këto efekte i referohen ‘përftimit’ të imunitetit për infeksione respiratore të tjera që nuk lidhen me tuberkulozin. Evidencat, gjithashtu tregojnë që incidenca e hasjes (ose numri i rasteve të reja) të koronavirusit në vendet e që kanë aplikuar në masë vaksinën kundër tuberkulozit, është e ulët. Mirëpo kjo lidhje nuk është shkakësore dhe mbetet për tu provuar. Nga studimet e bëra vihet re një efektivitet jo specifik më i fortë tek fëmijët, krahasuar me të rriturit. Megjithatë disa institute kërkimore janë duke e testuar dhe kanë rekrutuar grupe të personelit shëndetësor të cilët në mënyrë vullnetare do e marrin për të parë në vijimësi (me gjasa brenda tre-katër javëve të ardhshme) nëse ka efekt mbrojtës ose lehtësues nda infeksionit respirator COVID-19 të shkaktuar prej koronavirusit të ri SARS-CoV-2. Momentalisht nuk ka evidenca bindëse ta mbështesin tezën se kjo vaksinë mbron nga COVID-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re