Nga: Floriar Arapi

Me rrjedhjen e informacionit për pagat, ndodhi një nga ngjarjet më të vecanta në 30 vjetët e post komunizmit në vend. Nje veprim i cili u konsiderua me të madhe, sidomos nga një pjesë njerëzish, si shkelje e privatësisë, por sido që të quhet apo të jetë, në fakt ajo që ndodhi ishte transparenca më e madhe e ndodhur ndonjëherë në historinë shqiptare. Njerëzit pyesin kush e nxorri, prokuroria po heton, madje edhe kryeminsitri i kërkoi me këmbëngulje që të gjendet sa më shpejt.

Por kush e nxorri ?! A e nxorri ndonjë qytetar i ndershëm, i cili ka veshtirësi të mbyll faturat e tij mujore dhe kishte akses në këto të dhëna ?! Apo i nxorri njëra palë politike për të goditur një pale tjetër ?!

Mundet të jetë secila prej tyre. Mundet të jetë edhe një Julian Asange shqiptar, se çdo popull ka heronj, që marrin përsipër të kryejnë veprime me të cilat mund të dëmtojnë veten por nëpërmjet tyre përfiton e gjithë shoqëria, por mundet që ta ketë nxjerrë edhe një palë politike për ta përdorur në favor të saj, për të goditur tjetrën.

Megjithatë sido që të ketë dalë dhe kushdo që ta ketë nxjerrë , një gjë duhet të dihet mirë, dalja e këtij informacioni i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm popullit shqiptar, shërbim i cili do të vlej për vite me radhë.

Transparenca e bërë nga dalja e listave të rrogave, ka hedhur dritë mbi shumë gjëra, që janë prekur pak apo aspak më parë. Ndër të tjera ajo ka hedhur dritë;

⁃ mbi vjedhje dhe skandale të fjetura dhe të fshehura në shtetin shqiptar në lidhje me pasurite publike,

⁃ mbi tradhëtinë që i bëjnë popullit shqiptar shumë opinionistë, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët hiqen edhe si të pavarur, mirëpo në këto lista dolën qe paguhen me rroga marramendëse nga oligarkë, apo organizata te caktuara.

⁃ mbi shtrirjen, influencën dhe lidhjet e organizatave të huaja në Shqipëri,

⁃ mbi shtrirjen e organizatës gjysëm okulte Gylen, marrëdhëniet e oligarkëve dhe ojf-ve të saj, në influencimin e opinionit publik, në tentativën për kapjen e shtetit dhe në kapjen e Komunitetit Musliman te Shqipërisë.

Pika e parë, e cila është një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë, është abuzimi dhe vjedhja e pasurive publike, nafta dhe kromi. Dalja në publik e pagave marramendëse të tyre, sollën në vëmendje kompanitë që menaxhojnë pasuritë publike dhe i bënë të ditur opinionit, se sa paguhen zinxhiri drejtues i këtyre kompanive. Në lista vërehet që rrogat e tyre variojnë në disa dhjetëra milionë lekë ( te vjetra). Pyetja që lind natyrshëm është “ A paguhen kaq shumë vetëm për punën qe bëjnë legalisht, apo paguhen edhe për fshehjet dhe shmangjet që i bëjnë detyrimeve ndaj shtetit shqiptar ?! Abuzimet dhe vjedhjet nga këto kompani kemi parë që kanë mbyllur gojën, jo vetëm të qeveritarëve dhe gjyqtarëve, por vetë ambasadori amerikan ka kërcënuar ish-prokurorin e përgjithshëm Llalla të mos hetojë, konkretisht Bankers Petrolium, sepse do te ketë pasoja, (kjo sipas deklarimit te tij). Bankers Petrolium, një kompani e regjistruar ne parajsat fiskale nxjerr cdo vit nga Shqipëria me qindra milion dollarë të cilat përfundojnë në llogari anonime në parajsat fiskale. Listës së veprimeve të dyshimta të kësaj kompanie, tashmë i shtohen rrogat e larta marramendëse që ajo paguan për dhjetëra të punësuar kryesisht të huaj, 2-3 milion lekë të reja në muaj. Pa dyshim që rasti i Bankers Petrolium mund të konsiderohet si rrjepja më kolosale që i bëhet Shqipërisë. Ndërkohë që Shqiperia ka rezervat e naftës ndër më të mëdha në rajon, në xhepat e shqiptarëve nuk futet asgjë nga këto pasuri që Zoti i ka falur vendit tonë.

