Një 25-vjeçar, me banim në Shijak është arrestuar nga ana e Policisë së Tiranës pasi i është zbuluar një bazë ku mbante armë zjarri, drogë dhe një sasi lëndësh plasëse.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin në pronësi të 25-vjeçarit me inicialet E.V, në afërsi të Vorës shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri automatik, 40 fishekë, një sasi lënde plasëse, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sunday”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Forca Operacionale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve kundër Jetës dhe Seksionit për Hetimin e Narkotikëve.

Sekuestrohen një armë zjarri automatik, një sasi lënde plasëse, lëndë narkotike kanabis, një sasi municioni luftarak dhe sende të tjera të kudërligjshme.  Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Në vijim të kontrolleve të ushtruara në të gjitha rrugët kryesore dhe dytësore në qarkun e Tiranës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën dytësore në Marikaj, Vorë, një shtetas mbante në një ambient në pronësi të tij, lëndë narkotike, lëndë plasëse dhe armë zjarri pa leje, gati për t’i shitur, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Sunday”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit E. V., 25 vjeç, banues në Shijak.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin në pronësi të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri automatik, 40 fishekë, një sasi lënde plasëse, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re