Turqia u trondit nga një tjetër lëkundje e fortë tërmeti me magnitudë 6.4 mbrëmjen e djeshme duke shkaktuar panik te qytetarët, të cilët ende nuk e kanë marrë veten nga dy tërmetet e dy javëve më parë që morën mbi 40 mijë jetë njerëzish dhe lanë mbi 1 milionë të tjerë pa strehë.

Nëndrejtori i IGJEUM, Edmond Dushi, gjatë një interviste për Abc News, tha se tërmeti i fortë që ra dje tregon se ende nuk është çliruar energjia e akumuluar.

“Gjithë rajoni tashmë është i aktivizuar dhe kemi parë që numri i tërmeteve me magnitudë të lartë vazhdon në nivele të larta dhe kjo tregon se ende nuk kemi çlirim të asaj energjie të akumuluar për një kohë të gjatë. Studimet flasin për një qetësi sizmike për një kohë të gjatë.

Kjo dëshmohet bazuar në diskordancën e tërmeteve në kohëve moderne. Ka një lloj historiku të tërmeteve të forta në këtë zonë por nga ana tjetër u bë një kohë e gjatë që ka pasur një qetësi sizmike e karakterizuar me një tërmet 6.8 në shekullin e kaluar.

Gjithë kjo pritje e gjatë në një zonë aktive, ku kontakti i pllakave është 500 km, është e natyrshme që të përvojë me çlirim të furishëm dhe magnituda të larta. Kemi edhe një migrim të aktiviteti sizmik. Le të themi drejt pjesës jug perëndimore të zonës së goditur dhe kjo ishte dhe vatra e tërmetit të fundit dje.

Ai shtoi se nëse do të ketë riciklime të magnitudave të forta, “kjo tregon se boshllëku ndërmjet këtyre magnitudave dhe atyre të moderuara është i pambushur dhe pritet që të kemi numër të lartë tërmetesh me madhësi të konsiderueshme.” A rrezikohet Shqipëria?

“Shqipëria është në një rajon që nuk mund ta veçojmë nga rajoni ku kemi aktivitetin në Turqi pasi dhe pllaka e Adriatikut ndikohet nga ajo aziatike por që aktiviteti sizmik në territorin e Shqipërisë ka qenë i spikatur. Nuk bëhet fjalë për një qetësi sizmike por kemi një aktivitet të natyrshëm të rajonit. Nuk kemi evidentuar një rritje të shtuar që mund të jetë shqetësuese më tej“, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re