Pas naftës, kromi është një nga abuzimet më të mëdha. Dikur në kohën e monizmit përbënte një nga të ardhurat më të mëdha te shtetit shqiptar nga exporti, tani të gjitha këto të ardhura i përfiton një oligark i vetëm dhe si zakonisht pas tij nuk dihet se cilët politikanë ndajnë pjesën. Për sa i përket kontrolleve te veprimtarisë së tyre, dihet që ata janë të paprekshëm.

Pika e dytë ku u hodh dritë, është çjerrja e maskës së përfqësuesve të shoqërisë civile, opinionistëve, analistëve e gazetarëve, duke i shfaqur publikut lidhjet e tyre nëpërmjet pagave marramendëse, me oligarket dhe njëherazi me politikanet e lidhur me ta. Rasti i tyre është rasti tipik i tradhëtarëve hipokritë. Ata marrin përsipër publikisht të mbrojnë në mënyre të pavarur interesat e shoqërisë, por në të vërtetë ata i sheh tek marrin miliona lekë rroga nga oligarkët që marrin koncesione dhe tendera nga qeveria. Një pjesë e tyre figurojnë të paguar në disa vende. Dalja e pagave dëshmoi më së miri hipokrizinë e tyre. Ata kur flasin, kur mbrojnë një çështje, apo kundërshtojnë një tjetër, gjithmonë kanë në mendje pagëdhënësin e tyre dhe interesat e tij.

Pika e tretë, influenca e organizatave te huaja me Shqipëri. Në këto lista, u bënë te ditura për publikun edhe pagesat që marrin nga organizatat e huaja, funksionarët e tyre dhe opinionistë, gazetarë etj. Nuk është se kjo përbën ndonjë shkelje, sepse ato jane ligjore dhe kanë te drejtë te ushtrojne aktivitetin e tyre, por problem është hipokrizia e tyre, kur mercenarizmi na shitet si idealizëm. Tashmë me pagat e deklaruara të paktën e dimë, se përse flasin këta njerëz dhe e dijmë sa para marrin dhe shitja si idealizëm nuk vlen më. Pjesa tjetër, a janë keta njerez besnikë ndaj të parave që marrin apo ndaj vendit të tyre ? Kështu që në një rast hipotetik nëse një funksionari të këtyre organizatave apo një opinionisti i cili paguhet prej tyre, do ti duhet te përballet në një çështje në të cilën interesat e shoqërisë (të popullit) ose të vendit, janë kundrejt interesave te organizatës, cilën anë do mbaj ky i paguar ?! Çështjes së organizatave të huaja, i shtohet gjithmonë edhe rreziku i kapjes së shtetit tonë të brishtë, sidomos me grupin e organizatave të lidhura me Soros, të cilat janë perandori më vete.

