Arlind Qori, kryetari i Lëvizjes Bashkë, në emisionin “Log” ka dhënë një panoramë shqetësuese për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke theksuar problematikat që shoqërojnë çdo fazë.
Qori u shpreh se si parti kushtetuese, ata janë të interesuar që procesi zgjedhor të jetë sa më i saktë dhe i drejtë, duke ruajtur votat e tyre në gjithë Shqipërinë. Sipas tij, gabimet njerëzore mund të ndikojnë vetëm për disa vota në rang qarku, por kjo nuk duhet të ndryshojë rezultatin final.
“Kemi 35 vjet që përpiqen të organizojnë zgjedhje normale, por nuk ia kanë arritur,” tha ai, duke ndarë procesin në tre faza: para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Një nga shqetësimet kryesore të Qorit është prania e njerëzve të partisë në pushtet që vendosen në çdo qendër votimi, për të ushtruar presion mbi qytetarët.
“Halabakëria e lagjes, e vendosur nga partia në pushtet, rri e sodit dhe përpiqet të ndikojë mënyrën se si votojnë qytetarët,” shtoi ai.
Arlind Qori: Ne jemi të interesuar për procesin si parti kushtetuese, që procesi të jetë sa më i saktë. Ne i kemi ruajtur të gjitha votat tona në Shqipëri. Ndoshta për gabim njerëzor mund të ndryshojnë 15-20 vota në të gjithë qarkun, por ai mandat nuk bëhet 2 , as nuk shkon zero. Vetëm nëse futen me tank aty dhe i marrin votat. Ne jemi të interesuar për procesin, që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Kemi 35 vjet që gjoja mundohen ata që kanë pushtetin që të organizojnë një palë zgjedhje normale dhe nuk ja kanë arritur. Zgjedhjet kanë tre momente, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Ajo që unë vërej me trishtim, është që në cdo qendër votimi stacionohen te dera e shkollës halabakëria e lagjes, e vendosur nga partia në pushtet. Rri aty dhe sodit. Përpiqet që me hijen e vet të ndikojë në mënyrën si qytetarët të votojnë. Kjo gjë ndodh rëndom gjatë ditës së zgjedhjeve. Kur vjen puna te numërimit, ka një tension të jashtëzakonshëm, midis numëruesit që tenton të tjetërsojë votat dhe vëzhguesit që përpiqen të ruajnë me sy cdo votë. Cfarë ndodh të numërimi i votave të kandidatët, sepse unë aty mendoj se është bërë gjëma. Një kandidat nuk mund të këtë vëzhguesit e vet personal në të gjitha kutitë që numërohen, kurse një parti mund ti ketë. Edhe kandidati më i fuqishëm nuk mund ti ketë të mbuluara të gjitha tavolinat, lë më kandidatet e thjeshtë. Aty ka dyshime të forta që mund të jetë kërdia. Sepse një kandidat që është i fortë brenda asaj partie i merr votat një kandidati të dobët. Prandaj unë dua që ky proces të shkojë deri në fund që ne të kuptojmë të vërtetën. Nëse KQZ arrin të numërojë votat, pse kemi numërues partie?! Hajde të mendojmë një proces të numërimit, ku ata që bëjnë punë nuk janë të emëruar partie, por janë të pavarur.