Nga: Florian Leli

1- Origjina dhe prejardhja.

Tatarët e Krimesë janë populli autokton i Gadishullit të Krimesë, këtij gadishulli të bukur në brigjet veriore të Detit të Zi, sipërfaqja e të cilit është pak më e vogël se ajo e Shqipërisë, rreth 27.000 km2.
Shumëkush mund të mendojë se bëhet fjalë për tatarët mongolë, të cilët me hordhitë e tyre arritën në dyert e Evropës Lindore. Në fakt, ka një lidhje mes këtij emërtimi dhe mongolëve. Me fjalën “tatar” emërtoheshin të gjithë gjinitë përbërëse të Hordhit të Artë, kanatit mongol të njohur që shtrihej gjer në Rusinë Perendimore. Ky emërtim mbeti edhe pas rënies së kanatit dhe u përdor për shumë fise të tjera turke dhe mongole që populluan zonën e Vollgës, Kazanit, e gjer në stepat e Siberisë.

Tatarët e Krimesë janë një grup fisesh turke, të cilët u shpërngulën në Gadishullin e Krimesë diku rreth shekullit X e.s. Në një periudhë të shkurtër arritën të popullojnë shumicën e gadishullit, karshi banorëve helenë dhe ostrogotë (gotët e Krimesë, një fis gjerman), të cilët me kalimin e kohës u kthyen në pakicë apo u asimiluan.

2- Fillimet e islamit.

Tatarët e Krimesë janë të gjithë muslimanë. Islami i tyre ka filluar shumë herët. Shteti mongol i Hordës së Artë, ishte një nga katër shtetet mongole, të cilat i ndau mes fëmijëve të tij vetë Xhingiz Hani. Shteti mongol ishte pagan, por islami ishte shumë i përhapur në mesin e fiseve turke dhe nënshtetasve të tij. Ngjarja më e rëndësishme që e konsolidoi më shumë prezencën islame në Krime ishte islami i Berke Hanit, nipit të Xhingis Hanit. Berke Hani, i njohur edhe me emrin Bereke Hani në burimet arabe, jo vetëm pranoi islamin, por njëkohësisht ishte edhe faktori kryesor që kontribuoi në frenimit e kushuririt të tij pagan Hulako Hanit. Me kthimin e shtetit mogol në islam pati një shtrirje të madhe të islamit.

3- Themelimi i shtetit, Kanatit të Krimesë.

Krimea qëndroi nën juridiksionin e shtetit mongol deri në shekullin XV. Gjatë kësaj periudhe tatarët e Krimesë përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë në gadishull. Muslimanët tatarë filluan të zgjeroheshin edhe jashtë gadishullit, në jug të Ukrainës së sotme, e cila atëherë nuk ka qënë pjesë e Ukrainës.

Në shekullin XV, me dobësimin e shtetit mogol, tatarët e Krimesë shkëputen nga shteti mëmë dhe themelojnë Kanatin Tatar të Krimesë. Themeluesi i shtetit ishte sulltani Haxhi Karaji, në vitin 1441 e.s. Kryeqytet i kanatit ishte qyteti i bukur i Bahçesarait, në qendër të gadishullit. Kanati ishte një nga shtetet më të fuqishme të zonës. Shumë shpejt ai vuri nën kontroll shumicën e tokave, që sot shtrihen në Ukrainën Jugore dhe Lindore. Në vitin 1502 sunduesi i Krimesë, Menli Hani arriti të marrë në dorë edhe Sarajin, kryeqytetin e Shtetit të Artë Mogol dhe sytë e tatarëve muslimanë u drejtuan nga Rusia, madje nga vetë Moska.

Përpjekjet e para nuk vonuan shumë. Në vitin 1507, nisi një seri e gjatë luftrash, të njohura në histori si luftrat ruso-tatare. Përparimi i muslimanëve fillimisht ishte i dukshëm. Duka i Moskës u deturua të paguajë xhizjen, për një farë kohe. Në vitin 1570, tatarët muslimanë, ndërmorën një ofensivë ushtarake të fuqishme ndaj vetë qytetit të Moskës. Rreth 100.000 ushtarë, në mesin e të cilëve edhe 7000 jeniçerë osmanë, arritën të rrethojnë Moskën. Betejat ishin të ashpra dhe Moska në 1571 ra në dorën e muslimanëve, por tashmë e djegur plotësisht.