Pika e katërt të cilën ka prekur transparence e pagave është ajo që paraqet rrezikun e organizatës Gylen, në influencën në rritje në shtetin shqiptar dhe kapjen e plotë të Komunitetit Musliman. Kjo mund të klasifikohej edhe bashkë me organizatat e huaja në ato që përmendëm më sipër, por karakteristikat e saj të veçanta, fshehtësia dhe veshja me petkun fetar, e bëjnë atë të fenomen më vete. Organizata Gylen është një organizatë e mbyllur, gjysëm okulte, ku anëtarët e saj nuk e deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre në këtë organizatë. Numri i anëtarëve të kësaj organizate në botë llogaritet të jetë me miliona. Kjo organizatë në Turqi arriti në nivelin e një shteti paralel deri në momentin e grusht shtetit të dështuar, moment prej të cilit u zbraps. Shqipëria si shtet pa ndonjë bosht të fortë shtetëror, është shumë e rrezikuar nga organizata të tilla që janë shumë të mirëstrukturuara. Në listat e publikuara të pagave Baton Haxhiu, paguhej nga Spitali Amerikan në Janar 2021, me 18 milion lekë të vjetra në muaj. Spitali amerikan drejtohet nga një njeri i afërt me organizatën Gylen, Klodian Allajbeu dhe është përfolur rregullisht të jetë pronë e organizatës Gylen. Spitali amerikan, fondacionet gyleniste “Sema” dhe “Hafiz Ali Korça” kishin në borderotë e tyre, politikanë, gazetarë dhe njerëz të tjerë publik.

Transparenca e bërë me këto lista, i tregon më qartë publikut shqiptar veprimtarinë dhe lidhjet e kësaj organizate, e cila pasi ka uzurpuar Komunitetin Musliman Shqipar, tenton me mënyra të përafërta të bëj kapjen edhe ndaj shtetit shqiptar. Ajo operon në mënyrë të fshehtë, duke përdorur besnikët e saj të padeklaruar, për të bërë korruptimin dhe kapjen individualisht të politikanëve, opinionistëve, gazetarëve, profesorëve etj.

Ndiq paranë.

“Ndiq paranë” është një rregull i artë për të kuptuar njerzit politikanët, gazetarët, opinionistët, etj. Transparenca e pagave hapi rrugën që duke ndjekur paranë, të arrijmë të kuptojmë personat publik për kë punojnë. Duke ndjekur paranë mund te kuptojmë edhe nëse këto janë paga, apo janë ndarje pjese, në tepsinë e korrupsionit. Nëse një page është në normat e pranueshme, ajo është pagë, nëse ajo është disa herë më e lartë, ateherë me keq, ajo është vjedhje dhe ndarje pjese e tepsisë.

Humbja e privatësisë.

Vura re se disa njerëz ishin të indinjuar shumë sepse kishin humbur privatësinë dhe kishin dalë të ardhurat në shesh. Me sa pashë, ata që ngriten zërin më së shumti në këtë, çështje ishin pikërisht ata që diku e kishin “mizën nën kësulë”. Ndërkohë pashë që njerëzit parimorë që nuk kanë ç’të fshehin dhe njerëzit e thjeshtë, llogaria e të cilëve bëhet lehtë, u ndjenë mirë nga dalja e këtyre pagave.

Duke ditur që një pjesë e mirë e rrogave janë të ditura, ose të përllogaritura lehtësisht dhe këtu përfshihen administrata e shtetit, gjithashtu duke parë nivelin e korrupsionit në vend; unë personalisht unë do të isha i mendimit që të vendoset edhe me ligj, që njerëzit publik, të kenë edhe te pagat publike, një apo disa paga që marrin dhe këtu të përfshihen, politikanët, gazetarët, opinionistët, gjyqtarët, prokurorët, drejtorët etj. Nuk mundet që një njeri që merr disa rroga të majme milionëshe, të na japë leksion për barazinë, drejtësinë apo të na tregoj si luftohet korrupsioni apo varfëria.

Dhe për ta mbyllur, debati se ku janë kufijtë e privatësisë dhe të transparencës, mund të vazhdoj gjatë, me argumenta të ndryshme dhe mbase mund të ngelet edhe pa u zgjidhur. Për sa kohë do të vazhdoj ky debat, korrupsioni dhe pasoja e tij, varfëria e popullit, megjithëse në kahe të kundërta, do vazhdojnë të rriten të patrazuar. Dhe pyetja që shtrohet është: A vlen privatësia e zullumit?!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re