Në prag të ndeshjes së parë europiane ndaj islandezëve të Valurit, Vllaznia duket në rrugë të mbarë.Shkodranët kanë dhënë sinjale pozitive në miqësoren me Zrinjskin, ku fituan 0-1. Trajneri Tomas Brdariç, duke folur për faqen zyrtare të klubit për gjendjen e skuadrës pas këtij testi të rëndësishëm, ka theksuar mes të tjerash se Vllaznia skuadra ka nevojë për minuta. Ai u shpreh se përgatitjet po shkojnë mirë dhe se bashkë me stafin po përpiqet për të fiksuar formacionin më të mirë përpara ndeshjes së turit të parë eliminator të Ligës së Konferencës kundër Valurit.

“Ndeshja miqësore me Zrinjskin ishte e nevojshme, pasi na nevojiten minuta në këtë periudhë, sidomos ndaj kundërshtarëve të vështirë. Jemi në mes të përgatitjeve dhe po përpiqemi të gjejmë 11-shen titullarë më të mirë para sfidës së parë me Valurin në Ligën e Konferencës. Kemi konkurrencë në ekip, kjo është pozitive. Djemtë po bëjnë përgatitje të mira dhe do të vazhdojmë me vendosmëri. Rezultati i ndeshjes me Zrinjskin nuk është i rëndësishëm. E rëndësishme është t’i kemi lojtarët në formën e duhur dhe të gjejmë strategjitë e duhura për të kaluar në turin tjetër të Ligës së Konferencës”, ka thënë trajneri i skuadrës kuqeblu.

FORMACIONI – Në ndeshjen e së premtes së shkuar me Zrinjskin në Mostar ra në sy fakti se luajtën nga minuta e parë të gjithë lojtarët e ardhur në merkato. Gurishta dhe Bajrami u pozicionuan në krahët e mbrojtjes, Deliu dhe Qato në qendër të mesfushës dhe Kahrimanoviç pas dyshes sulmuese. Tashmë trajneri Brdariç e ka më të qartë se sa mund t’i shërbejnë skuadrës këta lojtarë dhe a janë të gjithë të nevojshëm për formacionin apo jo.

Pjesa tjetër e formacionit është plotësuar me portierin Qarri, dyshen Stojanoviç-Jurirç në qendër të mbrojtjes, Krymi në mesfushë dhe Mala e Balaj në sulm. Shkodranët kanë zhvilluar deri tani dy miqësore, ndërsa përgatitjet po zhvillohen në Medjugorje. Vllaznia ka edhe 10 ditë kohë për ta përgatitur në mënyrën më të mirë ndeshjen e parë me Valurin, që zhvillohet në transfertë. Mbetet të shihet, nëse do të ketë ndonjë miqësore tjetër për kolaudimin e 11-shes, apo kuqeblutë janë mjaftuar me kaq.

ADMIR URUÇI-

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re