Nga: Sali Shasivari

‘Pushteti Legjistlativ’, ‘Ekzekutiv’, si dhe, ai ‘Gjyqësor’ janë tri lloje të pushteteve të cilat janë të njohura për çdokend…; madje, gati çdo njeri është në dijeni për rolin dhe rëndësinë e tyre në formësimin dhe rregullimin e jetës shoqërore si dhe shtetit të së drejtës…

Mirëpo, ndonëse këto ‘pushtete’ – në esencë – duhet të jenë në shërbim të popullatës dhe qytetarëve të cilët i përfaqësojnë, thuajase në çdo shtet, qoftë ai demokratik, monarkik, apo totalitar, fjala ‘pushtet’ zakonisht asocon në “taborin tjetër”, të kundërt me interesat e popullatës dhe shoqërisë në përgjithësi, me ç’rast, të dy palët shihen si palë antagoniste dhe në “luftë” me njëra tjetrën!

Kjo ndodh nga shkaku se, në shtetet demokratike, bindja e përgjithshme është se, këto ‘pushtete’, ndonëse të zgjedhura nga ana e popullit, paraqesin grupe interesi, të cilat, më tepër interesohen për realizimin e mirëqenies së tyre vetanake dhe grupore, se sa për interesat e përgjithshme të popullatës të cilës i takojnë. Ndërsa, në vendet monarkike dhe totalitare, natyrshëm, ‘pushtetet’ shihen si struktura të imponuara, në kundërshtim me vullnetin dhe dëshirën e popullit. Mbase, ‘shqipëritë’ tona, të cilat vazhdojnë të përpëliten në ‘tranzicion të përjetshëm’, nuk paraqesin përjashtim në këtë aspekt!

Nën hijen e këtyre antagonizmave në mes pushtetit dhe popullit, u paraqitën ‘Masmediat’, të cilat morën epitetin “Pushteti i Katërt”, dhe, të cilat, ngjallën shpresa për të qenë palë neutrale dhe zë kritik dhe i arsyes i cili do të tentojë t’i afrojë “dy palët e konfrontuara”…!

Mirëpo, sakaq, mediat (në përgjithësi, me disa përjashtime), jo vetëm që ranë ‘viktimë’ e ‘pushtetit’ dhe politikave të tij, duke e humbur pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre, por, ato, si rezultat i varshmërisë financiare dhe politizimit, në të shumtën e rasteve, u shndërruan në vegla dhe megafonë të pushtetit dhe politikave të tij, edhe atë: duke promovuar lajmet, pikëpamjet, agjendat dhe propagandat që i shkojnë për shtati pushtetit dhe politikës; duke e defokusuar vëmendjen nga çështjet të cilat nuk i konvenojnë pushtetit dhe politikës; si dhe, duke imponuar mjegull dhe terr informativ ndaj gjithçkahit që është në kundërshtim me qëllimet e pushtetit dhe politikës…!

Madje, edhe në rastet kur disa sosh nga këto ‘masmedia’ nuk mvaren apo nuk kontrollohen nga pushteti dhe politika, të njejtat, janë nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të qëllimeve dhe strategjive të korporatave, konglomerateve, apose lobi grupeve të ndryshme, nga të cilat financohen, apose pronë e të cilave janë; me ç’rast, agjenda e tyre kryesore mbetet senzacioni, përfitimi material, dhe propagandat e caktuara…!

Në këtë mënyrë, ‘masmediat’ në përgjithësi, në vend se të jenë në shërbim të krijimit të vlerave, ofrimit të debateve konstruktive, si dhe promovimit të kuadrove të mirëfillta dhe parimeve të shtetit të së drejtës, ato, në përgjithësi, në rastet më të mira ofrojnë ‘debate të shpifura dhe shterpe’, ndërsa, në rastet e rëndomta, ato promovojnë antivlera, degjenerim, imoralitet, shkatërrim, etj.!

Nën hijen e një ‘cenzure’ të këtillë, paraqitja e internetit shënoi epokë të re në fushën e mendimit të lirë, duke ofruar platformë të re për komunikim të ndërsjellë dhe për transmetimin e ideve dhe mendimeve, si dhe, duke i dhënë dimension të ri sferës së informimit, përcjelljes së lajmeve, mesazheve dhe porosive. I gjithë ai frustracion dhe e gjithë ajo pakënaqësi e cila ishte akumuluar tek çdo individ dhe grup i caktuar, filloi të gjejë rrugë dhe hapësirë në horizontet e gjera të botës së internetit si dhe mundësive të shumta që ofron ky mjet global. Kështu, të ashtuquajturat ‘Rrjetet Sociale’, duke filluar nga ‘dhomat’ e ‘chat’-it, duke kaluar nëpër ‘blogg’-et dhe blogosfera, e deri tek platformat e reja, si Twitter, Facebook, Instagram, etj., në saje të rolit dhe ndikimit të tyre, morën epitetin “Pushteti i Pestë”…!

