Rezultatet e Shqipërisë që pas kualifikimit në Europian kanë lënë për të dëshiruar dhe pjesëmarrja në Ligën e Kombeve dhe kualifikueset e Botërorit 2026 kanë kthyer përsëri një imazh jo të mirë të kuqezinjve. Paraqitje që reflektohen edhe në renditjen e FIFA-s, e cila me përditësimet e ndeshjeve të fundit në dritaren e qershorit, regjistron një tjetër rënie të kuqezinjve.
Pas barazimeve me Serbinë dhe Letoninë, kuqezinjtë kanë rrëshqitur përsëri në klasifikimin botëror, duke humbur dy vende, për të mbajtur tashmë atë të 68 në renditjen e FIFA-s. Një rënie graduale që ka filluar që pas kualifikimit në Europian e që tashmë e sheh Shqipërinë pas dy vitesh e gjysmë të kthehet në pozicionin ku ishte kur drejtimin e saj e mori braziliani Silvinjo. Gjatë drejtimit të tij, Shqipëria arriti maksimumin me vendin e 59-të, por më pas filloi rrëshqitjen e ngadaltë përsëri.
Një trend që duket se është e vështirë të ndryshojë në të ardhmen e afërt, ndryshe nga përfaqësuese të tjera rajonale që kanë filluar të bëjnë hapa para, si në rastin e Maqedonisë së Veriut e cila aktualisht është në vendin e 63-të në botë, teksa ka fituar 4 pozicione në muajin e fundit.
Dhe ndërsa Shqipëria bie, Kosova vazhdon të ngjitë shkallët në renditje, duke vendosur rekordin e ri të saj në këtë klasifikim. Tashmë “Dardanët” e shohin veten të 95-tit në klasifikimin e FIFA-s, duke përmirësuar me dy vende pozicionimin e mëparshëm.
E.KUKA-