Përgjatë dy shekujve (XVI-XVII), muslimanët tatrë ishin superiorë ndaj rusëve. Por, me hyrjen e shekullit XVIII, rusët filluan të fitojnë terren. Përparimi rus, fillimisht i avashtë, zuri të shpejtohej në fundin e shekullit XVIII.

4- Protektorati osman.

Në fundin e shekullit XV, turqit osmanë arrijnë në brigjet e Krimesë. Ata, pasi shtijnë në dorë disa qytete që i kishin mbetur Republikës Gjenoveze dhe Bizantit, bien dakort që Kanati i Krimesë, të jetë nën protektoratin e Shtetit Osman. Me kalimin e kohës ndikimi osman forcohet dhe pas vdekjes së hanit tatar Muhamed Karajit, në vitin 1525 e.s., hani caktohej vetëm pas aprovimit të sulltanit osman. Sidoqoftë, Kanati i Krimesë kishte një status të veçantë autonomie dhe në shumicën e politikave ishte i pavarur. Familja kryesore sunduese ishte familja e Karajve (lexohet edhe Garaj).

Muslimanët e Krimesë ishin të gjithë suni, pasues të medhhebit hanefi. Një pjesë e banorëve bizantë dhe osgotë u kthyen në islam. Kultura dhe civilizimi islam u ndikua shumë nga arkitektura osmane.

Kanati ishte i ndarë në njësi administrative të quajtura bejlik. Bejlikun e drejtonte beu dhe ai kishte nën sundim sundimtarë më të vegjël, të quajtur mirza. Por me reformat e kryera nga hani i fundit Shahin Karaj u ndoq modeli turk i ndarjes administrative. Mirza në kanatin e Krimesë ishte vetëm një qeveritar. Ai nuk ishte pronar i tokave, por vetëm qeverisës. Bujqit ishin vetë pronarë të tokave dhe të lirë, as skllevër dhe as bujkrobë dhe marrdhëniet e tyre me mirzën ishin vetëm administrative.

5- Dobësimi dhe rënia.

Në fundin e shekullit XVIII, kryesisht në luftën e pestë ruso-turke (ruso-tatare) mes viteve 1735-39 rusët shtinë në dorë shumë territore të kanatit tatar. Evlija Çelebiu përmend edhe një shkak tjetër të dobësimit të kanatit, sulmet e kazakëve nga lindja, të cilat shkëputën rrugët tregëtare të kanatit. Një faktor tjetër që ndikoi drejtpërsëdrejt në dobësimin e shtetit ishin edhe disa përplasje të brendshme mes familjeve tatare për pushtetin

Pas vitit 1770, sulmet ruse u shtuan. Në periudhën e Katerinës II, në vitin 1774, u nënshkrua edhe një marrveshje e cila e detyronte Kanatin e Krimesë të shkëputej nga Shteti Osman. Sundimtai i fundit i kanatit, Shahin Karaj ishte i diktuar nga rusët. Pas disa revoltave të brendshme Perandoria Ruse arriti të aneksojë të gjithë gadishullin. Sundimtari Shahin Karaj Hani, u arratis në Turqi, ku më pas u ekzekutua në ishullin e Rodosit, me akuzën e tradhëtisë. Pas rënies së gadishullit, rusët morën revanshin. Ata tashmë ishin kthyer në një perandori të frikshme dhe të fuqishme.

Pas Traktatit të Jasës (1792) dhe sidomos pas Traktatit të Bukureshtit (1812), sipas të cilit Shteti Osman humbte sundimin e Buxhakut, Perandoria Ruse e konsolidoi më shumë pushtimin e Krimesë dhe zonave përreth.

6- Krimea gjatë sundimit të carit.

Në fillimet e shekullit XIX Rusia cariste filloi një sllavizim të zonës, kryesisht të zonave veriore të Krimesë, jashtë gadishullit. Rusifikimi i zonës ishte i avashtë fillimisht, por më pas u përshpejtua. Një pjesë e muslimanëve u shpërngulën brenda Gadishullit të Krimesë. Vetë gadishulli vazhdoi ta ruante dominimin e muslimanëve. Deri në vitet 1850-të popullsia dërrmuese e gadishullit, mbi 80%, përbëhej nga muslimanët tatarë. Proçesi i sllavizimit të gadishullit u përshpejtua në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Sipas statistikave zyrtare ruse të vitit 1864, tatarët përbënin 50% të popullsisë, ndërsa në vitin 1897 përbënin 35% të popullsisë. Numri mund të ketë qënë edhe më i madh, duke pasur parasysh tendencën e uljes së numrit real në statistikat zyrtare.