Mirëpo, sakaq, edhe ‘Rrjetet Sociale’ (Pushteti i Pestë), pësuan fatin e njejtë me ‘Masmediat’ (Pushtetin e Katërt), duke rënë nën ‘kthetrat’ e ‘pushtetit’ të politikës, korporatave, konglomerateve, si dhe lobi grupeve të ndryshme…!

Andaj, duke marë parasyshë rolin e madh dhe vendimtar që luajnë ‘masmediat’ dhe ‘rrjetet sociale’ në orientimin e masave dhe popujve…; duke u nisur nga realiteti i hidhur që u përmend më lartë….; si dhe, me qëllim të ‘dekontaminimit’ të kësaj sfere tejet të rëndësishme dhe të ndijshme…; në vazhdim, do të përmendi disa nga veprimet e duhura, të mundshme, dhe të domosdoshme në këtë drejtim, edhe atë:

1. Bojkotimi i platformave të tilla të ‘kontaminuara’ dhe degjeneruese, edhe atë, si në aspekt të ndjekjes dhe shikueshmërisë, poashtu edhe në aspekt të pjesmarrjes në to…; duke përfshirë këtu jo vetëm ‘masmediat’, por edhe ueb-faqet, portalet, dhe ‘rrjetet sociale’… Një bojkotim i këtillë, përpos që do t’i relativizonte këto ‘agjenda’ dashakeqe, i njejti, do t’ua ulte atyre çmimin, dhe do t’i dështonte. Kjo, në saje të parimit dhe maksimës: ‘Ulja e çmimit dhe ndikimit, përmes bojkotit dhe injorimit’…

2. Të kuptuarit dhe ngritja e vetëdijes në lidhje me faktin se, shumica e këtyre platformave ‘masmediatike’ apo ‘sociale’, janë të dizajnuara me qëllim të rritjes së senzacionit, përfitimit komercial, defokusimit të vëmendjes, ‘përzierjes së letrave’, përhapjes së propagandës, përhapjes së degjenerimit, hutimit të masave, nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes, etj…

3. Investigimi dhe demaskimi i plotë i individëve, grupeve klanore, dhe qarqeve të cilat qëndrojnë prapa platformave të tilla destruktive…

4. Kritika dhe denoncimi i platformave të tilla dhe protagonistëve që qëndrojnë prapa tyre, qoftë edhe përmes mesazheve të njëpasnjëshme në adresë të tyre, me përmbajtje të llojit: ‘jeni bërë të neveritshëm’, dhe, ‘po kundërmoni’…

5. Studimi i opinionit të gjerë në lidhje me individët, emisionet, dhe platformat e tilla, dhe publikimi i rezultateve të këtyre studimeve…

6. Organizimi i peticioneve dhe kampanjave vetëdijesuese dhe denoncuese ndaj individëve, grupeve, qarqeve, emisioneve dhe platformave të tilla…

7. Ndjekja ligjore dhe juridike si dhe paditja e individëve, grupeve, qarqeve, emisioneve dhe platformave të tilla, nën akuzën për përhapje të dezinformatave, antivlerave, dhe degjenerimit…

Kjo, sa u takon individëve, entiteteve dhe platformave mediatike private…

Ndërsa, kur bëhet fjalë për persona dhe entitete zyrtare, si dhe për platforma mediatike të servisit publik, në këto raste, duhet kërkuar llogari përmes rrugëve të shumta legjitime, duke filluar nga kutitë e votimit, e deri te sindikatat dhe organet tjera ligjore dhe gjyqtare…!

Për më tepër, populli shqiptar i ‘shqipërive’ tona, i cili po i vuan pasojat e gjithë kësaj që u përmend më lartë, duhet një herë e përgjithmonë të vetëdijesohet, si dhe, të krijojë platforma të mirëfillta mediatike, me qëllim që mos të mbetet përgjithmonë konsumues pasiv dhe i nënçmuar, por të shndërrohet në faktorë aktiv dhe ndikues…

Përndryshe, ne do të vazhdojmë me postimet tona frustruese nëpër rrjetet sociale, në përkrahje të ‘filanit’ dhe në denoncim të ‘fallanit’, duke ‘folur – në këtë mënyrë – me vetveten’; ndërsa, ‘ata’ do të vazhdojnë të tallen me inteligjencën, injorancën, dhe naivitetin tonë kolektiv…!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re