Mbi tatarët muslimanë u ushtruan forma të ndryshme diskriminimi dhe padrejtësie. Një pjesë e mirë e tyre u deturuan të lëshojnë vendin dhe të shpërngulen në Turqi, në Bulgaristan (Tataristanin e sotëm) apo në vendet arabe, ku zakonisht ngatërrohen me çerkezët, për shkak të afërsisë mes tyre.

7- Sundimi bolshevik dhe dëbimi nga Krimea.

Bolshevikët jo vetëm vazhduan politikat diskriminuese që me ardhjen në pushtet në 1917-tën, po madje edhe i ashpërsuan ato. Në mesin e viteve 30-të popullsia tatare ra në mënyrë drastike. Tatarët me 220.000 banorë përbënin vetëm 20% të popullsisë së gadishullit. Proçesi i njohur për ukrainizimin e zonës sapo kishte nisur. Me mbarimin e luftës së dytë botërore dhe me kthimin e zgjedhës sovietike banorët tatarë të mbetur u detyruan të shpërngulen masivisht nga Krimea.

Josif Stalini i akuzoi tatarët për bashkëpunim me nazistët dhe vetëm për tre ditë 18-20 maj 1944 u dëbuan me forcë për në Uzbekistan rreth 200.000 tatarë të mbetur. Persekutimi ishte shumë çnjerëzor. Rreth 13.000 njerëz vdiqën si pasojë e dëbimit. Studiues të tjerë japin shifra edhe më të larta. Tatarët u vendosën në vende shumë të ndryshme nga vendi i tyre, të ngjashme më shumë me kampe përqëndrimi. Në Krime mbetën vetëm 3.000 – 4.000 tatarë, antarë të Partisë Komuniste dhe besnikë të Stalinit.

Vendin e tyre e zunë rusë dhe kryesisht ukrainas të ardhur nga veriu. Pas rindarjes administrative në kohën e Hrushovit, në vitet 60-të, Gadishulli i Krimesë i kalon Republikës Socialiste të Ukrainës dhe popullsia ukrainase zuri të rritej.

8- Kthimi në Krime.

Me dobësimin e Bashkimit Sovietik në vitet 80-të, u krijuan edhe kushtet e para për rikthimin e shumë tatarëve. Rreth 40.000 tatarë u rikthyen në Krime, kryesisht në fshatrat malore në qendër të gadishullit. Në fakt, kthimet në numra të pakta kanë filluar më herët, por deri në vitin 1989, tatarëve të Krimesë, u mohohej e drejta të deklaroheshin si të tillë.

Me rrëzimin e Bashkimit Sovietik, pati një rikthim masiv të tatarëve në Krime nga Uzbekistani dhe republikat e tjera. Në fillimin e viteve 90-të rreth 200.000 tartarë u rikthyen në Krime. Rikthimi vazhdoi edhe më vonë, por me ritme më të vogla. Proçesi i rikthimit nuk kaloi pa peripeci. Problemi kryesor ishte pajisja me nënshtetësinë ukrainase të të kthyerve autoktonë. Autoritetet ukrainase ndoqën një politikë sorollatje dhe burakracie, e cila si synim kryesor kishte frenimin e rikthimit të tatarëve muslimanë në trojet e tyre.

9- Gjendja e tanishme.

Krimea kaloi sërisht në duart e Rusisë pas ngjarjeve të 2014-tës. Ajo u shpall Republikë Autonome me status të veçantë e varur direkt nga Kremlini. Autoritetet japin një shifër rreth 300.000 banorë. Si autorittet ruse ashtu edhe ato ukrainase asnjëherë nuk kanë dhënë një shifër të saktë të numrit të tatarëve në Krime. Realisht numri i tyre është më i madh dhe vërtitet mes 500-600.000 banorë, të përqëndruar kryesisht në zonat rurale dhe qendrore të gadishullit dhe përbëjnë momentalisht rreth ¼-tën e popullsisë.

Duhet theksuar se një numër jo i vogël i tatarëve të Krimesë, rreth 300-400.000, vazhdojnë të jetojnë ende në Uzbekistan dhe në numra më të vegjël në republikat ruse, kryesisht në Tataristan. Një numër i madh i tyre jeton në Turqi, një pjesë e të cilëve e kanë ruajtur deri diku identitetin tatar të tyre.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re